1.7 C
Pristina
Thursday, December 26, 2024

Kuvendi i Shqiptarëve të Zvicrës, reagim kundër SPAR-it për heqjen e pijes me simbol shqiponje

Rekomandime

Ditë më parë, kompania e shitjes me pakicë “Spar” ka tërhequr nga raftet e saj pijen energjetike “ShqipKing”, të prodhuar dhe licencuar nga zvicerani Markus Brun. “Problemi” me këtë pije, sipas Spar, qëndron në “simbolikën e ndjeshme” të etiketës së saj, kur tregohet simboli i shqiponjës dykrenare.

Lidhur me këtë vendim ka reaguar edhe Kuvendi i Shqiptarëve të Zvicrës. Në vazhdim, teksti i plotë i reagimit.

- Advertisement -

Me shqetësim dhe moskuptim e kemi parë vendimin e SPAR Handels AG për të hequr nga asortimeti i tij produktin “Shqip King” me imazhin që tregon shqiponjën dykrenare shqiptare. SPAR Handels AG flet për shqiponjën dykrenare si një shenjë me “simbolikë delikate” që përmban “shumë potencial konfliktual”, thuhet në fillim të reagimit të Kuvendit Shqiptar të Zvicrës të bërë me këtë rast.

Kjo shenjë – duart e vendosura në formë të një shqiponje dykrenare – simbolizon shqiponjën e flamurit kombëtar shqiptar, simbolin e identitetit shqiptar, për shqiptarët në të gjithë botën.

Shqiponja dykrenare e formuar kështu me duar është një modë e brezit të lindur pas vitit 1990. Ajo nuk drejtohet kundër askujt, nuk është ofenduese dhe nuk duhet të perceptohet si e bezdisshme nga asnjë palë, thuhet në reagimin e kuvendit. Shumë më tepër se kaq, “shqiponja dykrenare që valvitet” është një gjest gëzimi, një formë përshëndetjeje, një shprehje dhe simbol i një pjese të identitetit shqiptar për Secondot, jo vetëm në Zvicër, por në të gjithë botën.

- Advertisement -

Çdo përpjekje për të problematizuar këtë simbol dhe për ta portretizuar atë si “të ndjeshëm”, ne e perceptojmë si një sulm ndaj identitetit tonë, kulturës dhe historisë sonë. Në thelb, me këta hapa të nxituar dhe të pamenduar mirë, SPAR Handels AG po kontribuon në formimin e opinionit publik që ky gjest të konsiderohet si diçka e keqe që duhet të ndalohet në hapësirën publike.

Në fakt, shqiponja dykrenare paraqitet (jo vetëm) në flamurin zyrtar të Shqipërisë. Ky flamur ose simbol përdoret së bashku me 192 flamuj të tjerë të shteteve të tjerë të njohur përpara Selisë së Kombeve të Bashkuara në New York dhe Gjenevë.

- Advertisement -

Edhe përkundër vullnetit tonë maksimal, nuk mund ta kuptojmë pse imitimi i shqiponjës dykrenare me duar të palosura duhet të jetë “e ndieshme” dhe të ketë “shumë potenciale për konflikt”.

Mësuam nga mediat se SPAR Handels AG vendimin e ka bazuar kryesisht në një letër nga një punonjëse në degën e saj në Gossau, e cila me sa duket ishte e shqetësuar nga ky simbol. Ne nuk e dimë kush është punonjësja dhe cilat ishin motivet e saj.

Por të ndjehesh i shqetësuar nga simbolika e një identiteti tjetër është një shenjë e raciizmit dhe intolerancës ndaj njerëzve me origjinë tjetër.

Rreth 300.000 shqiptarë jetojnë në Zvicër. Disa prej tyre janë sigurisht punonjës të vlerësuar të SPAR Handels AG dhe kontribuojnë në suksesin e tij.

Komuniteti shqiptar në Zvicër ndihet thellësisht i prekur dhe i ofenduar nga arsyet e dhëna për vendimin e përmendur. SPAR Handels AG duhet t`i kërkojë komunitetit shqiptar në Zvicër falje publike.

Të flasësh për “simbolikë delikate” ose “një gjest të interpretueshëm negativisht” të shqiponjës dykrenare dhe ta vendosësh këtë në plan të parë të vendimmarrjes tënde është thjesht e papranueshme.

Kuvendi Shqiptar i Zvicrës do të ndjekë zhvillimet mbi këtë çështje dhe do të veprojë në përputhje me rrethanat, thuhet në fund të reagimit të KSHZ.

-Advertisement-

Më shumë artikuj

- Advertisement -

Të fundit