15.1 C
Pristina
Wednesday, April 10, 2024

Mesila Doda, ëndërroj një shtet shqiptar të përbashkët në një sistem politik federativ të ngjashëm me atë Gjerman

Rekomandime

Në një intervistë ekskluzive për portalin Express.mk deputetja e Partisë Demokratike të Shqipërisë (PD) dhe kryetarja e Aleancës së Grave deputete në parlamentin e Shqipërisë, Mesila Doda, ka folur për gjendjen aktuale politike në Maqedoni, tejkalimin e afatave të zbatimit të Marrëveshjes së Ohrit si dhe për bashkimin kombëtar shqiptar. Ajo në intervistën me gazetarin Destan Jonuzi ka velrësuar se Maqedonisë i duhet një nje konceptim i ri i raportit të popullsisë, ndërsa ka zbuluar se angazhimi i saj për të ngritur në nivel shtetëror në Shqipëri rastin e Kumanovës dhe çështjen e shqiptarëve të Maqedonisë ka lidhëshmëri edhe me prejardhjen e gjyshit të saj nga nëna i cili ka migruar në Shqipëri nga Gostivari.

- Advertisement -

ExPress.mk: Znj. Doda po filloj me aksionin e fundit të policisë maqedonase që ndodhi në Kumanovë. A e teprojë Maqedonia në Kumanovë?

Mesila Doda: Mendoj që shteti maqedonas ka shkelur çdo rregull se si duhet të trajtohet nje popullsi civile, ka vënë qytetarët me kombësi shqiptare para rreziqeve të patolerueshme dhe ka shkelur rregullat për trajtimin e të dorëzuarve. Mediat raportojne se 4 prej të vrarve janë egzekutuar pas dorzimit të tyre. Kjo e kthen ngjarjen në një krim të pastër shtetëror, i cili nuk mund të lihet që të hetohet prej atyre që e kryen krimin. Është jetike për ardhmërinë dhe sigurinë e jetës së bashkombasve tanë që kjo ngjarje të trajtohet nga një hetim ndërkombëtar, neutral, transparent dhe në përputhje me të gjitha konventat ndërkombëtar për trajtimin e ngjarjeve të tilla të rënda. Veçanërisht pjesë e këtij hetimi duhet të jenë shkaqet e vërteta që çuan në këtë dramë njerëzore, të lidhura me kushtet para dhe pas ngjarjes, e kam fjalën për klimën politike pas publikimit të përgjimeve të politikanëve më të lartë. Mes heshtjes për arsye shtetërore dhe sjelljes në dritë të vërtetës unë do preferoj gjithmonë të vërtetën, veçanërisht kur bëhet fjalë për jetën e bashkombasve tanë.

ExPress.mk: Për Kumanovën keni paraqitur në Kuvendin e Shqipërisë edhe interpelancë?

- Advertisement -

Mesila Doda: Është zhvilluar javën e kaluar interpelanca me Ministrin e Jashtëm dhe kam kërkuar pozicionimin e shtetit shqiptar jo thjesht në raport me sigurinë dhe stabilitetin e një shtet fqinjë dhe deklarime të bëra a thua se bëhet fjalë për shtete nordike, por për respektimin e Kushtetutës së Shqipërisë e cila në nenin 8 të saj sanksionon detyrimin e Republikës së Shqipërisë për të mbrojtur të drejtat kombëtare të popullit shqiptar që jeton jashtë kufijve të saj. Është e detyrueshme, të flitet për faktorin shqiptar i cili nuk është pakicë në Maqedoni por një shumicë e tjetërsuar në pakicë me forcën e lojrave politike të kohës.

ExPress.mk: Në ç’drejtim e shikoni çėshtjen shqiptare në Maqedoni?

