-0.1 C
Pristina
Wednesday, December 25, 2024

Nipat e atyre që i coptuan tokat shqiptar në 1878, 1913, 1915 dhe 1919, vazhdojnë sot të njëjtin synim

Rekomandime

Nëse ajo që po ndodh prej një dekade në Siri mund të quhet pa frikë “turpi i botës”, kjo që po ndodh me Kosovën mund të konsiderohet turpi i Evropës, i Kontinentit të Vjetër.

- Advertisement -

Nipat e atyre që e ndanë nga trungu shqiptar në 1878, 1913, 1915 dhe 1919, vazhdojnë sot, me marifete të reja dhe pretendime “moderne”, të njëjtin avaz, me hiletë, segregacionin dhe diskriminimin e Kosovës.

Edhe pse disa fuqi kryesore evropiane, në kuadrin e NATO-s, ndihmuan në çlirimin e saj nga zgjedha serbe në vitin 1999, prej atëherë e deri tani vazhdojnë të hedhin vickla, përdorin pretekste dhe sajojnë kushte e situata që një popullsie prej dy milion banorësh t’i pamundësohet qenia realisht e pavarur e sovrane në territorin e saj, të vetëvendos dhe të ndihet e barabartë midis popullsive të kontinentit në të cilin gjendet gjeografikisht dhe aspiron t’i bashkohet politikisht.

Megjithëse Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë e ka konsideruar legjitime shpalljen e pavarësisë së Kosovës, disa shtete evropiane, madje edhe anëtare të BE-së, të cilat i vënë kushte pas kushtesh dhe i bëjnë qortime pas qortimesh asaj dhe vendeve ballkanike për vendosjen dhe respektimin e ligjshmërisë, vazhdojnë të mos e njohin këtë pavarësi.

- Advertisement -

Dhe jo vetëm kaq, por vazhdojnë t’ua bëjnë me sy ish-pushtuesve, shtypësve të Kosovës dhe, madje të shprehen të gatshëm për pranimin e Serbisë në Bashkësinë Evropiane, si shtet dhe entitet politik që plotëson kushtet politike dhe respekton parimet demokratike, kaq shumë të propaganduara nga BE dhe po aq shpesh të braktisura prej këtij bashkimi.

Ndërsa shtetin serb, të cilin ende e drejtojnë disa ish-ministra të regjimit që e detyroi NATO-n të ndërhynte ushtarakisht për ndalimin e gjenocidit, e kanë pranuar si kandidat për anëtar të BE-së, shtetin e Kosovës e kanë margjinalizuar, thuajse izoluar dhe mashtruar.

- Advertisement -

Udhëheqja shtetërore serbe pritet e përcillet me ndere e respekt në shumë kancelari evropiane, megjithëse jo vetëm nuk pranon gjenocidin në Kosovë e Sebrenicë, por vazhdon të mos njohë Kosovën, të nxisë komunat me popullsi dominuese serbe në veri të saj që të mos e njohin shtetin “e tyre”, ta kundërshtojnë me dhunë sa herë ai kërkon zbatimin e ligjshmërisë dhe nënshtrimin e krimit. Dhe nuk ndalet me kaq, por edhe krijon tensione edhe në Bosnje dhe Kroaci nëpërmjet aktivizimit të pakicave serbe atje.

Rasti më i fundit, ai i tensioneve të shkaktuara në veri të Kosovës për shkak të rezistencës fizike dhe dhunës për mospranimin e zbatimit të një marrëveshjeje midis dy vendeve lidhur me targat e makinave, nuk të çudit për sjelljet e një pjese të popullsisë serbe atje dhe afrimin e forcave ushtarake në kufi nga qeveria serbe, por të brengos për qëndrimet e politikës evropiane e cila, në vend që të konsideronte reciprocitetin në marrëdhëniet midis shteteve dhe zbatimin e një marrëveshjeje dypalëshe ta shpallte si veprimin më normal dhe demokratik midis entiteteve politike evropiane, i bën thirrje qeverisë kosovare të largojë forcat e rendit nga vendshkelja e ligjit dhe i barazon veprimet dhe forcat shtetërore kosovare me veprimet e ligjshkelësve të dhunshëm serbë, duke iu kërkuar “të dyja palëve” të qetësohen dhe tërhiqen nga veprimet e tyre.

