4.5 C
Pristina
Wednesday, November 27, 2024

Nipi i Adem Grabovcit kandidat i PDK-së i fitoi 12 tenderë në vlerë 4,4 milionë euro

Rekomandime

Nipi i Adem Grabovcit, Valon Grabovci në maj të vitit 2019 e kishte vendosur nënshkrimin mbi një kontratë në vlerë 1,9 milion euro, si pronar i kompanisë “Zenith Group”.

- Advertisement -

Kjo ishte vetëm njëra nga 12 kontratat që dy bizneset e tij kanë fituar nëpërmes tenderëve gjatë 12 muajve të fundit nga institucionet e Kosovës. Këto kontrata kapin vlerën e rreth 4,5 milionë euro. Kurse, vetëm Zenith Group, që ishte regjistruar në gusht të vitit 2018 si biznes, ka arritur të fitojë 9 kontrata në vlerë prej 3.3 milionë euro nga institucionet e Kosovës.

Valon Grabovci është duke garuar për deputet në listën e Partisë Demokratike të Kosovës, e cila udhëhiqet nga Kadri Veseli. PDK-ja në këto zgjedhje po garon më premtimin kryesor për luftim të korrupsionit dhe nepotizimit. Veseli, listën e kandidatëve të PDK-së për deputet e ka proklamuar si listë pa persona me aktakuza për korrupsion e nepotizëm. E njëri prej personave të fuqishëm që ka mbetur jashtë listës së PDK-së është Adem Grabovci, i cili është pjesë e aktakuzës për rastin “Pronto”.Por, familja Grabovci do të ketë serish një kandidatë në listën e PDK-së, Valon Grabovci. Adem Grabovci i akuzuar në rastin e njohur si “Pronto” është duke bërë fushatë për nipin e tij, Valonin.

Nipi i Adem Grabovcit, Valoni është i ri në politikë, por jo edhe në biznes.Ai ka të regjistruara gjashtë biznese: tri prej të cilave figurojnë si të shuara në Agjencinë për Regjistrimin e Bizneseve. Ai aktualisht ka tri biznese aktive, dy prej të cilave kanë marrë 12 kontrata nga institucionet e Kosovës.

- Advertisement -

Valon Grabovci ka në pronësi të plotë biznesin “Zenith Group sh.p.k”. Ky biznes që ka kapital prej 100 mijë eurove dhe një punëtor është regjistruar në gusht të vitit 2018. Valon Grabovci i ka 50% të aksioneve në biznesin Enex – Trade SH.P.K. Ortak më të në këtë biznes është Visar Kelmendi.Kandidati i PDK-së për deputet ka hise edhe në biznesin: “3 N Construction SH.P.K.”. Në këtë biznes, Valon Grabovci ka 25% të aksioneve me një vlerë prej 100 mijë eurove. Aksionar në këtë biznes janë edhe djemtë e Adem Grabovcit, Guxim dhe Ngadhnjim Grabovci me nga 25% të aksioneve. Të dytë kanë 50% të aksioneve në këtë kompani me një vlerë prej 200 mijë eurove. Aksionari i katërt në këtë kompani është Nazmi Grabovci me 25% të aksioneve.

Edhe pse biznes i ri, “Zenith Group” në pronësi të Valon Grabovcit ka arritur të dal fitues në një tender me vlerë të madhe që është iniciuar nga Ministria e Administratës Publike.Me 20 maj 2019, Grabovci e ka nënshkruar kontratën 1 milion e 912 mijë euro së bashku me dy përfaqësuesit e ministrisë: ministrin Mahir Yagcilar dhe sekretarin e përgjithshëm, Arton Berisha. Zenith Group në këtë tender kishte garuar me tri biznese tjera: ‘Mak-building’, ‘Astraplan’ dhe ‘Beni-Com’. Biznesi i nipit të Adem Grabovcit do të ndërtojë objektet për “Komisionin e Pavarur për miniera dhe minerale dhe Agjencinë e Kosovës për Mbrojtjen e Mjedisit”. Vlera e përgjithshme e kontratës është 1 milionë e 912 mijë euro.Kjo nuk është kontrata e vetme që ka fituar biznesi i nipit të Adem Grabovcit.Biznesi i nipit të Grabovcit që ishte regjistruar me 27 gusht të vitit 2018, kishte arritur të dal fitues në një tender në Universitetin e Prishtinës “Hasan Prishtina” vetëm dy muaj më vonë, me 26 tetor 2018. Vlera e kontratës së fituar në Universitetin e Prishtinës ishte 297 mijë euro. Edhe në këtë aktivitet të prokurimit, Zenith Group ishte në konzorcium me kompaninë “Astra Plan”.

