16.1 C
Pristina
E mërkurë, 5 Tetor, 2022

Në kohën kur Rama po e trash miqësinë me Vuçiqin, Daçiqi bind Ganën ta çnjohë Kosovën

Rekomandime

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, vazhdon të trashë miqësinë me presidentin serb, Aleksander Vuçiq, edhe përkundër qasjes së vazhdueshme destruktive të Beogradit zyrtar kundër shtetit dhe pavarësisë së Republikës së Kosovës. Rama është bërë edhe avokuesi kryesor i idesë së Vuçiqit për krijimin e një minishengeni në Ballkan, në një kohë kur Ivica Daçiq pretendon se ka bindur Ganën të tërheqë njohjen për pavarësinë e Kosovës.

Në shtatorin e vitit 2015, politikani serb, Aleksander Jabllanoviq, ishte shkarkuar nga posti i ministrit në Qeverinë e Kosovës për shkak të fyerjeve që ua kishte bërë nënave nga Gjakova të cilat kishin kërkuar zbardhjen e fatit të familjarëve të tyre zhdukur në luftën e fundit.

Zyrtarë të tjerë serbë vazhdimisht mohojnë gjenocidin serb të kryer në Kosovë, ndërkohë për kërkim falje as që bëhet fjalë. Në prill të këtij viti, është shkarkuar edhe një ministër nga komuniteti serb, Ivan Teodosijeviqin, i cili masakrën e Reçakut e cilësoi si një “trillim të shqiptarëve”, ndërsa, shqiptarët e Kosovës që luftuan për çlirim të Kosovës i quajti “terroristë”.

Hiç më i mirë nuk është as presidenti i Serbisë, Aleksander Vuçiq, i cili nga një fjalim të mbajtur në shtatorin e vitit të kaluar nga “Ujmani” i kishte thurur lavde presidentit famëkeq të Serbisë, Sllobodan Millosheviq, regjimi i të cilit është përgjegjës për të gjitha vrasjet dhe masakrimin e mijëra civilëve të pafajshëm shqiptarë.

Megjithatë e gjithë kjo qasje e Serbisë karshi Kosovës, nuk po e pengon kryeministrin e Shqipërisë, Edi Ramën, që në vazhdimësi të trashë miqësinë e tij me presidentin e Serbisë, Aleksander Vuçiq.

Nuk po e pengon as ofensiva e egër disa vjeçare e Ivica Daçiqit kundër pavarësisë së Kosovës.

Derisa në Ohër, Edi Rama po i qëndronte në krah të djathë Vuçiqit për projektin e minishengenit që do t’i rezultojë Serbisë me disa miliarda euro fitime, Daçiq nga Beogradi jepte njoftimin se ka bindur edhe shtetin e Ganës që të tërheq njohjen për pavarësinë e Kosovës.

Por kjo nuk është hera e vetme ku Rama shfaqet jashtëzakonisht bashkëpunues me Aleksandër Vuçiqin.

Në gusht të vitit 2018, në Forumin e Alpbachut në Austri, për herë të parë Hashim Thaçi e ALeksander Vuçiq për herë të parë publikisht kishin folur për idenë e korrigjimit të kufijve në mes të Kosovës dhe Serbisë si mënyrë për arritjen e një marrëveshje finale mes dy shteteve.

Një ide të tillë asnjëherë nuk e kishte kundërshtuar kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, madje ai është akuzuar se është edhe një prej ndërmjetësuesve kryesorë në mes të Thaçit dhe Vuçiqit për jetësimin e një ideje të tillë për ndarjen e Kosovës.

Përveç kësaj, kryeministri i Kosovës në detyrë, Ramush Haradinaj, kishte rrëfyer për përplasjen që ka pasur me Edi Ramën në Samitin e Berlinit, pas presionit të madh që i kishte bërë ky i fundit për heqje të taksës.

Aktualisht, Edi Rama nuk ka raporte të kënaqshme me asnjë prej politikanëve në Kosovë, ndërkohë me Vuçiqin ka planifikuar edhe takimin e radhës për jetësimin e minishengenit, që do të mbahet më 21 dhjetor në Durrës.

Më shumë artikuj

Të fundit