Kreu i Qeverisë së Kosovës, Albin Kurti ka folur sot për gazetarët rreth takimit të 18 marsit që do të mbahet në Ohër.
Kurti ka thënë se do të vazhdojnë përgatitjet dhe sipas tij Aneksi i Implementimit duhet të jetë gjithëpërfshirës dhe efikas.
“Do të vazhdojmë përgatitjet për takimin e 18 marsit dhe të shohim se si do të mund t’ia bashkëngjisim propozimit edhe planin e mirëfilltë të zbatimit që duhet të karakterizohet nga gjithpërfshirja edhe efikasiteti”, ka thënë Kurit.
Ai tutje ka shtuar se ka qenë i gatshëm të nënshkruaj edhe më 27 shkurt në Bruksel por që Vuçiq s’kishte pranuar. Sipas kreut të ekzekutivit kosovar u bë dëm që s’pati nënshkrim të propozimit në Bruksel, dhe thotë se duhet pyetur të tjerët pse s’pati nënshkrime.
“Unë isha i gatshëm të nënshkruaj kur ishim në Bruksel, andaj ju e kuptoni që për marrëveshje duhen dy palë. Është dëm që teksti i dakorduar tashmë nuk është nënshkruar më 27 shkurt. Pse s’ka nënshkrime, besoj përgjigjen duhet ta kërkoni tek të tjerët”, ka theksuar Kurti.