-2 C
Pristina
Sunday, December 22, 2024

Manipulimet serbe me Gorën. Heshtja e shqiptarëve

Rekomandime

Shkruan: Bedri HALIMI

- Advertisement -

Në vitin 1999, në Beograd, nga Shtëpia Botuese “INTER JU PRESS” është botuar libri me titull “Gora i Goranci” nga autori, Behadin Ahmetovic. Emri i Behadin Ahmetoviçit është i njohur jo vetëm në komunën e Dragashit e trevën e Gorës. Ky emër është i njohur në tërë Kosovën për qëndrimet antishqiptare dhe pro-serbe.

Ky emër është i njohur edhe në Serbi për lojalitetin Serb të këtij njeriu. Pas veprimeve të tij të shumta antishqiptare, dhe pas deklarimeve të tij proserbe, ky njeri tani na del edhe si “Naucnik” pra njeri që pretendon të merret me punë shkencore.

Dhe mund të merret me mend kur një njeri i politikës serbe në Komunën e Dragashit ku ishte në disa funksione udhëheqëse deri dhe drejtor i Organizatës “Sharrproizvod” i jep vetes të drejtë të merret me shkencë, madje me shkencën e historisë, në një lëmi që nuk e njeh fare. Ky autor, sikur edhe ndonjë tjetër, pranon të bëhet zëdhënës i politikes serbe në këtë hapësirë jugore të Kosovës. Por të shohim se çka përmban libri i Behadin Ahmetoviçt, për të cilin po bëjmë fjalë.

- Advertisement -

Që në fillim, ky autor, pasi përmend madhësinë gjeografike të trevës së Gorës, dëshiron të na mësojë se “kjo trevë ka qenë e banuar me popullatë sllave”.

Natyrisht pa dhënë asnjë argument, por duke ripërsëritur qëndrimet e ndonjë historiani serb, e duke deklaruar: “Këtu duhet theksuar se asnjë nga popujt sllavë përpos serbëve nuk ka jetuar në këto hapësira”, për të vazhduar pastaj me “Mbishkrimet kishtare dhe ndonjë kishë, kishëz apo mbishkrime të varreve. . . ”, dhe si argumente për këto, thërret në ndihmë emrin e diplomatit dhe konsullit rus Ivan Stepanovic Jastrebov, i cili në mesin e shekullit të kaluar ka shënuar se ekzistojnë gërrmadha të shumë objekteve dhe vendbanimeve ortodokse. Janë të njohura qëndrimet antishkencore e antishqiptare të Jastrebovit në historiografinë shqiptare.

- Advertisement -

Pastaj në ndihmë të qëllimit të tij thërret edhe të kaluarën si dhe të tashmen duke potencuar se “banorët e Gorës vërtetojnë thellë në vete se i kanë ruajtur zakonet sllave pagane…” duke përmendur kështu festat si, Shëngjergjin, Bozhiqin etj. Pra në këtë rast, çështjet e etnokulturës të popullatës së Gorës, Behadin Ahmetoviçi, i sllavizon ose më qartë i serbizon qëllimshëm, duke mos ditur se çështjet e kulturës pagane te Shqiptarët kanë ekzistuar dhe ekzistojnë edhe sot e kësaj dite. Por Behadin Ahmetoviçi nuk ndalet me kaq. Prezencën e festave pagane në trevën e Gores, ai e cilëson si ruajtje të traditës sllave “duke refuzuar çdo ndryshim dhe ndikim të gjallesës jo – sllave i cili ka mundur që të ngulfas frymën sllave në ta, dhe t`i fshijë përgjithmonë nga historia e goranëve si etnikum specifik sllav. Nga fshatrat e përmendura, disa janë zhdukur nga kolonizimi i shqiptarëve në periudhën turke, kështu që ndonjë nga këta e ka humbur gjuhën gorane”. . . për të konkluduar se “Goranët nga të gjithë popujt sllavë, respektivisht sllavët e jugut, më së shumti autoktoni sllave dhe origjinalitet, gjuhë dhe zakone të kulturës i kanë ruajtur”. Është e lehtë të konkludohet për qëllime politike, por është e vështirë të arsyetohet për qëllime shkencore qasja e Behadin Ahmetoviçit. Në këtë rast, Behadin Ahmetoviçt nuk i interesojnë ngjashmëritë e etnokulturës mes popullates së Opojës dhe Gorës, sepse ky si “shkencëtar serb” që e quan veten, së pari nuk ka lidhje me etnokulturën gorane në veçanti, e më së paku më etnokulturën në përgjithësi.

