2.6 C
Pristina
Wednesday, December 18, 2024

Kryeministri Kurti për “Veçernji List”: Vuçiqi Malin e Zi dëshiron ta bëjë Ukrainë, kurse Republikën Serbe Bjellorusi

Rekomandime

Në një intervistë ekskluzive për “Veçernji List”, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka folur për situatën e përgjithshme në Kosovë, dhe ka shprehur shqetësimin pse Serbia aktualisht shpenzon më shumë për ushtrinë sesa pesë vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor së bashku. Ai e ka akuzuar Aleksandar Vuçiq se dëshiron bosnjëzimin e Kosovës në formën e një entiteti autonom serb, për ta bërë Kosovën shtet jofunksional. Ndër të tjera ai tha se Serbia po sillet në Ballkanin Perëndimor si Federata Ruse, në të cilën Republika Srpskan në Bosnje po përpiqet ta bëjë Bjellorusi, ndërsa Malin e Zi Ukrainë.

Si e vlerësoni vizitën e kryeministrit të Kroacisë, Andrej Plenkoviq në Kosovë dhe cilat ishin temat kryesore të takimeve?

- Advertisement -

Vizita e kryeministrit të Republikës së Kroacisë dhe mikut tim Andrej Plenkoviq është e një rëndësie të veçantë. Vizita konfirmoi afërsinë dhe marrëdhëniet tradicionalisht të mira ndërmjet dy popujve dhe dy republikave.

Diskutuam për mundësitë dhe potencialet që kanë të dy qeveritë për bashkëpunim dypalësh, të cilat do të mundësojnë një rikuperim më të shpejtë nga kriza e shkaktuar nga pandemia COVID-19, duke përfshirë rritjen e investimeve, ekonominë dhe tregtinë.

Biseduam për krijimin e urave më të mira për dy popujt tanë, si dhe me diasporën tonë në Kroaci dhe qytetarët kroatë në Kosovë.

- Advertisement -

Tema kryesore ishin hapat konkretë drejt avancimit të zbatimit të dymbëdhjetë marrëveshjeve të arritura më parë mes dy vendeve, për arsimin, shkencën, kulturën dhe ekonominë, si dhe shtatë marrëveshje të tjera, finalizimi i të cilave pritet së shpejti.

Sa është e rëndësishme mbështetja e Kroacisë për Kosovën?

- Advertisement -

Dy vendet tona, jo që janë vetëm gjeografikisht të afërta, por ne e kuptojmë njëri-tjetrin dhe rajonin më mirë se kurrë, sepse kemi edhe një të kaluar të përbashkët.

Kroacia e ka njohur Kosovën një muaj pas shpalljes së pavarësisë, saktësisht më 19 mars 2008.

I jemi thellësisht mirënjohës Republikës së Kroacisë për bashkëpunimin e shkëlqyer dhe mbështetjen e vazhdueshme ndaj Republikës së Kosovës në të gjitha fazat e shtetndërtimit.

Një nga qëllimet tona është krijimi i një mjedisi të favorshëm për tërheqjen e kompanive dhe investitorëve potencialë, në mënyrë që të krijojmë një ekonomi të qëndrueshme.

Popullsia jonë është e re dhe ka një potencial të madh. Marrëdhëniet tona tregtare janë të mira, por ne mund t’i zhvillojmë ato edhe më shumë.

Kryeministri Plenkoviqerdhi për vizitë së bashku me drejtuesit e korporatave të fuqishme në Kroaci që udhëheqin në fushën e energjisë, telekomunikacionit, por edhe të Odës Ekonomike.

Andaj, në rrafshin ekonomik jemi të bindur se mund të punojmë së bashku, të zbulojmë fusha bashkëpunimi, siç janë forumet e biznesit, pastaj të shkëmbejmë përvoja në fushën e mbrojtjes së konsumatorit, antidampingut dhe instrumenteve të tjera të tregut.

Qëllimi i Kosovës është i qartë. Ne jemi të përkushtuar për të hyrë në NATO dhe Bashkimin Evropian, kështu që Kroacia është një shembull dhe model i shkëlqyer për ne.

