8.8 C
Pristina
Thursday, April 25, 2024

Nga 15 qershori plan i ri i vaksinimit në Kosovë, ende nuk dihet kur do të vaksinohen gazetarët

Rekomandime

Vaksinimi i qytetarëve të Kosovës po vazhdon në bazë të Planit Shtetëror të Vaksinimit, i cili që nga miratimi nuk ka pësuar ende asnjë ndryshim, e ku nuk përmenden askund gazetarët, fotoreporterët e kameramanët të cilët që nga dita e parë kur u konfirmuan rastet me COVID-19 raportuan nga vija e parë e frontit.

- Advertisement -

Teksa vetëm 3 për qind e qytetarëve sipas Planit tashmë janë imunizuar në Kosovë, Qeveria ka lehtësuar masat anti-COVID, ku ndër të tjera lejohet edhe lëvizja pa maska e qytetarëve kur janë vetëm dhe në ambient të jashtëm.

Mbi 1 milionë vaksina vetëm nga prodhuesi Pfizer pritet të vijnë deri në fund të vitit, teksa deri të premten janë vaksinuar mbi 60 mijë qytetarë.

Ministria e Shëndetësisë ka konfirmuar për Telegrafin se Plani Shtetëror i Vaksinimit do të përditësohej në bazë të nevojës, por në pyetjet se kur do të ndodh ky ndryshim dhe kur pritet të publikohet versioni i ndryshuar i Planit, MSH-ja nuk ka kthyer përgjigje.

- Advertisement -

Megjithatë, ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia ka deklaruar se Plani për vaksinimin masiv të qytetarëve pritet të hyjë në fuqi nga 15 qershori.

“Plani është para përfundimit dhe nga 15 qershori do të hyjë në fuqi, ku nga 15 qershori do të filloj vaksinimi në masë ku do të shtojmë edhe numrin e ekipeve të vaksinimit”, u shpreh Vitia në Kuvendin e Kosovës.

- Advertisement -

Po ashtu, Vitia ka thënë se për vaksinim masiv do të shtohet edhe numri i stafit, që si duket për të njëjtin qëllim Ministria e Shëndetësisë ka shpallur edhe konkurs për një numër të madh të infermierëve.

Në këtë konkurs të shpallur më 28 maj(dje) u është dhënë afat aplikantëve vetëm deri më 1 qershor që të aplikojnë.

Sipas Planit aktual të Vaksinimit, as në fazën e parë, as në të dytën e as në të tretën nuk është planifikuar të vaksinohen disa nga kategoritë të cilët kanë vazhduar punën gjatë gjithë kohës së pandemisë.

Punonjësit e shërbimeve esenciale, si ata në furra e markete, gazetarë, fotoreporterë e kameramanë nuk përmenden askund në Planin Shtetëror të Vaksinimit.

Madje, as në fazën e tretë kur sipas Planit Shtetëror të Vaksinimit, “vaksinimi do të shtrihet në pjesën tjetër prej 50% (apo 900,000 persona) të popullsisë në mënyrë që të arrije cakun prej 70% të mbulimit me vaksinim të përcaktuar nga vendi”, nuk figuron askund se do të vaksinohen punëtorët e medieve që e patën të pamundur shmangien e kontaktit me popullsinë, gjatë raportimeve në terren në më shumë se një vit përballje me pandeminë.

Kërkesë për t’i përfshirë gazetarët, kameramanët dhe fotoreporterët në grupet me prioritet të lartë, të cilët do të imunizohen që në dozat e para të vaksinave të cilat i ka pranuar Kosova ka drejtuar edhe Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës në Ministri të Shëndetësisë.

“Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës – AGK, më 6 dhe 14 prill ka dërguar kërkesë në Ministrinë e Shëndetësisë për t’i përfshirë gazetarët, kameramanët dhe fotoreporterët në grupet me prioritet të lartë, të cilët do të imunizohen që në dozat e para të vaksinave të cilat i ka pranuar Kosova”, thuhet në përgjigjen e AGK-së.

Kësaj kërkese, Ministria e Shëndetësisë i ishte përgjigjur më 14 prill, duke theksuar se në varësi të sasisë së vaksinave që kanë në dispozicion do të bëhet edhe planifikimi i vaksinimit të gazetarëve, për të cilën gjë AGK-ja, sipas përgjigjes së MSH-së, do të njoftohet me kohë.

Deri më tani, nuk ka ndonjë njoftim se në cilin grup do të vaksinohen punonjësit medieve.

Ndryshe, Qeveria ka marrë vendim për masat e përgjithshme dhe të veçanta për kontrollin, parandalimin dhe luftimin e pandemisë COVID-19 të cilat hyjnë në fuqi nga data 31 maj.

Është hequr ora policore, ndërsa gastronomia do të lejohet të punojë deri në ora 23:00. Po ashtu është lejuar lëvizja pa maska gjatë ecjes për qytetarët që janë vet dhe në ambiente të jashtme.

-Advertisement-

Më shumë artikuj

- Advertisement -

Të fundit