Pranimin e Islamit nga popullata e Gorës, Behadin Ahmetoviçi e interpreton sipas politikave të interesave ditore duke potencuar se “procesi i islamizimit ka mundësuar shpërnguljen e popullatës jo – sllave. Në shekullin e 17 – të, Gorën e përfshin procesi i islamizimit, e kësaj të keqeje i’u bashkangjitur edhe sëmundja e kolerës, çka mundësoi zvogëlimin e numrit të banorëve me prejardhje serbe”. Pra çështjen e islamizimit të banorëve, Behadin Ahmetovici e orienton si veprim kundër popullatës serbe, duke krijuar bindjen kështu gjoja se në këtë hapësirë paskëshin jetuar serbë. Madje edhe pranimin e Islamit nga popullata e Gorës, Ahmetoviçi e arsyeton si mbrojtje ndaj të këqijave turke dhe shqiptare që i paskëshin ardhë kësaj popullate nga Gora, duke mos sjellë asnjë argument të vetëm. Më tej Ahmetoviçi mundohet ta përgjithsojë veprimin individual të ndonjë keqbërësi, siç potencon – nga Luma, me qëllim për të ngjallur urrejtje edhe të kohës së tashme. Në jo pak raste, shumë autorë serbë, janë munduar që të bëjnë propagandën gjoja për zullumin shqiptar që i paskëshin bërë popullatës muslimane të Gorës.

Sikur gjërat që i potencon Behadin Ahmetoviçi, apo më saktë që ripërtyp konkludimet e autorëve të ndryshëm serbë, të supozojmë se janë të vërteta, atëherë lind pyetja: pse pas ri-okupimit të Kosovës me 1912 nga Serbia, nuk u bë procesi i rikthimit të popullatës gorane në ortodokse ? Madje edhe vetë Behadin Ahmetoviç e pranon se “kur Kosova dhe Metohija janë çliruar nga turqit, nuk janë kthyer në fenë e parë ortodokse, kur kjo gjë u është ofruar nga ana e udhëheqjes së Mbretërisë Serbe”. Këtu egzistojnë dy arsye sipas Ahmetoviçit. E para qenka se Mbretëria Serbe qenka e detyruar që këtë gjë të mos e bëjë nga presioni i Bashkësisë Ndërkombëtare, duke theksuar se 9 fshatra gorane i janë bashkuar më 1913 shtetit Shqiptar. Dhe e dyta sipas Ahmetoviçit qenka se “goranët tashmë janë gjendur të rrethuar nga Shqiptarët të cilët në këto hapësira, dhunshëm kanë ardhur në kohën e sundimit Turk, të cilët e kanë pranuar Islamin”. Kujt don t’ia shet këtë gjë të bluar kaq trashë Behadin Ahmetoviç? Konkludime të tilla anti – shkencore nuk ka bluar madje as Akademia Serbe. Nëse 9 fshatra i qenkan bashkangjitur Shqipërisë, atëherë përse banorët e 18 fshatrave në pjesën ë Gores së Dragashit, dhe 2 fshatra në pjesën e Maqedonisë nuk janë rikthyer në ortodoksizëm? E këtij konkludimi komik, për çudi me një fjali i përgjigjet vet Behadin Ahmetoviçi duke potencuar: “Është e njohur se goranët si ortodoksë të fundit e kanë pranuar Islamin, dhe është e çuditshme pse nuk u janë rikthyer fesë së tyre”. Çka t`i themi këtij konstatimi të vetë Behadin Ahmetoviçit?