- Advertisement -

Biznesi i nipit të Adem Grabovcit e kishte fituar edhe një kontratë tjetër nga Universiteti i Prishtinës. Zenith Group ishte shpallur fitues në llotin 2 te tenderit “Furnizim me Pajisje Laboratorike për Departamentin e Ndërtimtarisë dhe Arkitekturës”, në vlerë prej 317 mijë euro. Kjo kontratë është nënshkruar në korrik të vitit 2019.Universiteti i Prishtinës “Hasan Prishtina” i ka dhënë edhe disa kontrata të tjera biznesit të Grabovcit. Në tenderin për “Rregullimi i infrastrukturës në UPHP” me vlerë të parashikuar prej 1.2 milion euro, Zenith Group ka fituar gjashtë llote.Llotin e parë për renovimin e Rektoratit e ka fituar së bashku me “Astraplan” në vlerë prej 13 mijë e 192 euro. Konsorciumi i udhëhequr nga “Zenith Group” ka fituar edhe llotin 5 për renovimin e “FNA” në vlerë prej 79 mijë e 190 euro.

Biznesi i Grabovcit e ka fituar edhe llotin 10 për ‘renovimin e ndërtesës së fakultetit të Edukimit’ në vlerë prej 71 mijë e 397 euro. I njëjti biznes e ka fituar edhe llotin 12 për renovimin e FIM në vlerë prej 82 mijë e 586 euro, si dhe llotin 13 për renovimin e fakultetit Filozofik në vlerë prej 9 mijë e 832 euro. Biznesi i kandidatit të PDK-së për deputet e ka fituar edhe llotin 14 për renovimin e ndërtesës së “FIM” në vlerë prej 531 mijë euro. Në total, vetëm në këtë tender kompania e Valon Grabovcit ka fituar 6 kontrata në vlerë prej 787 mijë e 397 euro.

Valon Grabovci ka fituar edhe disa kontrata të tjera nga institucionet e Kosovës me biznesin tjetër, “Enex- Trade”, në të cilin ka gjysmën e aksioneve. “Enex-Trade” ka fituar tender në vlerë 344 mijë e 605 euro nga Agjencia për Menaxhimin e Komplekseve Memoriale të Kosovës. Kontrata e nënshkruar me 2 shtator 2019, ka të bëjë me projektin për ‘Ndërtimi i KM Shtabi dhe Varrezat e Dëshmorëve në Shqiponjë – Gjakovë që përfshinë të vrarët e këtij fshati në luftën e fundit në vitin 1998-99’. “Enex- Trade” në këtë tender ka aplikuar së bashku me kompaninë ‘H & B – Consulting SH.P.K’.“Enex-Trade” ka fituar edhe një tender tjetër. Kjo kompani që është në pronësi të nipit të Adem Grabovcit ka nënshkruar kontratën në vlerë prej 719 mijë euro për “Ndërtimi i rrugës Shqiponjë- Kralan (Ruga Shaban Zeka)” me komunën e Gjakovës. “Enex-Trade” ishte në konsorcium me kompaninë “JOOS & KRASNIQI – BAZE SH.P.K”.

Kjo kontratë është nënshkruar me 26 korrik 2019.Biznesi i nipit të Adem Grabovcit ka fituar edhe një kontratë tjetër, në vlerë prej 113 mijë euro për “ndërtimin e objektit të Gjykatës Themelore në Gjakovë- punët shtesë dhe të pa parapara’. Autoritet kontraktues në këtë tender ishte Ministria e Administratës Publike.Madje kjo kontratë ishte nënshkruar me 25 tetor të vitit 2018 nuk ishte përmes procedurës së hapur, por ishte zhvilluar përmes procedurës me negociata të drejtpërdrejta, pa publikim të ‘njoftimit për kontratë”.

Valoni ishte njohur edhe në incidentin ku u vetëplagos gruaja e Adem Grabovcit. Arma e incidentit ishte e tij por gjykata e amnestoj nga përgjegjësia pasi vepra ishte ambestuar me ligj.

-Advertisement-

Më shumë artikuj

- Advertisement -

Të fundit