13 C
Pristina
Thursday, May 9, 2024

Kurti: Grenelli si kauboj, marrëveshjet në Washington nuk vlejnë as sa çmimi i letrës ku shkruhen

Rekomandime

Më 2 shtator pala serbe dhe ajo kosovare do të takohen në Shtëpinë e Bardhë për negociatat Kosovë – Serbi.

- Advertisement -

Albin Kurti, kryetar i Lëvizjes Vetëvendosje, e ka ndërlidhur ftesën e emisarit special amerikan për dialogun Kosovë- Serbi me zgjedhjet presidenciale që do të mbahen në Amerikë.

Sipas Kurtit, ambasadori Grenell, për të cilin thotë se po sillet si “kauboj”, e do një sukses të orëve të fundit, para zgjedhjeve presidenciale në Amerikë.

“Në janar të këtij viti Grenell ndryshoi pozicionin e deriatëhershëm amerikan dhe braktisi të gjitha kërkesat ndaj Serbisë në raport me Kosovën. Grenell ia ka mësyrë kontestit Kosovë-Serbi si një cowboy i financave dhe medieve që nuk do t’ia dijë për historinë e shqiptarëve dhe vuajtjet e humbjet e Kosovës”, ka shkruar Kurti në Facebook.

- Advertisement -

Ai po ashtu shtoi se “ata që duan të shkojnë në Washington”, duke aluduar në kryeministrin Avdullah Hoti, nuk kanë legjitimitet dhe se marrëveshja eventuale që nënshkruhet atje nga “ata”, nuk do të vlejë “as sa çmimi i letrës”.

Postimi i plotë pa ndërhyrje:

- Advertisement -

Rreth 80 ditë kanë ngelur deri te zgjedhjet e reja në ShBA ku Presidenti Donald Trump përballet me kandidatin demokrat Joe Biden. Fushata atje po intensifikohet ende pa filluar zyrtarisht.

Në këtë kontekst duhet të shihet edhe 2 shtatori si datë e paralajmëruar e negociatave ndërmjet Kosovës e Serbisë në Washington D.C. Ish ambasadori amerikan në Berlin dhe ish u.d. i Drejtorit të Inteligjencës Nacionale, Richard Grenell, e do një sukses të orëve të fundit në politikën e jashtme. Ai pardje kritikoi z. Biden që “premton se problemet e botës do t’i bëjë përgjegjësi të ShBA-ve”, kurse sot vetë ai bëri thirrje për negociata midis Kosovës e Serbisë.

Grenell është i njëjti diplomat që thoshte se nuk ka parë e as diskutuar ndonjëherë për ‘shkëmbim territorial’. Pastaj akuzonte ish Këshilltarin e Sigurisë Nacionale, John Bolton, se ai paska qenë prapa këtij plani, ndërkaq ky i fundit u përgjigj duke thënë se atë e ka dëgjuar nga dy presidentët, të Kosovës e të Serbisë.

Në janar të këtij viti Grenell ndryshoi pozicionin e deriatëhershëm amerikan dhe braktisi të gjitha kërkesat ndaj Serbisë në raport me Kosovën. Grenell ia ka mësyrë kontestit Kosovë-Serbi si një cowboy i financave dhe medieve që nuk do t’ia dijë për historinë e shqiptarëve dhe vuajtjet e humbjet e Kosovës.

Në njoftimin e tij, Grenell tanimë nuk flet për dialog por për negociata. E, negociatat kanë për destinim kompromisin. Kushtetuta e Kosovës e ka përbrenda kompromisin e dhimbshëm të pakos së Ahtisaarit, ndërkaq Kushtetuta e Serbisë vazhdon synimet e Milosheviqit, duke theksuar qysh në fjalinë e dytë të saj se Kosova është pjesë integrale e Serbisë. Nuk mund të ketë as drejtësi e as dobi nga një qasje e tillë.

Prioritete të Kosovës duhet të jenë luftimi i pandemisë COVID-19, pra, dalja nga kriza shëndetësore; luftimi i krimit të organizuar e korrupsionit të lartë, pra drejtësia shtetërore; dhe, zhvillimi ekonomik e shoqëror, pra punësimi, sidomos i rinisë dhe grave. Qeveria aktuale e Kosovës po dështon në secilin rrafsh.

Sa i përket Serbisë, ne mund të dialogojmë si shtete fqinje, bazuar në parimin e reciprocitetit, dhe pas përgatitjeve të duhura e me transparencë të plotë.

Ata që nga Kosova po duan të shkojnë në këto negociata të thirrura për 2 shtator nuk kanë legjitimitet, kredibilitet, autoritet e as kompetencë. Rrjedhimisht, marrëveshjet e tyre janë të pazbatueshme, dhe, nuk vlejnë as sa çmimi i letrës ku shkruhen.

-Advertisement-

Më shumë artikuj

- Advertisement -

Të fundit