Por Ahmetoviç, në pamundësi për të dhënë përgjigje në gjërat që pretendon, e madje edhe për të konkluduar gjëra që janë në kundërshtim me vetë deklarimet e tij, antishqiptarizmin e tij shpirtëror ai nuk e fsheh as në këtë të ashtuquajtur libër shkencor. Kështu ai potencon se gjatë bisedës që paska bërë me disa qytetarë nga Gora, i paskëshin deklaruar se “pas Luftës së Dytë Botërore disa goranëve mbiemrave të tyre u janë hequr prapashtesat –iç dhe kjo qëllimisht është bërë në favor të politikës separatiste shqiptare, në favor të albanizimit të goranëve”. Një gjë të tillë, autori qëllimisht e politizon, duke ia mveshur shqiptarëve sikur vërtetë është kështu. Behadin Ahmetoviç ose nuk e di, ose nuk do ta pranojë se edhe mbiemrave të shqiptarëve, nga Mbretëria Jugosllave, dhunshëm u është shtuar prapashtesa –viç. E dihet mirëfilli se si te emrat, poashtu edhe te mbiemrat, ka ngjashmëri të madhe te popullata e Opojës dhe e Gorës. Prandaj fatin e njëjtë të vendosjes së prapashtesave në mbiemra nga ana e shtetit serb, e kanë përjetuar edhe popullata e Gorës, deshi apo nuk deshi që ta pranojë këtë Behadin Ahmetoviçi. Është e qartë se Behadin Ahmetoviçi në këtë gjë, ndoshta është nisur nga shembulli i tij personal, ku mbiemrit të tij nga Ahmeti ia ka shtuar prapashtesën duke e shndërruar në Ahmetoviç. Dhe këtë veprim e ka bërë në kohën e Millosheviçit. Kush ia ndaloi Behadin Ahmetoviçit që ta ndërronte mbiemrin gjatë kohës së monizmit, kur ky ka qenë i involvuar në strukturat politike dhe jo vetëm politike në kohën e monizmit ? Dhe jo vetëm kaq ! Përse popullata e gjerë nga Gora nuk i ndërruan mbiemrat ashtu siç bëri Behadin Ahmetoviçi? Madje këtë veprim ata nuk e bënë as në kohën e Millosheviqit. Por Behadin Ahmetoviçi qëllimin e ka gjetkë, te instrumentalizimi i tij për ta bërë çdo gjë serbe në trevën e Gorës. E vërteta nuk mund të varroset kurrë nga askush, dhe më së paku nga tipat si Behadin Ahmetoviçi.