Ne besojmë fuqishëm se mund të mësohet shumë nga përvoja kroate dhe institucionet tona janë në kontakt të vazhdueshëm dhe të ngushtë për këtë çështje.

Ne mirëpresim rritjen e numrit të forcave të armatosura kroate në misionin e NATO-s në Kosovë, KFOR. Një përkushtim i tillë për paqen dhe stabilitetin në rajon është shumë i mirëpritur, veçanërisht kur vjen nga një vend me të cilin kemi marrëdhënie të shkëlqyera.

Ne e vlerësojmë shumë mbështetjen që Kosova ka marrë nga Kroacia, sa i përket anëtarësimit në organizatat ndërkombëtare të mbrojtjes.

Përderisa Kosova tani prinë në Ballkanin Perëndimor me numrin më të lartë mesatar të qytetarëve të vaksinuar, me 64 për qind, të cilët kanë marrë së paku një dozë dhe mbi 56 për qind me dy doza, ne nuk harrojmë mbështetjen e shtetit kroat në kohën kur na mungonin vaksinat. Prandaj, shpreh mirënjohjen time të sinqertë për dhurimin e vaksinave nga Republika e Kroacisë.

Vendosmëria e kryeministrit dhe e institucioneve të vendit tuaj për t’u ofruar bashkatdhetarëve tanë pas aksidentit tragjik, në afërsi të qytetit të Slavonski Brodit, gjithë kujdesin e nevojshëm, kanë treguar vlerat më të larta të popullit kroat.

Solidariteti me tragjedinë tonë dhe ndihma e kujdesi mjekësor i ofruar për bashkatdhetarët tanë të lënduar mbeten të paharruara në kujtesën tonë.

Qeveria e Republikës së Kosovës do të vazhdojë të ruajë miqësinë dhe marrëdhëniet e shkëlqyera me shtetin mik të Kroacisë.

A e keni hapur me kryeministrin Plenkoviq temën e ngritjes së vazhdueshme të tensioneve nga Serbia ndaj Kosovës?

Po. Kemi biseduar për zhvillimin e situatës në rajon. Si Kroacia ashtu edhe Kosova janë të përkushtuara ndaj paqes së qëndrueshme, stabilitetit afatgjatë dhe sigurisë rajonale. Ne vlerësuam se rritja e tensioneve nga Serbia është pasojë e mungesës së demokracisë dhe mospërballjes me të kaluarën. Këto dy defekte të saj të brendshme eksportohen në rajon si efekte destabilizuese.

Së fundmi keni pasur zgjedhje lokale. Partia juaj ka humbur qytete të mëdha si Prishtinën dhe Prizrenin. Sa jeni të kënaqur me rezultatet e zgjedhjeve?

Prisnim të kishim një rezultat më të mirë, andaj edhe rezultatet nuk janë të kënaqshme. Tani po bëjmë një lloj analize të brendshme për mangësitë strukturore dhe organizative, të cilat sigurisht janë shkaku i rezultatit jo të kënaqshëm.

Nga ana tjetër, është edhe fakti se ka pasur një lloj bashkimi, koordinimi të madh të gjithë të tjerëve kundër Lëvizjes Vetëvendosje. Besoj se këta dy faktorë përcaktuan një rezultat të keq për ne. Por, atje ku jemi në opozitë, do të ndërtojmë një opozitë të mirë dhe të fortë, ndërsa atje ku jemi në pushtet, do të krijojmë një qeveri të mirë dhe efikase.

Fillimisht keni vendosur taksa doganore për importin e mallrave nga Serbia, ndërsa më pas qeveria juaj nxori një dekret të ri lidhur me regjistrimin e veturave që hyjnë në Kosovë nga Serbia, gjë që shkaktoi protesta dhe bllokime të reja të rrugëve në veri të Kosovës, dhe veç kësaj dialogu me Serbinë u pezullua sërish. Përfaqësuesi i BE-së për politikë të jashtme, Josep Borrell, ka kritikuar veprimet e forcave speciale të Policisë së Kosovës që synojnë parandalimin e krimit në veri të Kosovës. Si i shikoni këto kritika?

