-0.1 C
Pristina
Tuesday, December 24, 2024

Ky është vendi i Kosovës, ku njerëzit shkojnë për të kërkuar shërim nga kanceri

Rekomandime

Sipas njohësve të shëndetësisë, ndotja e ajrit është njëri ndër shkaktarët kryesorë të kancerit. Obiliqi gjithashtu njihet si ndotësi më i madh në Kosovë. Bahrie Konjuhi nga Obiliqi është njëra ndër të prekurat nga kjo sëmundje. Ajo përveç terapisë që ia ka përshkruar mjeku, ka vizituar edhe Prevallën si vend i shërimit të shumë sëmundjeve.

Pishat e Prevallës njihen si vend për luftim të kancerit në Kosovë. Atje, ata që janë në betejë më sëmundjen e keqe qëndrojnë nga 21 ditë.

- Advertisement -

E tillë është edhe Bahrie Konjuhi nga Komuna e Obiliqit. 3 muaj më parë ajo u diagnostikua me kancer në mushkëri.

Ajo në malet e Prevallës ka qëndruar bashkë me bashkëshortin, i cili vuan nga bronhiti.

“Në Prevallë është hera e parë që jam. Por për neve të sëmurëve do të ishte mirë që të na lehtësonin në pagesa. E kisha lut shtetit që për personat e sëmurë të paktën fjetjen me na largu. Sepse unë personalisht për shëndet, do të vija këtu 2 herë në vit. Ajri i mirë shumë po na pëlqen. Me të gjitha të mirat, por të jem korrekte shteti duhet të na ndihmojë pak. Fundi i fundit për shëndetin tim bëjnë të gjithë fëmijët e të afërmit e mi, nuk dua t’i zhgënjej e dua të jetoj edhe ndonjë ditë”, ka thënë ajo.

- Advertisement -

Konjuhi ka thënë se sado që fillimet i kishte të vështira, mbështetja e familjarëve e ka forcuar më shumë si person për ta luftuar sëmundjen.

“Bëra disa analiza, por në atë të fundit rezultova me kancer në mushkri. E kam pasur një parandjenjë, por nuk kam dashur ta pranoj. Kanë ardhur familjarët në spital dhe mjekët më thanë se e ke një ftohje, por kur kam shkuar në shtëpi ju kam thënë mos i tregoni tjetërkujt se unë atë e di. Fëmijët më kanë thënë se pasi po e di bëhu e fortë, por u thashë se unë e fortë do të jem vetëm t’ju kam juve mirë e shëndosh dhe ju jeni shërimi im”, ka thënë tutje ajo.

- Advertisement -

Muharremi pret që ajri t’ju ndihmojë të dyve në shëndet, derisa do të qëndrojnë më shumë se 1 javë. Ka thënë se do të kthehej prapë nëse këtë do t’ia lejonte “xhepi”.

“Këtu ajri është i mirë, shëtitje po bëjmë nga pak sa po mundemi me ec. Gjithçka është mirë, e mendojmë që të vijmë këtu edhe herëve të tjera nëse na premton xhepi. Të dy jemi të sëmurë, unë me bronhitis, kjo me kancer. E kisha lut shtetit që të na ndihmojë sado pak, edhe pse fëmijët dhe të afërmit po na ndihmojnë dhe jam shumë falënderues ndaj tyre”, ka deklaruar ai.

Këtë vend në Prevallë e kanë rekomanduar edhe mjekët vendës. Pulmologu Besim Morina ka thënë se Prevalla është vendi adekuat ku pacientët mund të gjejnë rehabilitimin nga sëmundja.

“Ne kemi vende të pakta në Kosovë ku mund të shkojmë për rekreacion, sidomos rreth Prishtinës, kështu që shumë persona e preferojnë Prevallën dhe pjesë nga Brezovica, si dhe pjesën e Rugovës. Ata qëndrojnë për ditë të tëra për rehabilitim, shumë prej tyre kanë pasur një përmirësim të gjendjes shëndetësore, sidomos ata me bronhit. Shumë prej pacientëve ua zvogëlojmë terapinë për shkak të përmirësimit të tyre shëndetësor. Ne i rekomandojmë këto vende, por jo të gjithë kanë mundësi të shkojnë pasi që jo të gjithë i kanë mundësitë të shkojnë pasi që kushton”, ka thënë Morina.

Lul Pernrecaj thotë se qëndrimi prej 20 ditësh në Prevallë ia ka përmirësuar shëndetin. Ai mori rrugë nga Gjermania vetëm për shëndetin e tij.

“Unë jetoj në Gjermani dhe doktori më ka thënë se kam mungesë të rruazave të kuqe të gjakut. Dhe me anë të këtij vendi që kam qëndruar për 20 ditë jam shëruar. Brenda ditës në këto male po eci 7-8 orë, vetëm Prevalla e shëndoshë njeriun kudo në botë të shkosh”, ka thënë Pernrecaj.

Banori nga Prevalla, Bajro Bajrami, ka deklaruar se Prevallën e vizitojnë mijëra persona, ndër ta më së shumti të prekurit nga kanceri.

“Këtu jam lind, këtu po jetoj. Për shkak të 3 rrymave të ajrit ky vend shëron shumë sëmundje, sikurse rruazat e gjakut, problemet me frymëmarrje, kancer etj. Deri tash, sa kam biseduar me persona që e vizitojnë Prevallën, kanë thënë se janë shëruar”, ka thënë Bajrami.

Bajrimi ka thënë se shërimi në Prevallë nuk zgjat vetëm 21 ditë.

“Supozohet që 21 ditë duhet të qëndrosh për t’u shëruar, por me sa e di unë kjo varet krejt prej buxhetit të personave. Në Prevallë mund të qëndrosh në vikend, 10 ditë, por edhe më shumë. Sa më shumë të qëndrosh në këtë natyrë, më mirë është për shëndetin”, ka shtuar ai.

Është cilësia e ajrit në Obiliq që bën që banorët e tij të jenë më të rrezikuarit nga kanceri. Sipas pulmologut, ndotja e ajrit në Obiliq ka rritur numrin e pacientëve me sëmundje respiratore.

“Për fat të keq ne kemi mungesë të statistikave të sakta. Megjithatë ne kemi një numër të madh të pacientëve nga komunat që janë më të prekurat me ndotje të ambientit. E sidomos nga Obiliqi kemi numër të madh të pacientëve që janë të prekur me sëmundjet respirative”, ka thënë pulmologu Morina. “Në Pulmologji dominon kanceri i mushkërive, i cili është ndër kanceret më të rralla dhe më vdekjeprurëse dhe ketë lloj të sëmundjes e shkaktojnë vendet më të ndotura, si dhe pirja e duhanit. Të jetosh në vendet e ndotura rreziku nga kanceri është më i madh sesa ata që jetojnë në vendet me ajër të pastër”.

Ushtruesi i detyrës së drejtorit në Klinikën e Onkologjisë, Arben Bislimi, ka thënë se gjatë këtij viti numri total i rasteve të reja me kancer ishte 1334, ndërsa në vitin e kaluar ishin 1626 të prekur nga kjo sëmundje.

-Advertisement-

Më shumë artikuj

- Advertisement -

Të fundit