Në vazhdim Behadin Ahmetoviçi në këtë të ashtuquajtur libër, e që më shumë i ngjan një pamfleti politiko – propagandistik, shkruan për gjenezën e identitetit të goranëve. Kështu ai në funksion të qëllimit të tij, thërret në ndihmë citate të autorëve serbë si në këtë rast, citatin nga Dr. Antonieviç, duke shkëputur një punim i tij me titull “Identiteti i Goranëve”, botuar nga Akademia Serbe e Arteve dhe e Shkencave, dhe duke e lexuar në Konferencën Ndërkombëtare “Pozita e pakicave në lidhjen e Republikave të Jugosllavisë”, Beograd, 1995, ku thotë : “Goranët përbëjnë një sistem etno – demografik relativisht homogjen. . . nga rezulton si një identitet etnik i veçantë, si fillim i formimit të grupës etnike gorane”. Gjithashtu përdor edhe citate nga Dr. Milovan Radovanoviç, Dr. Dragoslav Antonieviç e ndonjë tjetër. Pra, ky autor, mundohet që fillimisht të sjellë ndonjë citat të përgjithësuar dhe të pranueshëm për të dalë te qëllimi i tij, për vënien e çdo gjëje në interes të Serbisë. ”Nga këtu, grupa etnike gorane sipas etnitetit kulturor dhe etno – psikologjik dallon rrënjësisht nga të gjitha popullatat muslimane të tjera në vendet e ish-RSFJ, dhe posaçërisht nga shqiptarët musliman”. Pra siç shihet në këtë rast Behadin Ahmetoviçi i jep vetes të drejtë të gjykoj edhe në aspektin etnopsikologjik duke potencuar gjoja dallimin e popullatës muslimane të Gorës nga popullatat e tjera muslimane në ish RSFJ dhe me theks të veçantë nga shqiptarët. Pse e bën këtë Ahmetoviçi? A ka nevojë për koment? Pra, Ahmetoviç jo vetëm në aspektin kulturor por edhe në atë etnopsikologjik don të gjejë dallime me popullatën muslimane të Gorës. Por çuditërisht nuk e flet asnjë fjalë për dallime të popullatës së Gorës me popullatën serbe. Përkundrazi, mundohet çdo gjë ta relativizoj dhe ta bashkoj për ta konsideruar të njëjtë.