Aksioni i policisë në veri të Kosovës nuk ishte i drejtuar kundër asnjë kombësie apo komuniteti që jeton në Kosovë. Ishte i drejtuar kundër kriminelëve të cilët ishin identifikuar si kontrabandues të mallrave ilegale në territorin e Republikës së Kosovës. Kriminelët nuk ndahen në grupe etnike, ata ndahen sipas veprave penale. Përkatësia etnike nuk i bën ata as objektiva e as imunë. Asgjë nuk mund të shërbejë si mburojë kundër krimit dhe askush nuk mund të jetë mbi ligjin. Vendosja e rendit dhe ligjit është në interesin më të mirë të qytetarëve të Kosovës, pa dallim. Gjatë tetë muajve në pushtet, ne kemi arritur të luftojmë krimin dhe korrupsionin si asnjë qeveri tjetër. Kemi pasur 446 aksione policore, kemi kryer 793 bastisje dhe kemi shkatërruar 40 grupe kriminale.

A kishit frikë nga shpërthimi i konfliktit të luftës ndërmjet Kosovës dhe Serbisë pas aksionit policor, kur Aleksandar Vuçiq dhe ministri serb i Mbrojtjes erdhën në kufirin me Kosovën, së bashku me ambasadorin rus në Serbi dhe atasheun e mbrojtjes të Federatës Ruse në Beograd, përderisa në të njëjtën kohë një MIG-29 fluturonte mbi Kosovë si dhe helikopterë dhe autoblinda?

Kur Ministri i Mbrojtjes i Serbisë së bashku me ambasadorin rus në Beograd u paraqit në pikën kufitare në Jarinje, ata inspektuan një tubim të forcave ushtarake serbe ku kishte edhe autoblinda dhe mbi to ngritën një aeroplan ushtarak MiG-29 të cilin e kanë marrë nga Federata Ruse, sigurisht që tensionet janë rritur shumë, por jo për shkak tonin. Ata donin të na frikësonin, të na kërcënonin por ne nuk u dorëzuam dhe në fund gjithçka përfundoi në Bruksel dhe sot jam i lumtur që kemi një masë reciprociteti në targa. Pra, ne e konsiderojmë veten të pavarur, Serbia nuk na njeh, por nuk mund të kërkojë që ne të mos e njohim veten. Ne duam që të mos ketë barriera fare, por përderisa Serbia insiston në to, ne duhet të përgjigjemi sipas ligjit.

Ju keni thënë disa herë se jeni të sigurt se presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, dëshiron të provokojë një konflikt ndërkombëtar. Pse mendoni kështu dhe cilat janë argumentet tuaja? A e shihni atë si një faktor destabilizues të Ballkanit?

Kosova është shtet i pavarur dhe sovran, me integritet territorial, me shumë probleme. Por Kosova nuk është problem, Kosova ka problem dhe problem i Kosovës është edhe Serbia. Në Serbi nuk ka pluralizëm. E keni një parti. Ajo parti është edhe shteti. Dhe ai shtet është kishë. Edhe ajo kishë është parti. Nuk ka pluralizëm atje, ata po aktrojnë demokracinë me zgjedhjet.Së fundmi Serbia i ka rritur shumë shpenzimet ushtarake. Serbia aktualisht shpenzon më shumë për ushtrinë sesa pesë vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor së bashku. Bosnja dhe Hercegovina, Mali i Zi, Shqipëria, Kosova dhe Maqedonia e Veriut së bashku nuk shpenzojnë aq sa Serbia e vetme. Ajo nuk e bën këtë për shkak të Hungarisë dhe Rumanisë dhe ky militarizim i Serbisë është shumë shqetësues për ne, përshtypja ime është se Serbia i ngjan gjithnjë e më shumë Gjermanisë mes dy luftërave botërore pas përfundimit të Republikës së Vajmarit. Në dekadën e parë të këtij shekulli, në Serbi kishim një version serb të Republikës së Vajmarit, e cila filloi me vrasjen e ish-kryeministrit serb Zoran Gjingjiq, përfundoi me ish-presidentin Boris Tadiq dhe që atëherë kemi një periudhë ku Serbia i ngjan Gjermanisë ndërmjet dy luftërave botërore, por pas përfundimit të Republikës së Vajmarit, me ç’rast militarizimi është stimuli kryesor shtetëror dhe institucional.

