5.8 C
Pristina
Friday, December 20, 2024

Kurti paralajmëron faturë për dëmet miliardëshe që Serbia i shkaktoi në Kosovë, flet Bashkimi Europian

Rekomandime

Të shpeshta janë intervistat për media të liderit të Lëvizjes Vetëvendosje nga e hëna e 7 tetorit. Albin Kurti dhe partia e tij, dolën forca e parë politike në Kosovë në zgjedhjet e parakohshme parlamentare të mbajtura më 6 tetor.Si kandidat potencial për kryeministër, Albin Kurti u pyet për shumë tema nga mediet vendase e ndërkombëtare. E njëra nga to ishte edhe ajo për të ardhmen e dialogut Kosovë- Serbi, i cili ndërmjetësohet nga Bashkimi Europian.Siç ka paralajmëruar Kurti, dialogun do ta udhëheq ai ndërsa edhe do bëjë hapin për heqjen e taksës 100 për qind ndaj mallrave serbe dhe të Bosnjë- Hercegovinës. Tarifën, kryetari i LVV-së ka premtuar se do ta zëvendësojë me reciprocitet të plotë ndaj shtetit serb.Duke folur për qasjen ndaj dialogut Kosovë- Serbi në një intervistë në emisionin “Real Story” në News24, Albin Kurti ka përmendur edhe borxhin, sipas tij, që Serbia i ka Kosovës nga lufta e fundit.“Marrëveshje gjithëpërfshirëse, prej borxhit që na e ka Serbia, edhe të sukcesionit të Jugosllavisë, edhe të reperacioneve të luftës e deri te njohja e Kosovës dhe ndryshimi i Kushtetutës së Serbisë. Me durim ua kemi shpjeguar të gjithë zyrtarëve (ndërkombëtarë), se për atë marrëveshje që po e kërkojnë me Serbinë, pakrahasimisht duhet të ndryshojë Serbia sesa Kosova”, ka deklaruar Albin Kurti.Ai ka numëruar të vrarët gjatë luftës, të dhunuarit e të zhdukurit në luftë. Sipas tij, ai në tryezën e bisedimeve do të ulet me një kërkesë për shtetin serb e jo me ndonjë ofertë për marrëveshje.“Oferta ime për Serbinë është kërkesa e borxhit që na e ka. Pra oferta ime është kërkesë. Do t’ia rendisim 10 mijë civilë të vrarë, 20 mijë gra e vajza të dhunuara, 1 mijë e 500 të pagjetur, 1 mijë e 200 artefakte të plaçkitura, depozitat bankare, fondin pensional edhe degët e ndërmarrjeve tona shoqërore që i kemi nëpër Serbi. Kjo është fatura e Serbisë, minimale. Ndoshta edhe Serbia ka faturë për neve, duhet t’ia shoh por unë nuk e kam ndërmend ta përfaqësoj askënd tjetër përveç Kosovës dhe shqiptarëve, prandaj unë kam kërkesa e jo oferta”, ka thënë tutje lideri i Lëvizjes Vetëvendosje.Për këtë, ai tha se do t’i njoftojë edhe ndërkombëtarët ndërsa deklaroi se kërkimin e borxhit ua ka obligim atyre që s’janë më, duke iu referuar viktimave të luftës së fundit.“Unë mendoj që Serbia na ka borxh dhe unë do ta kërkoj borxhin. Jam kryeministri i parë që zyrtarisht Serbisë do t’ia kërkoj borxhin dhe Brukselit, Uashingtonit, Nju Jorkut, Londrës, Parisit e Berlinit do të ua dërgoj CC kërkesën për të na e kthyer Serbia borxhin. Serbia na ka borxh miliarda, e kemi obligim ndaj dëshmorëve, martirëve, ndaj mbi 1 mijë fëmijëve të vrarë në këtë vend”, tha ai në “Real Story” të News24.KALLXO.com ka pyetur zëdhënësen e Bashkimit Europian, Maja Kocijançiç, mbi qëndrimin e BE-së mbi idetë e prezantuara të Albin Kurtit lidhur me dëmshpërblimet e luftës në tryezën e bisedimeve Kosovë- Serbi.Kocijançiç ka thënë shkurt se u takon palëve ta caktojnë agjendën e bisedimeve, pa dashur të jap komente më shumë.“BE lehtëson dialogun. Përmbajtja, propozimet që vijnë në tryezë dhe rendi i ditës u takojnë palëve”, ka thënë shkurt zëdhënësja e Bashkimit Evropian, Maja Kocijançiç për KALLXO.com.E ndaj deklarimeve të Kurtit për faturën e dëmeve ndaj Serbisë, ditë më parë gazeta serbe “Blic” shkroi një artikull të gjatë.Sipas kësaj gazete, kërkesa për dëmshpërblimin e luftës e përmendur nga lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, në drejtim të Beogradit, është arrogante dhe synim ka ndërprerjen e dialogut ende pa nisur ai.Madje, gazeta ka prezantuar edhe një shumë prej 22 miliardë eurove si parallogaritje e dëmeve të shkaktuara nga Serbia në Kosovë në luftën e fundit.Dialogu në mes Kosovës dhe Serbisë aktualisht është ndërprerë pas vendosjes së taksës 100 për qind ndaj mallrave serbe nga Qeveria e Ramush Haradinajt në fund të vitit 2018./kallxo.com

-Advertisement-

Më shumë artikuj

- Advertisement -

Të fundit