Prandaj Ahmetoviç më tej deklaron: “Gora dhe grupa etnike gorane paraqesin tampon zonë mes Shqipërisë (rrethi i Lumës), Maqedonisë dhe enklavës shqiptare në Opojë. Me krenari theksojnë se ata janë mbrojtësit e kësaj pjese kufitare të Republikës së Serbisë”. Me këtë konkludim, Ahmetoviç, pa dashje e sqaron vetë çdo gjë. Madje edhe qëllimin e botimit të këtij libri. Nevoja për një tampon zonë mes shqiptarëve dhe Serbisë, i duhet Serbisë, por meqë këtë nuk e ka Serbia, ëndërron që ta përdorë për këtë qëllim popullatën muslimane të Gorës. Në funksion të këtij qëllimi, është vënë edhe Behadin Ahmetoviç përmes të gjitha formave të veprimit. Dhe sërish Ahmetoviç klith duke thënë se, “goranët sipas substratit etno – kulturor të tyre, dhe sipas etnogjenezës, në aspektin e identitetit etnik, rrënjësisht dallojnë nga shqiptarët”. Në këtë rast, edhe lexuesi i rëndomtë do të pyeste se ku i sheh këto dallime Ahmetoviç mes muslimanëve shqiptarë dhe muslimanëve të Gorës, në aspektet për të cilat ai i jep vetes kompetencë që të flasë.
Me qëllim të vënies në funksion të shtetit serb, dhe manipulimit të popullatës së trevës së Gorës, Ahmetoviç nuk e lë të qetë këtë popullatë që të sillet në mënyrë njerëzore sipas normave të civilizimit botëror, prandaj përmes dredhisë konkludon se “sjellja e grupit etnik goran ka treguar një nivel të lartë të autonomisë edhe nën situatat historiko – politike shumë të papërshtatshme. Kjo ka bërë që etniteti etno – kulturor goran, definitivisht të sublimohet në kategori të veçantë të grupit etnik për të cilën dëshmon edhe deklarimi i goranëve për përkatësinë nacionale dhe gjuhën amtare gjatë regjistrimit të popullsisë më 1991”. Edhe në këtë rast shihet se Behadin Ahmetoviç ka frikë nga vet përkatësia fetare dhe deklarimi nacional i popullatës gorane më 1991. Ai do të dëshironte shumë që deklarimin nacional ta bënin sipas interesave serbe dhe interesit personal të tij. Pra Behadin Ahmetoviçi ëndërron dhe lufton për ta bërë serbe tërë popullatën e trevës së Gorës.
Sa i përket regjistrimit të vitit 1991 për të cilën flet, kjo dëshmon qartë se edhe përkundër ardhjes në pushtet të fashizmit serb me në krye Millosheviçin, popullata e Gorës është detyruar që të regjistrohet, megjithatë nuk pranon që të deklarohet për përkatësi jo islame, e më së paku serbe. Ky vendim i Behadin Ahmetoviçit në fakt është ritransmetim i ideve të Akademisë Serbe. Në funksion të kësaj, Behadin Ahmetoviç përpos përsëritjeve monotone të gjërave pa asnjë argument, sjell edhe citatin nga Dr. Milovan Radovanovic i cili thotë: “Goranët përbëjnë etnitet të atillë i cili në të dhënat gjeografike dhe etno – kulturore është autonom, vetjak, i veçantë, i cili edhe krahas sfidave të rënda, nuk u bë degë e askujt, madje është shumë afër etnitetit serb dhe etnitetit serbo – musliman të Serbisë së Vjetër, kurse në aspektin etnokulturor organizim patriarkal inkopatibil me etnitetin shqiptar. . . për këtë edhe Gora është tamponzonë e rrethit shqiptar”.
Pra në këtë rast kemi të bëjmë me të njëjtin mendim, afërsisht me të njejtat shprehje si dhe për të njëjtin qëllim.
E tëra kjo sa u tha ka të bëjë me pjesën e parë të librit në fjalë. Kurse pjesën e dytë të këtij libri, Behadin Ahmetoviç e nis me një shkrim “Gora dhe Goranët”, libër që nuk i plotëson as kriteret e një shkrimi publicistik, ku brenda gjysëm faqeje libri, i përzien gjërat që nga viti 1913 e deri te Unprofori. Në vazhdim të kësaj pjese, paraqet vendbanimet e Gorës duke përdorë të dhëna të ndryshme për këto vendbanime nga literatura serbe, ku përshkruan numrin e popullsisë, vendndodhjen e vendbanimit, migrimet e ndryshme etj.
Në pjesën e tretë, paraqet arsimin në Gorë, duke përmendur emrat e shkollave fillore në të gjitha fshatrat. Pastaj bën fjalë për kushtet kadrovike të sistemit arsimor, shëndetësor dhe mbrojtjes sociale të komunës së Gorës, për të folur pastaj për kulturën, informimin për revistën “Glas Gore”, Radio Gorën; pastaj për sintagmën “Gora për Serbinë – Serbia për Gorën”, për të kaluar më tej në ekonominë e komunës së Gorës, ku përmend emrat e 86 firmave të ndryshme që kanë funksionuar deri në këtë kohë në këtë trevë.
Në pjesën e katërt, paraqet kulturën folklorike dhe krijuseit nga Gora, ku krahas transmetimit të dhënave të Boban Vladimirit, Milisav Lutovac, Radoslav Zlatanovicit ripërsërit edhe gjërat nga shkrimet e Harun Hasanit për këngët nga treva e Gorës, për të përfunduar kështu në mënyrë telegrafike me disa fjalë për gjuhën, veshjen, dhe karakteristikat psikologjike të goranëve. E tëra kjo, përfshihet në një faqe e gjysmë.
Në vijim, Behadin Ahmetoviç, paraqet krijuesit bashkëkohor të Gorës, dhe nga Gora, duke përmendur emra të përveçëm, të cilët i paraqet edhe me biografi të veçantë. Në veçanti, përmes të dhënave biografike tregon për disa individë, për pjesmarrjen e tyre në forume e institucione të ndryshme shtetërore të Serbisë, për të vazhduar pastaj me paraqitjen e goranëve të njohur dhe të suksesshëm, ku është treguar i kujdesshëm sidomos për përkatësinë politike dhe partiake të disa individëve që prezanton.
Në pjesën e pestë, flet për sportin e Pelivanëve në Gorë; për adetet e fejesës dhe dasmës; për Shëngjergjin në Gorë, shkrim me të cilin përfundon përmbajtjen e njësive të ashtuquajtura autoriale.

