1.7 C
Pristina
Wednesday, December 25, 2024

Murat Meha kërkon 200 mijë euro dëmshpërblim nga ish-deputeti Gani Dreshaj për çështjen e Demarkacionit

Rekomandime

Në rastin ku Murat Meha po kërkon nga ish-deputeti Gani Dreshaj dëmshpërblimin prej 200 mijë euro, me arsyetimin se ky i fundit ka shpifur për të, avokati Armend Lokaj ka kërkuar që palës së paditur t’i dorëzohen edhe një herë shkresat e lëndës.

- Advertisement -

Në seancën e së enjtes, i autorizuari i të paditurit, avokati Lokaj ka thënë se propozimin që palës së paditur edhe njëherë t’i dorëzohen shkresat e lëndës, e bën për faktin se autorizimin nga i padituri e ka pranuar vetëm dy ditë përpara, respektivisht me 22 qershor 2021.

Ai tha se i padituri nuk është në dijeni se i ka pranuar shkresat e lëndës dhe se nuk ka pasur mundësi që atë ta pajisë me të njëjtat, raporton “Betimi për Drejtësi”.

“Me qëllim që kjo seancë të mos shtyhet, ne i propozojmë gjykatës që pasi t’i pranojmë shkresat e lëndës lidhur me pretendimet e palës paditëse të japim deklarimin tonë përmes parashtresës, për faktin e nuk e di çka dhe çfarë provave përmban padia. Me qëllim që të mbrojturit t’i sigurojmë një mbrojtje sa më profesionale dhe eventualisht mos t’i shkelet e drejta në procedurë, kërkojmë nga gjykata ta aprovojë propozimin tonë si më lartë, të na sigurohet shkresat e lëndës të kërkuara, e që pas pranimit të të njëjtave në kuptim të dispozitave si palë e paditur do të deklarohem përmes parashtresës”, ka thënë ai.

- Advertisement -

Nga ana tjetër, i autorizuari i paditësit, avokati Gjuran Dema e ka kundërshtuar propozimin e palës së paditur, pasi siç tha ai një propozim i tillë është i pabazuar.

“Në këtë çështje juridiko-civile ka qenë e caktuar edhe një shqyrtim paraprak, e që nënkupton që padia së bashku me provat e propozuara në të i janë dorëzuar të paditurit, ashtu që në këtë fazë i padituri nuk ka paraqitur as përgjigje në padi.”, ka thënë avokati Dema.

- Advertisement -

Pas kësaj, avokati Lokaj deklaroi se nuk e vënë në dyshim konfirmimin e gjykatës që i padituri e ka pranuar aktvendimin së bashku me shkresat e lëndës, duke shtuar se ai si mbrojtës është kontaktuar nga i padituri në mënyrë elektronike dy ditë para seancës në fjalë.

“Ne jemi të vetëdijshëm se afati lidhur me përgjigjen në padi ka kaluar, mirëpo shkaku i rrethanave të krijuara ne kërkojmë që vetëm lidhur me këtë seancë përgatitore të përgjigjem me parashtresë, pasi që të pranojmë shkresat e lëndës”, ka thënë Lokaj.

Pas këtyre deklarimeve, gjykatësi Migjen Kastrati aprovoi propozimin e të autorizuarit të paditurit, kurse seancën e radhës e caktoi për 14 shtator 2021, nga ora 13:30.

Sipas padisë së ushtruar më 24 maj 2017, Murat Meha po kërkon nga i padituri Gani Dreshaj dëmshpërblim për shpifje, në vlerën 200,000.000 euro

Sipas padisë, i padituri Dreshaj përmes mjeteve informuese, “RTV Dukagjini” dhe lajmeve në portale të internetit, më 3 maj 2017 ka përhapur lajme të pavërteta për të kaluarën e paditësit Meha, për aftësitë e tij profesionale e njerëzore dhe për familjen e tij.

Aty thuhet se Dreshaj, në rubrikën “Intervista” të RTV Dukagjini, duke u përgjigjur lidhur me pyetjet për caktimin e vijës kufitare mes Republikës së Kosovës dhe asaj të Malit të Zi, ka shpifur në dëm të paditësit ku ky i fundit nga ana e Qeverisë së Republikës së Kosovës ishte caktuar kryetar i Komisionit për caktimin e kufirit, duke deklaruar se “Ne dimë bjeshkën pllamë për pllamë dhe e dijmë ku na ka ndalur policia kur kemi shku te pobratimat tanë në Rozhajë. Kur kemi shku atje na ka nal polici Deniq e Meta. Për demarkacionin askush nuk na ka thanë se ai duhet të jetë te kjo vijë. Sa për çështjen kush e ka udhëhequr demarkacionin, në fillim ishte nji djal i Istogut shumë i nershëm që nuk du me ia përmend emrin.

Kan qarkullu shumë emra por në komision është zoti Gorani por ma tutje sdo tia përmend emrin. Ai zoti Gorani është tërhequr me dëshirën e Murat Mehës me e-mailat që ia ka qu komisionit të Mali të Zi, për me e hjek si i padëshirueshëm për mirëkuptim se nuk i ka shku loja Muratit. Se ai ka dasht edhe ka rrjedha tjetërkund, ka ditë anën e terenit, e asht njeri i shkolluem i Istogut dhe potencial dhe i është kthyer E-maili se ky njeri (v.e paditësit Gorani), është i padëshirueshëm në këtë komision”.

Tutje siç thuhet në padi, nga përgjigjet e të paditurit në pyetjet e intervistuesit, në mjetin informativ, lajme, emisioni “Infobox” në RTV Dukagjini, me 3 maj 2017, ora 19:57 dhe lajmet net në ora 22:13, qëndron titulli: “Dreshaj: Murat Meha është tradhtar, ka vile në Mal të Zi”, që nëntitull ka konstatimin: Gani Dreshaj, anëtar i Këshillit të Përgjithshëm të AAK-së ka akuzuar rëndë kryetarin e Komisionit për përcaktimin e demarkacionit me Malin e Zi, Murat Mehën, se ka montuar që nga ky komision të largohen anëtarë të ndershëm.

Tutje, i padituri thuhet se vazhdon: “Murat Meha për para është gati ta shes edhe babin e tij dhe se sipas tij ka edhe vile në Mal të Zi, se nuk e di kënd e ka mbështetje, nuk mund të kalkuloj, por unë Murat Mehës i besoi gjithçka që bën për interesin e vet e bën dhe bën vaki se ka edhe vile në Mal të Zi dhe më në fund deklaron se këtë nuk e kam për fakt, por me të dëgjuar që kam, që po”.

Gjithnjë sipas padisë, fjalët dhe fjalitë shpifëse të paraqitura në padi nga ana e të paditurit, kundër paditësit, paraqesin cenim të integritetit dhe dinjitetit të paditësit në rrethin me të ngushtë dhe të gjerë.

Kështu, paditësi po kërkon nga gjykata që padia e tij të aprovohet si e bazuar dhe të detyrohet i padituri Dreshaj që në emër të kompensimit të dëmit jo material, cenim të personalitetit, paditësit t’ia paguajë shumën prej 200 mijë euro, me kamatë ligjore, duke e llogaritur nga 3 maji 2017 e deri në pagesën definitive, si dhe shpenzimet e procedurës kontestimore. Të gjitha këto ai i ka kërkuar në afat prej 15 ditësh pas plotfuqishmërisë së aktgjykimit, nën kërcënim të ekzekutimit të dhunshëm. /BetimipërDrejtësi

-Advertisement-

Më shumë artikuj

- Advertisement -

Të fundit