Maqedonia e Veriut shpalli të martën krizë energjetike, e cila do të zgjasë 30 ditë. Qeveria tha se shpallja e gjendjes së krizës është për të injektuar mjete te kompanitë energjetike dhe për të rritur likuiditetin e tyre. Vendimi i Qeverisë nuk parashikon masa kufizuese për qytetarët, por nga janari çmimi i energjisë elektrike pritet të rritet për rreth 8-9 për qind.
Qeveria njoftoi se rreth 4 miliardë denarë (rreth 65 milionë euro) do të transferohen nga buxheti te kompanitë energjetike, për të kapërcyer, siç tha, të gjitha rreziqet në sektorin e energjisë dhe për furnizim të rregullt me energji elektrike.
“Qeveria aktualisht është e fokusuar në përballjen me sukses të sfidave të paraqitura nga kriza globale energjetike. Gjendja e krizës energjetike sillet për të përmirësuar funksionimin e kompanive energjetike, për të rritur likuiditetin e tyre dhe për të mos miratuar asnjëherë masa kufizuese që do të ndikonin negativisht në jetën e përditshme të qytetarëve”, tha ministri i Ekonomisë i Maqedonisë së Veriut, Kreshnik Bekteshi.
Evropa është duke u përballur me krizë energjetike tash e saj javë, kryesisht për shkak të rritjes së çmimeve të gazit. Për pasojë kanë nisur të rriten edhe çmimet e rrymës. Gjendja e krizës në Maqedoninë e Veriut u miratua me kërkesë të Komisionit për monitorimin e situatës për furnizim me energji elektrike.
Ndërkohë, Banka Popullore e Maqedonisë së Veriut bëri të ditur se përkundër krizës energjetike dhe rritjes së çmimeve globale, tani për tani nuk pritet përkeqësim i gjendjes ekonomike. Banka Popullore parashikon rimëkëmbje të ekonomisë së Maqedonisë së Veriut me një rritje prej 3.9% këtë dhe vitin e ardhshëm. Inflacioni këtë viti parashikohet të mbyllet me 3.1%, ndërsa vitin e ardhshëm me 2.4%.