Sa është e vërtetë që njerëzit në barrikada në Kosovë, që bllokojnë rrugët dhe pikat kufitare, paguhen nga Serbia me urdhër të Aleksandër Vuçiqit?

Nga informacionet që na kanë dhënë institucionet tona të sigurisë, disa prej tyre kanë edhe dosje të veprimtarive kriminale në të kaluarën, kanë pikëpamje ekstreme për politikën dhe botën. Disa prej tyre morën pjesë edhe në një përpjekje për grusht shtet në Mal të Zi pesë vjet më parë.

A besoni se, pas të gjithave, Kosova dhe Serbia së shpejti mund të arrijnë ndonjë marrëveshje për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve? Çfarë roli duhet të luajnë BE-ja dhe SHBA-ja në këtë?

Nuk mund të parashikoj se kur do të ndodhë kjo, por nëse marrim parasysh se mandati i presidentit amerikan Joe Biden, mandati i zëvendëspresidentit të Komisionit Evropian, Borrell dhe mandati im do të jenë afërsisht në të njëjtën kohëzgjatje, është e pritshme që brenda këtyre mandateve, të cilat në atë moment janë pak a shumë të njëjta, do të lidhet një marrëveshje gjithëpërfshirëse me Serbinë. Pra, ne kemi vullnet dhe interes, varet nëse Serbia është e gatshme. Normalizimi i marrëdhënieve në mes të Kosovës dhe Serbisë është i tillë që varet shumë më tepër nga gatishmëria e Serbisë për të ndryshuar qasjen e saj dhe vetveten.

Ne po mbajmë dikutime për dialogun e ardhshëm me Serbinë, për kapitullin tjetër të dialogut. Mungon progresi dhe kjo nuk ka filluar me ne, ka munguar shumë më herët, por ne treguam se një pjesë e madhe e mungesës së tij është për shkak të qasjeve të gabuara. Pra, janë nënshkruar marrëveshjet e dëmshme për Kosovën, të cilat edhe Gjykata Kushtetuese, siç ishte, nuk mund ti gëlltiste. Në këtë kuptim, na duhet një kapitull i ri, na duhet një qasje e re dhe për ne kjo duhet të jetë parimore, ku qytetarët janë fitues me njohje reciproke në qendër. Kohët e fundit ka pasur një zhvendosje tektonike për të mirë, ndërsa në dekadën e fundit është konsideruar se Kosova bën lëshime sepse përfundimisht do të merrte njohje nga Serbia.

Pra, dialogu dhe njohja janë vendosur në një marrëdhënie diakronike, janë vendosur në një kohë ku njohja do të vinte në fund dhe Serbia e ka shtyer këtë fund pafundësisht.Tani kemi kalimin nga kontekstualizimi kohor, të themi, në një kontekstualizimin hapësinor, ku njohja reciproke është thelbi i marrëveshjes, dhe këtë e thonë të gjithë miqtë dhe partnerët e Republikës së Kosovës, shtetit tonë të pavarur. Pra, marrëveshja nuk do të jetë vetëm njohje reciproke, por nuk ka marrëveshje pa njohjen reciproke në qendër. Pra, jo në fund, në aspektin kohor, por në qendër, në hapësirën që duhet të mbulojë marrëveshja. Një temë që ne jemi të gatshëm të angazhohemi menjëherë për ta zgjidhur sa më shpejt të jetë e mundur, është ajo për të zhdukurit, meqë aty qëndron brenga e familjeve a do ti gjejnë të dashurit e tyre e që është më e madhe se pikëllimi.

Shpesh thuhet se zgjidhja e vetme për njohjen e Kosovës nga Serbia është shkëmbimi i territoreve mes dy vendeve. Para disa vitesh kam biseduar me presidentin e atëhershëm Hashim Thaçi, dhe ai kishte pranuar se ishte duke biseduar me presidentin Vuçiq, me ndërmjetësimin e Përfaqësueses së Lartë të atëhershme të Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Federica Mogherini. A do të pranonit ju shkëmbimin e territoreve?

