1.6 C
Pristina
Sunday, December 15, 2024

Mobilizohet diaspora, vota e tyre vendimtare!

Rekomandime

Duhanaj: Ka një mobilizim të diasporës

Mërgata shqiptare ka pasur dhe vazhdon të ketë rol të rëndësishëm për Kosovën. Edhe gjatë kohëve më të vështira kur po kalonte populli shqiptarë mërgata ishte pranë bashkatdhetarëve, të cilët u përballshin me armikun shekullor.

- Advertisement -

Ndërkaq, që nga mbarimi i luftës ata ndihmuan në ndërtimin e shtetit të Kosovës.

Kurse, tash me vullnetin e tyre do të ndihmojnë vendin që të zgjedhin një qeveri e cila punon në të mirë të vendit, dhe e cila lufton krimin dhe korrupsionin.

Ndikim i diasporës në zgjedhjet e jashtëzakonshme të 14 shkurtit pritet të jetë i madh, kështu shprehen ekspertët.

- Advertisement -

Sipas tyre, vota e diasporës shqiptare do të jetë vendimtare, për rezultatin e zgjedhjeve në vend.

Duhanaj: Ka një mobilizim të diasporës

- Advertisement -
Leon Duhanaj

Analisti politik Leon Duhanaj, në një prononcim për “Bota sot”, ka folur për ndikimin e diasporës në zgjedhje.

“Ndikimi i mërgimtarëve ka qenë dhe mbetet i një rëndësie të veçantë. Jo për faktin sasior të votave, sa për ndikimin e madh që e kanë tek anëtarët e familjeve të tyre rezident në Kosovë”, ka thënë ai për “Bota sot”.

Më tej, Duhanaj ka cekur edhe mobilizimin e partive politike karshi diasporës.

“Kësaj radhe duhet shtuar se ka një mobilizim të jashtëzakonshëm. Nëse në zgjedhjet e kaluara ishte e organizuar vetëm VV, tani kemi një mobilizim të madh edhe të PDK-së dhe subjekteve të tjera”, ka potencuar ai për “Bota sot”.

Gjithashtu, ai ka përmendur se cili është roli i diasporës në zgjedhjet e 14 shkurtit.

“Në përgjithësi, roli i diasporës kësaj radhe është i madh qoftë në aspektin sasior, qoftë në atë cilësorë sepse votat e tyre mund të shumëzohen me votat e familjarëve të tyre rezident në Kosovë”, ka theksuar ai për “Bota sot”

Qarri: Kosova si asnjë vend tjetër, ka mbi 800 mijë mërgimtar

Gani Qarri

Ndërsa, analisti politik, Gani Qarri, në një bashkëbisedim për “Bota sot”, ka treguar se sa është numër i shqiptarë të cilët kanë mërguar nga Kosova, si dhe ka cekur disa nga arsyet se pse ata janë detyruar të largohen nga vendi.

“Varfërimi i skajshëm, nepotizmi, mostrajtimi i barabartë, padrejtësitë në punësim, korrupsioni, krimi i organizuar, dhe keqqeverisja e vazhdueshme e partive të kriminalizuara, kanë bërë që qytetarët e Kosovës edhe mbi dy dekada pas çlirimit, t`ia kthejnë shpinën atdheut dhe kërkojnë mundësi mbijetese për vete dhe familjet e tyre, në vende të huaja, e sidomos në shtetet perëndimore.

Madje dhjetëra shqiptar, nëse jo edhe qindra prej atyre që u detyruan të iknin nga vendi, jo vetëm janë rrezikuar, por kanë humbur edhe jetën në përpjekje për të kaluar kufijtë e disa shteteve dhe futur ilegalisht në vende të huaja, pa arritur kurrë, atje ku ishin nisur, me shpresën për mbijetesë.

Vetëm në vjeshtën e vitit 2009, në përpjekje për të kaluar kufirin e Serbisë dhe futur ilegalisht në Hungari përmes lumit të ashtuquajtur Tisa,16 shqiptar të Kosovës patën humbur jetën, në ujërat e ftohta dhe të thella të atij lumi fatkob kufitar, disa dhjetëra të tjerë, numrin e saktë të të cilëve, nuk është interesuar askush ta mësoj dhe publikojë asnjëherë, kanë humbur jetë në kufij të vendeve të ndryshme, ndërsa nga 800 mijë deri në 1 milion shqiptarë të mërguar, sot gjenden në shtetet të huaja, gjysma prej të cilëve edhe kanë lindur në ato vende”, ka shpjeguar Qarri për “Bota sot”.

Sipas tij, nëse do të kishte organizim të mirëfilltë të votimit nga 20 deri në 30% të numrit të përgjithshëm të votave mund të vinin nga votuesit në diasporë.

