1.5 C
Pristina
Tuesday, December 17, 2024

Lajthitje e Tiranës: “Mini Shengeni” do shpëtojë shqiptarët nga kurthi i historisë

Rekomandime

NGA SHABAN MURATI

Thagma më e re e absurdit qeveritar shqiptar u dëgjua në takimin e qeverive të Shqipërisë dhe të Kosovës në Tiranë në 2 tetor, ku në hartimin kryeministror të mikpritësit u shpall se “mini Shengeni” serb do të shpëtojë shqiptarët nga kurthi i historisë.

Për levantinët kozmopolitë të qeverisë së Tiranës quhet “kurth i historisë” kërkesa e shqiptarëve për njohjen nga Serbia të shtetit të pavarur të Kosovës, kërkesa për dënimin e Serbisë për spastrimin etnik dhe gjenocidin e ushtruar në Kosovë, mbrojtja e integritetit territorial të Kosovës, reparacionet për agresionin serb në Kosovë, kërkesa për marrëdhënie vëllazërore dhe kufij të hapur pa policë e pa dogana me Shqipërinë, dëshira për bashkimin e Kosovës me Shqipërinë, etj.

- Advertisement -

Dhe që budallallëku qeveritar të thyejë rekorde, u deklarua në mes të Tiranës se “mini Shengeni” serb do të bëjë atë që nuk e bëri dot presidenti amerikan Trump në 4 shtator, dhe as udhëheqja e BE në Bruksel në 10 shtator, se do të na çojë drejt njohjes përfundimtare të Kosovës nga Serbia.

Përçartja në nivelin më të lartë qeveritar kulmoi me teorinë e re që shqiptarët do të arrijnë bashkimin midis tyre vetëm në “mini Shengenin” serb, që don të thotë kur të bashkohen si dy republika jugosllave.

Si nuk u ndodh dikush në sallë t’i kujtonte propagandistit më entuziast ballkanik të “mini Shengenit” serb se Kosova dhe katër shtete ish-jugosllave të Ballkanit Perëndimor e kanë provuar “mini Shengenin” në Federatën komuniste Jugosllave, ku i kanë patur katër liritë e famshme, që po shiten tani si zbritje në tokë e parajsës ballkanike.

- Advertisement -

Anëtari i ri Shqipëria, që me dajre e me lodër u bashkua me “mini Shengenin” jugosllav të Serbisë, më kot shtiret sikur kur nuk e din se ku po e fut kryet. Dikush nga fjalimshkruesit e tij patetikë duhet t’i kujtojë kryeministrit shqiptar deklaratën e presidentit të sapo zgjedhur serb Vuçiç në 6 prill 2017, kur i shpalli shtypit amerikan se projekti i tij i zonës ekonomike të përbashkët “është Jugosllavia e vjetër, plus Shqipërinë”.

Kur Beogradi në 1946 i diktoi Shqipërisë nënshkrimin e marrëveshjes skllavëruese të zonës ekonomike të përbashkët, të monedhës së përbashkët, të doganave të përbashkëta, të lirisë së forcës puntore, etj., pra projektin parardhës të “mini Shengenit”, që e bënte Shqipërinë Republikë të Shtatë të tij, e argumentoi me zbatimin e internacionalizmit ideologjik komunist.

- Advertisement -

Fjalori infantil komunist për projektet serbo-shqiptare, që sjellin lumturinë e fëmijve të fëmijve, dëgjohet sot në 2020 në Tiranë në megafonin qeveritar, njësoj si në 1946.

Por në 2 tetor 2020 kryeministri i Shqipërisë ka shpikur një argument që të le pa frymë për tejkalimin e kufijve të absurdit.

Në fjalimin e tij ai i tha qeverisë së Kosovës se duhet të hyjmë dhe të besojmë në “mini Shengenin” serb se jemi më të vegjël se Serbia.

Nuk mund të ketë portret më fyes të mentalitetit të rajait, ku po e katandis Tirana rolin dhe vendin e faktorit shqiptar dhe të dy shteteve shqiptare në rajon.

Gremisja kombëtare ka rritur shpejtësinë dhe kombi vrapon drejt kurthit të hegjemonisë së Serbisë, që është kurthi real i historisë, nga i cili duhet të shpëtojë.

-Advertisement-

Më shumë artikuj

- Advertisement -

Të fundit