Në cilin shtet evropianoperëndimor mund të ndodhë që shteti dhe dhunuesit e ligjit të trajtohen si palë të barabarta?! Si mund t’iu bësh thirrje popujve dhe shteteve ballkanike t’i përmbahen parimeve të drejtësisë e ligjshmërisë, si kusht për t’u anëtarësuar në BE dhe, nga ana tjetër, të vësh në të njëjtën peshore dhunuesit e ligjit dhe ata që përpiqen për rivendosjen e tij në një hapësirë gjeografike dhe politike të Evropës?!

Para disa vitesh, ky Bashkim Evropian iu vuri disa kushte qeverive kosovare, plotësimi i të cilëve do të sillte heqjen e vizave për të lëvizur brenda territorit evropian. Megjithëse Komisioni Evropian deklaron se kushtet u plotësuan, Këshilli i Evropës vazhdon ta pengojë heqjen e vizave.

Çfarë është kjo bashkësi qeniesh të gjalla, më pak se dy milionëshe, në mes të Evropës, që nuk paska të drejtë të lëviz lirshëm nëpër territorin e një bashkësie njerëzish prej 450 milion banorë? A janë njerëz edhe këta dhe çfarë rreziqesh do të mund t’iu sillnin vendeve evropiane dhe popullsisë së tyre 250 herë më të madhe nëse qarkullojnë lirshëm nëpër territorin evropian?!

Çfarë rreziqesh i kanë sjellë Evropës kosovarët para disa dhjetëvjeçarëve kur e kishin të drejtën e udhëtimit pa viza brenda kontinentit?

Si mundet vallë që politika evropiane, nga njëra anë, iu vë kushte dhe kërkesa të pambarimta popujve dhe vendeve ballkanike për t’u pranuar në federatë dhe, nga ana tjetër, nuk zbaton premtimet e veta?! Dhe, çfarë është më e keqja, si është e mundur që praktikisht e shndërron një territor dhe popullsi kaq të vogël në Ballkan në një rezervat qeniesh ekzotike që, ndryshe nga 500 milion banorët e kontinentit, nuk mund të lëvizin pa viza jashtë territorit të tyre?!

Kur kupa e durimit duket se po mbushet, historikisht banorët e trojeve shqiptare kanë thënë dhe vazhdojnë të thonë: Mosni, bre burra, nuk bën kështu!

Megjithëse shumica e kancelarive evropiane e konsideruan statusin e dikurshëm politik, social dhe juridik të Kosovës si popullsi nën pushtim dhe gjenocid nga ana serbe dhe, prandaj, u dakordsuan dhe kontribuan në çlirimin e saj ushtarakisht, gati njëzet vjet më vonë imponuan krijimin e një instrumenti juridiko-gjyqësor të emërtuar “Prokurori dhe Gjykatë Speciale të Kosovës”.

Këto institucione juridike “të Kosovës” nuk kanë asnjë seli në territorin kosovar dhe asnjë prokuror apo gjykatës me shtetësi kosovare. E, si mund të jenë ato, atëherë, pjesë e drejtësisë së një shteti sovran, siç është Kosova?! Është dashur që, më mirë dhe burrërisht, aq sa mund të flitet për burrëri në Evropë, të krijoheshin dhe të quheshin “ndërkombëtare” ato institucione dhe të pranohej se një gjë e tillë po ndodhte nën presionin e shtetit ish-pushtues, miqve të këtij shteti në Lindje dhe miqve të miqve të tij në Perëndim. Institucione të veçanta, institucione sui generis, institucione të rreme krijohen vetëm për bashkësi shoqërore që konsiderohen të ndryshme dhe që (besohet se) nuk e meritojnë të trajtohen si të barabarta me pjesën tjetër të njerëzimit. Pse?!

A ka pasur “krime lufte” në Kosovë gjatë viteve 1998-1999? Pa diskutim, që ka pasur pasi krimi më i madh është vetë lufta dhe historia e njerëzimit nuk njeh asnjë rast të “luftërave të pastra”, asnjë rast ku të mos ketë edhe bashkëpunëtorë të fshehtë e të hapur të pushtuesve dhe asnjë rast kur nga luftimet të mos e pësojnë edhe njerëz të pafajshëm.

Por, të pretendosh se gjatë luftës midis ushtrisë së vendit të pushtuar dhe asaj të pushtuesit, e para ka pasur si strategji asgjësimin e banorëve të vet për motive fetare, etnike apo politike, kjo do të thotë të ndryshosh plotësisht karakterin e luftës, shkaqet dhe moralin e saj dhe ta shpallësh ndërhyrjen tënde të dikurshme ushtarake si të gabuar.