Sigurisht që jo. Unë dua që dialogu të jetë për të drejtat dhe nevojat e qytetarëve, e jo për shkëmbimin territorial. Është në natyrën e autokratëve të mendojnë se mund të shkëmbejnë territore sikur të ishin pronë e tyre. Nuk jemi në kohën e mesjetës, me monarkë që territorin e shtetit e konsiderojnë tokën e babait apo monarkut, kurse popullin familje e atij që sundon. Ne jemi një republikë demokratike dhe zgjidhje të tilla nuk do të ketë në tryezë. Kjo është edhe arsyeja pse i fitova zgjedhjet, sepse populli i Kosovës nuk dëshiron diçka të tillë. Nuk mendoj se as serbët e duan këtë. Këtë e dëshiron vetëm presidenti i Serbisë. Tani që kur jam unë në pushtet, ai nuk e përmend më demarkacionin me shqiptarët dhe zgjidhjet territoriale, por dëshiron bosnjëzimin e Kosovës në formën e një entiteti autonom serb brenda Republikës sonë, për të na bërë shtet jofunksional, por nuk ja ka arritur. Kjo nuk do të ndodhë.

Një pikë e rëndësishme në kontestin ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit është i ashtuquajturi Asociacioni i Komunave të Pakicës Serbe. BE-ja i bën thirrje Prishtinës që ta miratojë këtë Asociacion në përputhje me marrëveshjen e vitit 2013. Çfarë mendoni për këtë dhe pse Qeveria e Kosovës e kundërshton krijimin e Asociacionit të Komunave të Pakicës Serbe? A mund të jetë kjo një hyrje për krijimin e një Republika Srpska të re në Kosovë?

Ajo që Serbia po përpiqet t’ia imponojë shtetësisë së Kosovës dhe rendit tonë kushtetues nuk janë dëshira apo vullneti i serbëve të Kosovës, por shprehje e aspiratave hegjemoniste të Serbisë. Asnjë serb në Kosovë nuk ka protestuar që Asociacioni i komunave me shumicë serbe në Kosovë nuk është zbatuar. Beogradi ka qenë gjithmonë i zemëruar. Më 26 prill 1991, 14 komuna me shumicë serbe në Bosnje dhe Hercegovinë u bashkuan në Asociacionin e tyre. Më 9 janar 1992 shpallën pavarësinë. Më 28 shkurt 1992 ata patën një kushtetutë dhe përfundimisht më 14 dhjetor 1995 në Dejton të Ohajos morën njohjen ndërkombëtare. Duan ta përsërisin Bosnjën në Kosovë. Shikoni, në Bosnje dhe Hercegovinë kemi një shtet që nuk është Republikë, dhe brenda ka një Republikë që nuk është shtet. Pra, Beogradi në një mënyrë të ngjashme dëshiron të ketë një shtet në Kosovë që nuk do të quhet Republikë por Asociacion dhe që brenda Kosovës të quhet Republikë.

Nuk do ta lejoj diçka të tillë, as nga opozita dhe as nga pushteti. Prandaj populli më votoi mua – të parandaloj bosnjëzimin e Kosovës.

Pra, kemi nxjerrë mësime nga e kaluara dhe në mënyrë të drejtë e kemi studiuar dhe analizuar Beogradin, përveç që e njohim mirë nga përvoja jonë.

Besoj se me programin tonë do t’i ndihmojmë serbët po aq sa shqiptarët. Nëse i pyet serbët në Kosovë se cilat janë ankesat apo kërkesat e tyre kryesore, ata do të thonë punësimi dhe drejtësia. Por Beogradi është ai që dëshiron të ketë shtet brenda shtetit. Shteti i Serbisë në kuadër të Kosovës së pavarur.

Bisedimet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, dialogu mes dy vendeve tona nuk është dialog për statusin e Kosovës, as për çështjet e brendshme të Kosovës, por për statusin e marrëdhënieve tona.

Dialogu nuk bëhet për të vënë në pikëpyetje vetë Kosovën, por për të normalizuar marrëdhëniet me Serbinë. Dhe për normalizimin e marrëdhënieve, mendoj se Serbia duhet të ndryshojë shumë më tepër. Duhet të demokratizohet, të ketë shtet ligjor, të përballet me të kaluarën dhe duhet të kemi një lloj simetrie të reciprocitetit të të drejtave të pakicave.

