Kryeministri Albin Kurti mori pjesë në akademinë përkujtimore për masakrën në Studime, ku 23 vjet më parë u vranë 116 civilë shqiptarë.
Në fjalën e tij para të pranishmëve, Kurti e përmendi edhe kryetarin e PDK’së, Memli Krasniqi, që ishte prezent po ashtu. Ndërsa tha se në momente si kjo na duhet të bëhemi bashkë, “prandaj këtu jam edhe unë, është edhe kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi”.
Duke bërë thirrje për bashkim në momente të tilla, Kurti tha se prandaj aty ishin ai dhe kryetari i PDK-së, si dhe deputetë e asamblistë të të gjitha partive politike.
“Në momente si kjo na duhet të bëhemi bashkë, prandaj këtu jam edhe unë, është edhe kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, janë edhe deputetët e asamblistët e të gjitha partive politike dhe së bashku duke përkujtuar martirët e dëshmorët, të shtrëngojmë fort dhimbjen që ndjejmë e të zotohemi dhe angazhohemi që të bëjmë më të mirën për të ardhmen e vendit tonë, të fëmijëve tanë, të gjeneratave që do të vijnë”, tha Kurti.
Njëjtë si Kurti edhe kryetari i PDK’së, Memli Krasniqi, theksuan mungesën e drejtësisë për viktimat.
Kjo është ndër herat e rralla që kryeministri Kurti dhe kryetari i PDK’së shihen së bashku.