Të arrestosh dhe mbash të izoluar sot drejtuesit kryesorë të ushtrisë së një populli të pushtuar, gjysma e të cilit u shpërngul jashtë territorit kosovar nën tmerrin e dhunës dhe terrorit serb dhe, nga ana tjetër, të ulesh si i barabartë në tryezat politike e diplomatike me qeverinë e ish-vendit pushtues, një qeveri që shpall pa droje se ka pretendime territoriale kundrejt Kosovës, kjo do të thotë tallje me parimet e së drejtës historike, me vlerat e moralit njerëzor dhe, më në fund, diskreditim i pretendimeve të tua politike e demokratike.

Madje, siç bëhet e ditur nga Raportuesja për Kosovën, gjermaneja Kramon-Taubadel, “KE është bërë palë politike për interesa të aksit Orban-Vuçiç. Në lojë është integriteti i KE-së dhe gjithë BE-së në Ballkanin Perëndimor”.

Është e çuditshme sa i madh është guximi evropian për të mbajtur qëndrime diametralisht të kundërta dhe përdorur standarde të dyfishta kundrejt popujve dhe shteteve të ndryshëm. Ndërsa qëndrimi kundrejt Serbisë lidhur me mosnjohjen e shtetit të Kosovës dhe mbajtjen e pretendimeve territoriale ndaj saj si “djepi i Serbisë”, shprehet në formën e lajkave dhe këshillave, nga ana tjetër, takimet dhe marrëveshjet e Kosovës me shtetin serb kërkohen në forma prepotente deri me ultimatume.

Për çfarë duhet të bisedojnë dhe arrijnë marrëveshje qeveritë e dy shteteve kur njëri prej tyre, në këtë rast Serbia, i thotë tjetrit se më ke marrë “pronën” time dhe më ke zënë “karrigen” time të sundimtarit?!

Kur shikon njeriu i arsyeshëm sjellje e qëndrime të tilla të shumë qeverive evropiane dhe të një pjese të elitës politike të BE-së, nuk duhet të pyes vetëm veten, por gjithë botën: Pse ky qëndrim izolues dhe përçmues kundrejt një popullsie dhe minishteti në gjirin e Evropës? Ngaqë janë të varfër, ngaqë shumica e tyre i përkasin besimit islam apo sepse janë shtet i pakonsoliduar?

Nëse shkakun e përbëjnë njëri apo dy faktorët e parë, atëherë rezulton se politika evropiane është diskriminuese. Nëse është faktori i tretë, politika evropiane shfaqet antihistorike, pasi popujt dhe shtetet e shumicës prej vendeve anëtare të BE-së kanë pasur nevojë për disa shekuj dije dhe punë për të ardhur aty ku janë, kanë pasur nevojë për shumë dhjetëvjeçarë dhe shekuj lirie e pavarësie kombëtare për të drejtuar punët e veta dhe kanë pasur, e kanë ende, nevojë për një kohë të gjatë për të konsoliduar institucionet politike e juridike të tyre.

Nëse establishmenti politik evropian pret që vendet dhe popujt e Ballkanit të arrijnë të gjitha standardet ekonomike, politike e demokratike që Evropa ka sot për t’i bërë pjesë të bashkësisë federative evropiane, atëherë ose këto vende nuk do të bëhen kurrë të tilla ose vetë BE-ja do të bëhet i panevojshëm, i padobishëm, mosekzistente.

Do të ishte në interes të stabilitetit të Ballkanit dhe Evropës, në interes të paqes dhe në nderin e politikës evropiane t’iu shmangej sa më shpejt qëndrimeve diskriminuese, shumëstandardëshe dhe jo konsekuente kundrejt vendeve të tjera dhe, veçanërisht, kundrejt Kosovës si entiteti më i ri politik dhe subjekt i ri ndërkombëtar, i cili ka nevojë më shumë se cilido tjetër për ndihmë dhe përkrahje.

Mbetet të shihet nëse do të triumfojë Evropa e Iluminizmit dhe Humanizmit apo Evropa e kulisave, intrigave dhe pabesive. Shpresojmë tek e para.

Nga Viktor Malaj

-Advertisement-

Më shumë artikuj

- Advertisement -

Të fundit