“Ndaj sikur vërtetë të organizohej një votim i mirëfilltë edhe për mërgatën tonë, pothuajse është e sigurt se nga 20 deri në 30% të numrit të përgjithshëm të votave mund të vinin nga votuesit në diasporë, për zgjedhjet në Republikën e Kosovës, gjë që tregon vetvetiu, se vota e diasporës, jo vetëm që do të ishte shumë domethënëse por edhe e konsiderueshme dhe vendimtare, për rezultatin e zgjedhjeve në vend.

Por përkundër të gjithave, Komisioni i famshëm Qendror i Zgjedhjeve, i përbërë nga njerëz të korruptuar, madje edhe ish të burgosur për keqpërdorim detyre dhe tjetërsim të mjeteve buxhetore, si dhe partitë e inkriminuara, të cilat e kanë mbyllur hermetikisht popullin e Kosovës si në kafaz dhe izoluar vendin nga e gjithë bota demokratike, duke e ditur se mërgimtarët shqiptar, me shumicë të madhe do të votonin për ndryshime, të cilat janë aq të nevojshme në Kosovë, si dhe për pensionimin e personave dhe partive të inkriminuara, kanë shpikur barriera të llojllojshme nga më të çuditshmet deri në ato të pakapërcyeshme, për të penguar me çdo mjet e mënyrë votimin dhe minimizuar deri në maksimum pjesëmarrjen e mërgimtarëve shqiptar në zgjedhje”, ka deklaruar Qarri për “Bota sot”.

Po ashtu, ai ka theksuar se votimi i diasporës do të ishte vendimtar në zgjedhje, dhe se ka hedhur kritika ndaj KQZ-së.

“Kështu që, me gjithë faktin se diaspora kosovare, vetëm brenda një viti, dërgon mbi 1.5 miliard euro në Kosovë, gjë që dëshmohet edhe sipas statistikave të Bankës Botërore dhe publikimit zyrtar të Qeverisë, në qershor të vitit 2017,sipas të cilit, të hyrat monetare nga diaspora në Kosovë, qysh para 3-4 vitesh, arrinin shifrën e 1.5 miliardë eurove në vit, kur vije puna te votimet, diaspora jo vetëm që ka qasje të kufizuar, por asaj i shkaktohen barriera të shumta dhe qëllimisht bëhet pothuajse e pamundur pjesëmarrja e mërgimtarëve në votime.

Madje megjithëse, për dallim nga vendet tjera, Kosova, në krahasim me numrin e banorëve rezident, mese 1/3 e popullsisë e ka në mërgim, pjesëmarrja masive e të cilëve në votime, do të kishte jo vetëm ndikim thelbësor, por do të ishte vendimtare, edhe për rezultatin e zgjedhjeve të 14 shkurtit të vitit 2021, nga vet Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, në vend të ofrimit të mundësive dhe krijimit të kushteve për votim, shpiken në mënyrë të qëllimshme, praktika të padëgjuara si telefonimi në orar të punës dhe metoda tjera ekskluzive, përmes formularve të koklavitur, enkas për pengimin e votimit dhe participimit të diasporës në zgjedhjet vendore, duke shkelur me të dy këmbët edhe liritë dhe të drejtat njerëzore të tyre, si dhe Konventën e BE-së për të drejtat e njeriut”, ka potencuar Qarri për “Bota sot”.

Diaspora: Diaspora mund të sigurojë 10 vende në Kuvendin e Kosovës

Faton Mehmeti

Ndërkaq, njohësi i çështjeve politike, Faton Mehmeti në një prononconim për “Bota sot” deklaruar se diaspora mund të sigurojë deri në dhjetë vende në Kuvendin e Kosovës.

“Diaspora me votat e saja mund të siguroj 10 vende në Kuvendin e Kosovës, pra votat e Diasporës janë përcaktuese për fitoren e një subjekti politik, dhe kjo s`ka dyshim. Krejt varet sa është e angazhuar diaspora për të votuar, pro sipas asaj që po shohim, diaspora si kurrë me parë është e vendosur për të votuar, dhe votat e saj janë shumë të mëdha”, ka thënë ai për “Bota sot”.

Po ashtu, Mehmeti ka potencuar se Diaspora mund të jetë përcaktuese për fituesin e zgjedhjeve.

“Diaspora, po themi i siguron diku mbi 10 deputet, dhe kjo nuk është pak. Andaj, secila parti që përfiton diasporën e merr edhe pushtetin në Kosovë, kur dihet edhe ndikimi që ata kanë tek të afërmit e tyre në Kosovë, kjo vetëm sa rritet edhe më shumë. Andaj, Diaspora do të jetë përcaktuese për fituesin e zgjedhjeve”, ka përfunduar Mehmeti për “Bota sot”.

-Advertisement-

Më shumë artikuj

- Advertisement -

Të fundit