Ju e refuzoni kategorikisht konceptin e “Ballkanit të Hapur”, të cilin e mbrojnë Shqipëria, Maqedonia e Veriut dhe Serbia. Pse?

Kur thonë Ballkani i Hapur, për çfarë hapje është fjala? Si mund të kemi një Ballkan të hapur kur Serbia është e mbyllur për Kosovën. Nuk i pranon pasaportat, dokumentet e identifikimit, diplomat, certifikatat apo vulat e Kosovës. Mund të kemi një Ballkan të hapur pasi Serbia të hapet ndaj Kosovës. “Ballkani i Hapur” më shumë i ngjan një Ballkani të hapur ndaj ndikimeve nga lindja, veçanërisht nga Federata Ruse dhe Kina, si dhe i hapur ndaj autokracisë, korrupsionit, kriminelëve të luftës, në kundërshtim me vlerat evropiane të demokracisë dhe sundimit të ligjit. Ne duhet të jemi me Bashkimin Evropian, por jo të hapur ndaj Federatës Ruse dhe Kinës. Në një farë mënyre, kur thuhet hapur, nga këndvështrimi i Serbisë, mendohet se ashtu si është Serbia e hapur ndaj Federatës Ruse dhe Kinës, ashtu duhet të jenë edhe të tjerët në Ballkanin Perëndimor. Prandaj, ne e kundërshtojmë një tendencë të tillë dhe në fund më duhet t’ju them se personalisht për nga orientimi politik dhe ndjeshmëria kulturore nuk jam nga ata liderë që besojnë në vetë-mjaftueshmërinë e Ballkanit. E përsëris se Evropa është kontinenti ynë, ndërsa Bashkimi Evropian është fati ynë.

Kur prisni që Kosova të bëhet anëtare e OKB-së?

Kosova nuk është ende anëtare e OKB-së dhe për këtë arsye nuk është në gjendje të përfitojë nga mundësitë e shumta që kanë anëtarët e tjerë të OKB-së. Kurse nga perspektiva e zhvillimit, ne përballemi me pengesa sistemike që rrjedhin nga mungesa e planifikimit të duhur të politikave dhe vonesave institucionale, të cilat ndonjëherë e bëjnë të vështirë përfitimin e plotë nga financimi dhe projektet e zbatuara nga agjencitë e OKB-së.

Qëllimi ynë është t’i kapërcejmë këto pengesa dhe të ecim përpara. Për këtë qëllim, ne kemi një dialog dhe diskutim të hapur me partnerët tanë në mënyrë që të mund t’i harmonizojmë prioritetet dhe qëllimet tona me integrimin e agjendës kombëtare të zhvillimit, agjendës së zhvillimit të qëndrueshëm dhe agjendës së integrimit evropian. Është e nevojshme që Kosova të bëhet anëtare e OKB-së dhe organizatave si OBSH, UNESCO, INTERPOL dhe organizatave të tjera ndërkombëtare, kjo është rruga jonë përpara dhe ne po punojmë për t’i arritur këto synime.

Si e vlerësoni situatën e përgjithshme në rajon? Keni frikë nga një përshkallëzim i mundshëm i konfliktit në Mal të Zi dhe Maqedoni?

Situata në Ballkanin Perëndimor është një situatë në miniaturë e rrethanave të Federatës Ruse. Gjithnjë e më shumë po tregohet se Serbia në Ballkanin Perëndimor po sillet si Federata Ruse, në të cilën Republika Srpskan në Bosnje po përpiqet ta bëjë Bjellorusi, ndërsa Malin e Zi Ukrainë. Pra, thelbi është se Serbia nuk i pranon si shtete reale vendet që nuk janë në Bashkimin Evropian, përkatësisht Bosnjën e Hercegovinën, Malin e Zi, Kosovën, madje edhe Maqedoninë e Veriut, sepse Serbia i konsideron ato shtete të përkohshme dhe angazhohet me të gjitha kapacitetet e saj për t’i dobësuar dhe shkatërruar.

Shumë analistë pohojnë se Kosova është nën ndikimin e Turqisë, sa është e saktë kjo?

