Liderja e opozitës në Bjellorusi, Sviatlana Tsikhanouskaya, është takuar sot me Kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, takim ky i pari në mes tyre.
Përmes një postimi në Twitter, Tsikhanouskaya tha se ndjeu një lidhje me Kurtin, pasi, siç tha ajo, ashtu si bashkëshorti i saj, ai u dënua me burg për mbrojtjen e demokracisë.
“Takimi ynë i parë personal – dhe ndjeva një lidhje me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti. Ashtu si bashkëshorti im Siarhei, ai u dënua me vite burg për mbrojtjen e demokracisë 20 vjet më parë”, ka shruar Tsikhanouskaya në Twitter.
Ajo e ka falënderuar Kosovën që iu bashkua sanksioneve ndërkombëtare kundër Bjellorusisë, duke shtuar se bjellorusët e vlerësojnë një solidaritet të tillë.
Kurti e vlerësoi guximin dhe angazhimin e Tsikhanouskaya për një Bjellorusi demokratike. Ai tha se me vendosmërinë dhe përkushtimin e saj, ajo ka fituar mbështetjen e demokracive botërore.