-0.3 C
Pristina
Tuesday, December 24, 2024

Kurti: Vuçiq reagoi me nervozizëm

Rekomandime

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se nuk e konsideron takim me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, pjesëmarrjen e përbashkët në një tryezë në Mynih.

Kurti tha për Radion Evropa e Lirë se nuk është takuar me Vuçiqin.

- Advertisement -

“Unë nuk jam takuar me Vuçiqin. Kemi qenë në një tryezë të rrumbullakët, ku kanë qenë të ftuar të gjithë udhëheqësit e Ballkanit Perëndimor”, tha Kurti, pas pjesëmarrjes në një diskutim mbi mundësitë për Ballkanin Perëndimor.

Ky diskutim u zhvillua në margjina të Forumit Ndërkombëtar të Sigurisë, i cili nisi punimet të premten në Mynih, me pjesëmarrjen e rreth 35 udhëheqësve të shteteve dhe qeverive.

I pyetur të komentojë debatin me dyer të mbyllura, për të cilin Vuçiq tha se ishte “i ashpër”, Kurti tha se nuk dëshiron të japë detaje, duke u thirrur në rregullat e organizatorit të panelit, që nuk lejojnë të bëhen publike pikëpamjet e pjesëmarrësve (Chatam House Rules).

- Advertisement -

Megjithatë, Kurti pranoi se ka pasur tensione në tryezën e rrumbullakët.

“Ai (Vuçiq) ndjeu shumë presion për shkak të asaj që thashë. Pastaj pasoi reagimi i tij me nervozizëm”, tha Kurti.

- Advertisement -

Vuçiq tha më herët se është takuar me Kurtin në Mynih dhe se takimi ka qenë “i ashpër”.

Duke folur për Radio-Televizionin e Serbisë, Vuçiq tha se ka luftuar për interesat e Serbisë.

Ai tha se nuk guxon të nxjerrë detaje nga debati i mbyllur, por deklaroi se “ka folur të vërtetën” dhe se ka mbrojtur popullin serb “në mënyrën më të mirë të mundshme”.

Vuçiq tha se e konsideron të rëndësishme të shikohen marrëdhëniet midis Kosovës dhe Shqipërisë, por edhe marrëdhëniet “brenda Prishtinës”.

Ai tha se i njeh mirë “politikanët nga Prishtina”, madje “edhe atë që ka qenë i panjohur për të”, duke aluduar në kryeministrin e Kosovës.

Diskutimi për Ballkanin Perëndimor në Mynih të Gjermanisë shënoi herën e parë të pjesëmarrjes së Kurtit dhe të Vuçiqit në të njëjtën tryezë.

Kurti ka marrë detyrën e kryeministrit para dhjetë ditësh.

Për të, kjo ka qenë edhe paraqitja e parë në skenën ndërkombëtare në rolin e kryeministrit.

Kosova dhe Serbia nënshkruajnë marrëveshje për hekurudha e autostrada
Të premten në Mynih, presidentët e Kosovës dhe Serbisë, Hashim Thaçi dhe Aleksandar Vuçiq, morën pjesën në ceremoninë e nënshkrimit të marrëveshjes për hekurudhat dhe autostradat, e cila u arrit me ndërmjetësimin e të dërguarit të Shtëpisë së Bardhë për dialogun Kosovë-Serbi, Richard Grenell.

Kjo marrëveshje më pas u kontestua nga Kurti, i cili përmes një postimi në Facebook tha se ajo është nënshkruar nga persona të paautorizuar.

-Advertisement-

Më shumë artikuj

- Advertisement -

Të fundit