4.1 C
Pristina
Monday, December 23, 2024

Liburn Aliu: Shpresoj që Shqiprim Arifi të komunikojë me Tiranën e Prishtinën ashtu si me Beogradin

Rekomandime

Ministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu i ka hedhur poshtë akuzat e Shqiprim Arifit se ka ndërhyrë në skenën politike atje në orët e fundit për të mos lejuar shkarkimin e kryetares e kësaj komune, Ardita Sinani.

Aliu ka thënë se qysh para zgjedhjeve parlamentare të Serbisë si Qeveri e Kosovës kanë bërë përpjekeje që t’i bindin subjektet politike në Luginën e Preshevës që të futen në një listë të përbashkët në zgjedhje, por nuk ia kanë arritur qëllimit si pasojë e mosbashkëpunimit nga Shqiprim Arifi.

- Advertisement -

“Aso kohe subjektet politike atje vetëm se u patën ndarë në dy lista dhe ideja ishte që ata të pajtohen dhe të futen në një listë të përbashkët, e ku një ndër problemet kishte qenë numri një në listë. Në atë kohë i patëm ftuar të gjithë krerët e subjekteve poltike. Shqiprim Arifi s’kishte ardhur në takim por më pas kemi biseduar në telefon me idenë që të krijohet lista e përbashkët, e ku pastaj mbase Arifi do të shkonte i pari në listë, e ku dukej se kishte gatishmëri nga Shaip Kamberi, por mungonte gatishmëria e Shqiprim Arifit”, ka thënë Aliu.

Ai ka thënë se kjo përçarje i kushtoi shumë të gjithë shqiptarëve të Luginës, pasi nuk arritën të marrin asnjë vend në Parlamentin e Serbisë.

“Kjo është jashtëzakonisht e dëmshme sepse Serbia është shumë agresive. Ajo vazhdon t’i mbajë bazat ushtarake të drejtuara nga Kosova. Vazhdon t’i pasovizojë adresat e shqiptarëve dhe si rrjedhojë gjithnjë e më pak shqiptarë ka në Preshevë, Bujanoc e Medvegjë. Duke pasur parasysh situatën aktuale është jashtëzakonisht e rëndësishme që spektri politik në Luginë të jetë sa më unik dhe në komunikim me Qeveritë në Kosovë dhe Shqipëri”, ka shtuar Aliu.

- Advertisement -

Shkarkimin e sotëm të kryetares së deritashme të komunës së Preshevës, Ardita Sinani dhe zgjedhjen e Shqiprim Arifit në këtë pozitë, ai e ka vlerësuar si një hap jo të mirë.

“Është dashur të priten zgjedhjet. Rezultati i zgjedhjeve parlamentare tregoi se Arifi nuk doli mirë, pra pse i kanë numrat në Kuvendin komunal nuk do të thotë se kjo do të duhej të bëhej, sidomos tani kur kryetarja Ardita Sinani arriti të krijojë një ambient mjaft të mirë, të krijojë kontakte të mira me Qeveritë në Prishtinë dhe Tiranë dhe të sensibilizojë çështjen e Luginës së Preshevës gjithandej”, ka theksuar tutje Aliu.

- Advertisement -

Ai ka theksuar në një intervistë në RTK, se deri më tash ka munguar gatishmëria e Shqiprim Arifit për të bashkëpunuar me institucionet e Kosovës, por shpreson që në të ardhmen të ndryshojnë gjërat.

“Uroj që Shqiprim Arifi të fillojë komunikimin tash e tutje, sepse deri tash ka munguar fare, gjë e cila na ka brengosur shumë. Ky komunikim nuk ka munguar me Beogradin, por me Prishtinën e Tiranën ka munguar jashtëzakonisht shumë”, ka nënvizuar Aliu.

Shqiprim Arifi nga Alternativa për Ndryshim është zgjedhur sot kryetar i ri i Preshevës, pas shkarkimit të kryetares së deritanishme të kësaj komune, Ardita Sinanit, në një seancë të jashtëzakonshme të Kuvendit Komunal. Arifi ka marrë besimin e 20 këshilltarëve komunalë të Preshevës.

-Advertisement-

Më shumë artikuj

- Advertisement -

Të fundit