- Advertisement -

Mesila Doda: Kjo nuk është një çështje që mund të trajtohet si episod i momentit. Është një moment që sjell në sipërfaqe pabarazitë dhe ndarjet e thella në të kaluarën, të sotmen dhe vizionin racist e denigrues me të cilin shtetarët e sotëm kërkojnë të thellojnë diskriminimin ndaj shqiptarve. Marrveshja e Ohrit, që i hapi rrugë krijimit të shtetit Maqedonas fliste qartë për një trajtim krejt të ndryshëm të shqiptarve, mosdiskriminimin dhe përfaqësimin e drejtë të rolit të tyre vendimarrës në simbolet dhe përfaqsimin e shtetit të ri, në arsim, ekonomi, punësim e vendimarrje ligjore, fuqizim i drejtë i pushtetit vendor dhe jo ajo që ndodh sot e që është një diskriminim i hapur i komunave shqiptare. Në të gjitha këto çështje ka patur mosrespektim të një akti që i dha jetë këtij shteti ,ndaj tashmë kushtet duhet të rinegociohen; shqiptarët nuk janë pakicë etnike, janë elementi më i rëndësishëm shtetformues dhe nuk mund të bëhen dot me zor pakicë.

ExPress.mk: Vlerësoni se partitë shqiptare në Maqedoni bëjnë aq sa duhet për shqiptarët?

Mesila Doda: Unë besoj se shqiptarët e kanë vetë një vlersim për ta… Gjithsesi heshtja në momentet dramatike është një tregues që flet shumë për tejkalimi e kësaj klase politike nga koha. Faktorë të rinj politikë do duhet të marrin jetë dhe shpresoj që edhe faktori grua të njohë një dimension të ri edhe në rolin e liderve të ardhshëm që duhet të sjellin një mënyrë të re të bërit politik, mënyrë moderne, të guximshme, të drejtpërdrejtë e pa fallsitete… Besoj që kjo është sfidë për të gjitha trevat shqiptare përfshir Shqipërinë, Një klasë e re politike e bashkuar mes vedi në të gjitha trojet tona dhe me një mentalitet të ri dhe te guximshëm, që më së pari të mos trembet nga “krimbat e mëndafshit”.

ExPress.mk: Nga gratë deputete në Maqedoni cilët do kishit veçuar?

Mesila Doda: Kam një njohje dhe miqësi disavjeçare me Ermira Mehmetin të cilën e vlersoj personalisht, por ka padyshim shumë zonja që kanë kryer një punë të mirë. Me disa prej tyre kemi qenë në aktivitete të përbashkëta me gratë shqiptare parlamentare si Shpresa Hadrin, Meral Uzeiri-Ferati, Nora Alitin, por një rol të pazëvëndësueshëm për gruan shqiptare në lidership e sjell Teuta Arifi me sfidën e saj si kryetare e komunës së Tetovës . Vlerësim i veçantë edhe për zonjat në pozicionet e tyre të mëparshme si deputete si Suzana Saliu, Dëshira Imeri, me këtë të fundit kemi lidhje gjaku pasi është kushurira ime e dytë. Gjyshi im nga nëna ka ardhur në Shqipëri nga Gostivari, që është edhe vendlindja e nënës sime, ndaj kam një lidhje shumë të afërt me këtë trevë. Mund të rastiste që të isha edhe unë një prej tyre dhe sot do përballesha me të njëjtat sfida dhe vështirsi me to.

ExPress.mk: Mendoni se partia e z.Ahmeti e cila është pjesë e qevrisë së Maqedonisë, punon mjaftueshëm për shqiptarët?

Mesila Doda: Unë e dhashë vlersimin tim për klasën politike shqiptare me njohjet e mia të kufizuara. Vlersimin e vërtetë pa dyshim e marrin nga shqiptarët.

ExPress.mk: Marrëveshja e Ohrit është akt që doli nga lufta, apo akt që ndërpreu luftën?

Mesila Doda: E theksova më lart, doli nga lufta për ti dhënë fund asaj, por për fat të keq mbeti në pjesën më të madhe e parespektuar… dhe për këtë fajin nuk e kanë shqiptarët.

ExPress.mk: A është stërzgjatur zbatimi i saj?

Mesila Doda: Padyshim… nuk ka patur dhe druaj se nuk do ketë vullnet pa pozicionime të forta të shqiptarve dhe klasës politike.

