1.7 C
Pristina
Wednesday, December 25, 2024

Në pragun e derës sate paska ra një fletë e bardhë

Rekomandime

(Ese mbi pragun)

- Advertisement -

Sipas hoxhallarëve boshnjakë, sihirbazët më së shpeshti i fshehin magjitë e tyre nën pragun e shtëpisë tënde.

Prandaj, populli rus (me të cilët i kemi bestytnitë qind për qind të njejta, si me na pas bë një nanë, rekomandon që assesi mos ti shtrëngoni duart dhe sidomos mos gaboni të putheni në prag, se bëheni armiq të përbetuar me njëri-tjetrin (më e pakta mundet me t’u ngri puthja në fytyrë).
Kështu ka raportuar për Washington Post, reporteri i zyrës në Rusi, David Filipov.
(Në Kosovë, Rusi, Serbi, Maqedoni, Bosnje, Turqi, Rumani, Ukrainë, Indi etj, populli kërkojnë ndihmë hyjnore kur nuk mirren vesh me fjalë me shoqi-shoin.
Në këto vende, fatin tënd të shlyer (sot e kësaj dite) e shkruan edhe kleri fetar, ose ia ndërron kahjen fatit tënd, prandaj thonë dashuria është magji…
Ushtria dhe drejtësia nuk na ndihmojnë nga e keqja e padukshme, prandaj ka njeri që e han mishin e iriqit për shërim, e lëre më me gjet fatin e me lyp çare te kleri fetar, gjëja më normale n’këto treva.

(Por bestytnitë nuk i kemi të njejta me Ruandën, se populli atje kujtojnë se nëse gruaja han mish dhie, i rritet mjekra, e ne s’kujtojmë ashtu, ne s’kemi asnjë mendim për dhinë).

- Advertisement -

Populli ynë i urtë boll mirë na ka mësuar ‘Mos rrini në prag, se ju përgojojnë’.
Më pëlqen shumë eufemizmi shqiptar që përdoret në raste ‘rreziku’, dhe kur ti pyet e ‘pse s’bën me ndejt n’prag’, përgjigja është tipike shqiptare: ‘Nuk duhet, q’ashtu, s’bën’.
E nëse ty nuk të mjafton kjo përgjegje dhe ngul këmbë për një përgigje me bazë shkencore, të thonë: ‘S’bën se mundesh m’u tranu’
(kishe që po pshtojka dikush pa u ‘tranu’ nga kjo dynja ????).

Pragu është problem.
Te pragu i shtëpisë dikush prej grave ma t’vjetra e ndihmon nusen të hyjë për herë të parë në shtëpinë e burrit.
Është shumë me rëndësi kush të ndihmon me kalu pragun e burrit se t’merr n’qafë me t’ra zari naj depsuze.
Nusja (nëse është e gjatë sa dera, e puth direkt derën e nëse s’është, e puth derën me dorë, gjithnjë duke qëndruar me dy këmbët në prag, nën të cilin kurrë nuk dihet çka ka.
Puthja përcjellet edhe me sherbet me të cilin spërkatet (apo thënë më saktë, flliqet) dera.

- Advertisement -

Prandaj, nuk ka hajgare, pragu është më ‘misterioz’ se krejt hapësirat tjera të shtëpisë, e edhe se tavani. Në tavan bile e shtin kryt me këqyr mos u hy najkush e nën prag s’ke qysh i shtin hundtë, se aty mjafton një gjilpërë ‘e mallkuar’ që ta ndryshon fatin ty.

Shih për këtë, hoxhallarët boshnjakë preferojnë me ndërru pragun herë pas here.

Mos u habit, njohësit e rrethanave shpirtërore, thonë se ‘faj’ ka edhe shpija (ambienti, energjia negative apo urrejtja e mallkimi ndërfamiljar në të) pse ti nuk ndjehesh i lumtur.

E njoh këtë ndjesi. Mua më duket se veç një dritare më mungon në murin e djathtë të dhomës për të qenë e përnbushur dhe e lumtur plotësisht, kurse shpija do të duhej të ishte veç pak më në lindje për të m’u mbushur zemra gëzim çdo agim.

Rrënimi është zgjidhja e duhur. Sikur kur ndahesh me dikë, ashtu duhet të largohesh nga një shtëpi ku nuk ndjehesh mirë.

A e keni pa qysh u çelen sytë njerëzve kur i rrëzojnë shpijat e vjetra. Qysh ndjehesh mirë dhe e çliruar emocionalisht kur hudh sende, knaqesh, të duket sikur e gjuan në bërllog një njeri që të ka lënduar.

Kqyre ti Isa Mustafën qysh po shkëlqen, prej se e ka rrëzu shtëpinë (e po maron soliter), ka kthy, u qëru, u bë ma i butë, ma i përshtatshëm, dukshëm ju kanë zbut mbrrolat që e kanë përcjellë gjithë jetën, qetësia që e ka përshku të tërin ka shku deri në atë shkallë sa do t’ia lëshoj vendin e presidentit Murat Jasharit, s’ja ndin.
I ka ndihmu shumë psikikisht rrënimi i shtëpisë së vjetër.

Bazuar në ngjarje të vërtetë:
Një herë moti, para luftës, në një fshat të Drenicës ka jetuar një burrë i pashëm me një grua që s’i afrohej as te zogu i këmbës atij bukuroshi.
Ata ishin të varfër, por duheshin dhe kishin rehati mes vete.

Një ditë prej ditësh, u digjet shtëpia, me prag e me ka krejt.
Derisa zjarri përfshin çdo gjë, burri del në oborr, ulet në një gur, fort i mërzitur, shikon tymin dhe kujtimet që i digjen para syve dhe tha po qan me za, pa pushu.
Gruaja i ulet ngat dhe po mundohet e ngrata me marr me t’mirë.
Mos u mërzit, ti njeri, i thotë, se e marojmë tjetrën, në emër t’Zotit, edhe ma t’mirë.
Burri e çon kryet, e shikon gruan, dhe krejt i habitur e pyet: ‘Mirë, po, ti kush je se?’. Gruaja, i përgjigjet: Jam, gruaja jote.

Pra, kur digjet shtëpia, digjet edhe ‘magjia’ që fshehet nën prag, qoftë ajo magjia e dashurisë apo magjia e urrejtjes.

(Përnjëmend është e paspjegueshme se pse po kemi kaq shumë qejf që këta njerëz mos me kalu pragun.
Vallai jena tranu, por ia vlen m’u ‘tranu’, nëse trenia na bën të ndjehemi kështu, të ‘gjallë’ ????.

Puthne pragun e mos u ktheni më.

P.S.
‘Asht ni letër, letër malli
Me shumë dhimbje ta kam shkru
Pranë teje çdo natë ëndrrova
Dora jote me pranu’

-Advertisement-

Më shumë artikuj

- Advertisement -

Të fundit