Por kjo nuk është e tëra. Në pjesën e gjashtë të librit, Behadin Ahmetoviç tregon edhe arsyen e botimit të këtij libri me të tëra pehlivanllëqet e tij, ndonëse të padeklaruara. Në këtë pjesë, Behadin Ahmetoviçi ka mbledhur shumë shkrime të disa autorëve të ndryshëm të cilët janë të botuara në gazetat dhe revistat serbe, e që kanë të bëjnë me mendime, opinione, polemika rreth etnogjenezës dhe prejardhjes së goranëve. Kështu ai në këtë libër prezanton shkrime nga: Dr. Ranko Petkovic, Mitar Peshikan, Dr. Blazhe Ristovski, Ramadan Dervishi, Dr. Voja Dimitrijevic, Mr. Vehbia Hajradini, Branko Kavkale, Azar Zuli, Lakic K. Akovic, Mashan Boshkovic, Fejzo Kamberi, Zukrija Husein, Zejnel Zejneli, Haxhi Mitat etj, ku të gjitha këto shkrime janë botuar në gazeta e revista serbe si “NIN”, “Jedinstvo”, “Oblezhia”, “Politika”, “Interviju” etj.
Ndërkaq në pjesën e fundit, në pjesën e shtatë të librit, Behadin Ahmetoviç prezanton lista me emra njerëzish si: listën e udhëheqësve të rrethit të Gorës, të ish-komunës së Dragashit, dhe komunës së tashme të Gorës, si dhe deputetët krahinorë, republikanë dhe federativë që nga Lufta e Dytë Botërore. Të dhënat për pjesmarrjen e banorëve të Gorës në Luftën e Dytë Botërore; listën e intelektualëve nga Gora ku përmend emrat e 402 pjestarëve te të dy gjinive. Listën e punëtorëve të arsimit, ku përfshihen 142 emra. Listën e drejtorëve të shkollave fillore dhe të mesme, listën e mjekëve, doktorëve të shkencave, piktorëve, këngëtarëve, krijuesve, listën e fermerëve privat, listën e ëmbëltorxhinjëve, listën e pronarëve të traktorëve dhe makinave të tjera bujqësore, listën e xhamive, listën e hoxhallarëve, e çuditërisht, jo listën e kurbetlinjëve. Sigurisht kjo listë do t`i dilte e gjatë, dhe këto të dhëna ndoshta nuk i ka pasur. Por sikur të paraqiste listën e kubetqarëve, kjo do të fliste për pozitën socio – ekonomike të banorëve të Gorës, për të cilën vet Behadin Ahmetoviçi, ka kontribuar që të ndahet treva e Gorës si komunë në vete, duke e përjashtuar trevën e Opojës nga kjo komunë. E tëra kjo, është bërë për interesa politike të shtetit Serb. Për ruajten e oazës sllavofone, që të instrumentalizohen më lehtë njerëzit e kësaj treve, si dhe të frikësohen, duke i detyruar të jenë qytetarë lojalë të shtetit serb, duke i mbajtur sa më larg nga shqiptarët.
Libri ka edhe 186 faqe, i shtypur në 1000 kopje në çirilicë. Botuesi është Mr. Pavel Xheletovic Ivanov, lekturën e ka bërë Mr. Milena Gavrilovic, kurse korrekturën, Vesna Vukojevic.
Çuditërisht ky libër nuk përmban as recensent dhe as redaktor. Në instancën e fundit mund të thuhet se ky libër është vetëm një tentim i Behadin Ahmetoviçit për të bërë libër. Ahmetoviçi ka tentuar që të fluturojë, por pa e kuptuar se nuk fluturohet pa pasur flatra, dhe aq më pak, të mund të fluturohet me flatra të huaja. Përpos realizimit të dëshirës për t`u bë argat i Serbisë në propagandë politike, ky libër nuk është asgjë më shumë.

titulli dhe redaktura Fahri Xharra

-Advertisement-

Më shumë artikuj

- Advertisement -

Të fundit