ExPress.mk: 14 vjet pas MO-së kërkohen ndryshime kushtetuese? A duhet një marrëveshje e re midis shqiptarëve dhe maqedonasve?

Mesila Doda: Unë mendoj që duhet nje konceptim i ri i raportit të popullsisë. Nuk mund të konceptohet si një shtet multietnik ku maqedonasit marrin pjesën e luanit dhe shqiptarët që janë faktikisht pjesa dërrmuese e popullsisë të trajtohen pakicë njësoj si pakicat e tjera që janë shumë më të vogla në numër. Ky duhet të jetë një shtet në themel të cilit të shprehet binacionaliteti si element themelor shtetformues, kuptohet duke respektuar gjithë pakicat e tjera që janë të pranishme në vend. Me rëndësi jetike është edhe një qasje e re për buxhetimin e pushtetit vendor. Është e pafalshme që komunat ku drejtojnë dhe janë shumicë shqiptarët të trajtohen si të njerkës e të tjerat edhe më të vogla në numër te përkëdhelen si të nënës. Shpërndarje e barabartë dhe fuqizimi ekonomik për shqiptarët është i nevojshëm. Përdorimi i ABETARES së njehsuar për fëmijët shqiptar është i domosdoshëm, në mënyrë që të kemi një brez të ri që të ndjehet më pranë njëri-tjetrit. Sot mungon përdorimi i këtyre teksteve duke na çuar kohë mbrapa në arritjen e këtij standarti.

ExPress.mk: Si e shihni në një të ardhme të afërt perspektivën e Maqedonisë?

Mesila Doda: Nëse vazhdohet me këtë këmbëngulje absurde për të dominuar dhe diskriminuar shumicën njerzore të vendit, unë këtë të ardhme nuk e shoh. Gjithsesi ky është një vendim që mund ta marrin vetëm qytetarët e lirë të Maqedonisë…
Një shtet që aspiron të jetë pjesë e popujve të qytetëruar të Evropës nuk përbetohet për zhdukjën e gjysëm milioni njerzish për një orë… këtë marrëzi edhe Hitleri do e kish patur marrëzi. Një shtet që kërkon rrugën e integrimit dhe progresit nuk mban të pafajshëm në burgje(viktimat e rastit Mostra), kur është i bindur që janë viktima të intrigave bizante të një shteti që si deshi kurrë e si pranoi si pjesë e natyrshme të vetën popullsinë shqiptare. Një shtet që nuk nis mbi bazëne një respekti reciprok mes kombeve shtetformuese është e vështirë të këtë një të ardhme paqeje dhe progresi.

ExPress.mk: Bashkimi i shqiptarëve në Europën e bashkuar apo në bashkimin e trojeve etnike?

Mesila Doda: Ose do jenë tre shtete shqiptare të ndara mes tyre, ose do jetë një bashkim de facto, më së pari ekonomik kultural e shpirtëror dhe më pas me respektimin e dëshirës së shqiptarve banues në këto troje për formën më të mirë të bashkimit.
Unë personalisht ëndërroj një shtet shqiptar të përbashkët në një sistem politik federativ të ngjashëm me atë Gjerman, ku secila palë të ketë mundësinë e një zhvillimi territorial dhe njerzor të ndryshëm, por me infrastrukturë shtetërore e kostitucionale të përbashkët. Duhet të jemi të bindur që vetëm bashkimi sjell fuqinë e munguar në shekuj.
Ky është shekulli i shqiptarve. Ne duhet thjesht të ndjekim ritmin e kohës dhe të progresit, të mos biem pre e ekstremizmit fetar dhe injorancës, por të jemi ndër popujt e mënçur e punëtor që i përkushtohen çdo ditë të ardhmes së tyre. Në Europë shkohet me një identitet nacional të mirëpërcaktuar, dhe në këtë identitet e kemi të përbashkët, Duhet më së pari të gjejmë mes vedi dashurinë e munguar dhe dëshirën për një rrugë të përbashkët.

-Advertisement-

Më shumë artikuj

- Advertisement -

Të fundit