2.4 C
Pristina
Monday, December 23, 2024

Kurti ka takuar përfaqësuesit e bankave, jep një lajm për bizneset dhe pensionistët

Rekomandime

Kryeministri Albin Kurti njofton se sot ka takuar përfaqësuesit e të gjitha bankave në Kosovë. Pas takimit Kurti tregon se paratë e depozituara nga qytetarët janë të sigurta dhe se me përfaqësuesit e bankave ka folur për këstet mujore të kredive të bizneseve në vend.

- Advertisement -

Kryeministri ka publikuar tri pika të diskutimeve nga takimi që ai e ka pasur me përfaqësusit e bankave në vend, shkruan Gazeta Express.

Në një nga pikat që shefi i Qeverisë u pajtua me këtë përfaqësues, është që të ndihmohen bizneset, të cilat nuk arrijnë të paguajnë në kohë këstet kreditore, duke mos u llogaritur kamata ndëshkuese.

Po ashtu, Kurti tregon që kanë filluar përgatitjet për të evituar pritjet e pensionistëve për të marrë pensionet në banka, për shkak të rrezikut nga infektimi me virusin Covid-19.

- Advertisement -

Shkrimi i plotë i Kurtit:

Të nderuar qytetarë,

- Advertisement -

Sot, bashkë me ministrin për Financa dhe Transfere, z. Besnik Bislimi, zëvendësministrin z. Ilir Aliu dhe këshilltarin tim politik z. Milot Cakaj, takuam delegacionin e Shoqatës së Bankave të Kosovës, pjesë e së cilës ishin drejtoret ekzekutiv të të gjitha bankave komerciale në Kosovë. Takimi ishte i frytshëm dhe për këtë dua ta falënderoj secilin prej pjesëmarrësve. Unë i njoftova përfaqësuesit e bankave komerciale të Kosovës për situatën në të cilën ndodhemi pas shpalljes së gjendjes së emergjencës në tërë vendin dhe po ashtu shtjelluam edhe implikimet që dalin për sistemin financiar të vendit. Përfaqësuesit e bankave komerciale treguan gatishmëri maksimale që të bëhen partnerë në gjithë përpjekjet për tejkalimin sa më të shpejtë dhe efikas të gjendjes ekzistuese, dhe gjithashtu më njoftuan për veprimet që ata kanë ndërmarrë për të akomoduar vendimet e qeverisë në këtë drejtim.

Nga ky takim dolëm me këto porosi si për qytetarët ashtu edhe për komunitetin e biznesit:

1. Sistemi bankar i Kosovës ka likuiditet të mjaftueshëm dhe depozitat e qytetarëve janë të sigurta. Nuk ka pasur, nuk ka dhe nuk pritet të ketë asnjë kufizim në disponibilitetin e parasë së gatshme në ekonomi. Andaj qytetarët dhe depozituesit mund të jenë të qetë në këtë drejtim.

2. Përfaqësuesit e bankave komerciale në Kosovë janë të vetëdijshëm që brenda sektorëve të caktuar të ekonomisë, një numër biznesesh që përdorin instrumente financiare të sistemit bankar mund të përballen me vështirësi të përkohshme për mbulim të kësteve mujore të kredive. Bankat e vendit do ta trajtojnë me kujdes secilin rast dhe do të dalin në ndihmë bizneseve në vështirësi përmes trajtimit miqësor të vonesave eventuale, duke mos llogaritur asnjë kamatë ndëshkuese për vonesa. Kjo pastaj do të ruajë edhe rejtingun kreditor të bizneseve.

3. Ministria e Financave ka filluar punët për gjetjen e zgjidhjes për ekzekutim të parakohshëm të skemave pensionale dhe pastaj edhe atyre sociale, në mënyrë që të evitohen radhët e qytetarëve para sporteleve bankare. Duke qenë se skema pensionale shkon tek ato shtresa të qytetarëve tanë që janë mbi proporcionalisht të ekspozuar ndaj rrezikut të infektimit me virusin Corona, është SHUMË me rëndësi që të gjendet një modalitet që redukton në maksimum ekspozimin e të moshuarve. Këtu përfshihet kërkesa që sa më shumë përfitues të përdorin transferet elektronike bankare ose makinat automatike për tërheqjet e parave. Kurdo që është e mundur të shtyjnë tërheqjen deri në momentet më të përshtatshme.

Unë si Kryeministër do të jem në vazhdimësi i interesuar për zhvillimet edhe në sistemin bankar, për të siguruar që ky sistem të bëhet pjesë integrale e zgjidhjes së vështirësive nëpër të cilat po kalojmë këto ditë e këto javë.

-Advertisement-

Më shumë artikuj

- Advertisement -

Të fundit