Kosova është shtet sovran dhe politika e saj është sovrane. Turqia e ka njohur pavarësinë e Kosovës që në orët e para të shpalljes së pavarësisë. Ne kemi marrëdhënie shumë të mira bilaterale me Turqinë si një vend mik dhe aleat i Kosovës, e cila është e përkushtuar për forcimin e sovranitetit tonë. Si një anëtare e NATO-s, Turqia është një partner në forcimin e aleancës transatlantike.

Ju keni dy nënshtetësi – kosovare dhe shqiptare. Ju thatë se do të votonit për bashkimin e Kosovës me Shqipërinë, sikur në Kosovë të kishte referendum, i cili sipas Kushtetutës nuk mund të organizohet?

E kuptoj kureshtjen e gazetarëve për të krijuar polemika dhe prodhuar tituj, por nuk ka asgjë të re në këtë drejtim. Pavarësia e Kosovës ishte çlirim nga Serbia, jo nga Shqipëria.

Unë jam duke punuar për të forcuar shtetësinë e Kosovës, duke e forcuar nga brenda përmes rritjes ekonomike dhe forcimit të demokracisë. Qytetarët duan një ekonomi të fortë me barazi sociale dhe një demokraci të qëndrueshme me institucione funksionale dhe ne punojmë ditë e natë për këtë.

Në Beograd shpesh thuhet se në fakt ju jeni një person që dëshiron të bashkojë të gjithë shqiptarët në një shtet dhe të krijojë një Shqipëri të Madhe, si e komentoni këtë?

Në Beograd flitet shumë për mua dhe për Kosovën, por asgjë për përgjegjësinë e Serbisë për provokimin e tri luftërave në Ballkan, për pranimin e fajit për gjenocidin në Bosnjë dhe Kosovë dhe për vazhdimin e sulmeve. Ne nuk kemi nisur asnjë luftë në Ballkan në emër të “Shqipërisë së Madhe”, përkundrazi kemi qenë të pushtuar dhe të shtypur vetëm se jemi shqiptarë. Është mirë që Serbia ta shohë veten në pasqyrë, e jo fqinjët me dylbi të ushtrisë.

A është real projekti i Shqipërisë së Madhe apo projekti i Serbisë së Madhe mund të realizohet më shpejt?

Janë pyetje me shprehje zbavitëse për të nxitur imagjinatën e populistëve për të prodhuar lajme që nuk u përshtaten interesave të qytetarëve apo agjendës sonë. E ardhmja jonë dhe e ardhmja e rajonit është brenda Bashkimit Evropian dhe NATO-s.

A mendoni se do të tërhiqen trupat amerikane, shumica e të cilave janë pjesë e KFOR-it?

Nuk mendoj se do të tërhiqen. Kosova duhet të përfshihet në Partneritetin për Paqe. Imagjinoni që nga viti 2006 është Serbia ajo që merr armë nga Rusia, Bjellorusia dhe Kina, dhe jo Kosova. Presidenti amerikan Joe Biden e ka rivendosur angazhimin e Shteteve të Bashkuara për rajonin dhe në samitin e NATO-s në Bruksel në qershor theksoi rolin jetik që NATO luan për aleancën transatlantike. Prania e trupave amerikane në Kosovë është një manifestim i përkushtimit të Shteteve të Bashkuara për Kosovën dhe sovranitetin e saj, por edhe për paqen në rajon dhe Evropë, si dhe në luftimin dhe parandalimin e përhapjes së faktorëve keqdashës të palëve të treta.

A do ta vizitoni Kroacinë dhe kur?

Fatkeqësisht hera e fundit që kam qenë në Kroaci ka qenë pas aksidentit tragjik të bashkatdhetarëve tanë në Slavonski Brod. Përkushtimi vetëmohues i institucioneve të vendit tuaj për të ofruar gjithë kujdesin e nevojshëm për bashkatdhetarët tanë ka prekur thellë zemrat tona. Nuk do ta harrojmë kurrë këtë akt humanizmi dhe solidariteti me tragjedinë tonë. Shpresoj të vizitoj Kroacinë në rrethana më të mira, gjatë vitit të ardhshëm.

-Advertisement-

Më shumë artikuj

- Advertisement -

Të fundit