-2.4 C
Pristina
Thursday, December 19, 2024

Paralajmërohet skenari për rrëzimin e qeverisë Kurti 2 përmes Kushtetuesës, sherri i Listës Serbe

Rekomandime

Ish-deputetët e komunitetit rom, egjiptas dhe boshnjak, Albert Kinolli, Veton Berisha dhe Duda Balje të cilët nuk arritën të fitojnë ulëse në Kuvend thanë për Gazetën Express se të drejtën e ankimimit do ta vazhdojnë deri në Gjykatë Kushtetuese. Sipas Veton Berishës nga komuniteti egjiptian, nëse ankesa e tyre shkon deri në Kushtetuese atëherë janë të bindur që rastin do ta fitojnë por që do të ketë mundësi që sërish të rrëzohet qeveria shkaku i deputetëve jolegjitimë.

- Advertisement -

Komunitetet joshumicë sot kanë dorëzuar ankesë në PZAP lidhur me votat, sipas tyre, të orkestruara nga Lista Serbe për partitë boshnjake dhe rome.

Përfaqësuesit politikë të komunitetit boshnjak, rom, ashkali dhe egjiptas pretendojnë se partia boshnjake “Komuniteti i Bashkuar Adrijana Hoxhiq” dhe “Iniciativa Rome” kanë siguruar vota në zgjedhjet e 14 shkurtit, me ndihmën e Listës Serbe.

Ish-deputeti nga Partia Liberale Egjiptiane, Veton Berisha tha për Express se ankesa e tyre do të pranohet nga PZAP’ja pasi ka prova të mjaftueshme që është shkelur Kushtetuta.

- Advertisement -

“Mendojmë që bindshëm do ta fitojmë rastin ligjërisht me ankesën tonë në PZAP. Në rastin tonë që e kemi kontestuar këtë iniciativën rome, 95,5% votat janë marrë nga votuesit e komunitetit serb ku jetojnë ata. Këtu shkelet Kushtetuta neni 64, pika 4 dhe Ligji për Zgjedhjet neni 111, dhe neni 58 ku shtetit duhet me garantu që secilit komunitet me ia rujtë të drejtën e përfaqësimit politik. Ne kemi fakte dhe konstatojmë që devijimi i votave ka ndodhur ku dy përfaqësues që janë zgjedhur nuk po i njeh askush. Lista Serbe ka ndërhyrë edhe tek romët edhe tek boshnjakët. Ne jemi të kategorizuar në tri komunitetet romë, ashkali dhe egjiptian dhe vendi i katërt për komunitetin që ka fituar më së shumti prandaj në kushte normale ne si egjiptian kemi fituar më së shumti por devijimi që ka ndodhur prej tyre e kanë qitë komunitetin rom më saktësisht e njëjta parti i ka marrë dy deputetë”, tha ai.

Por ish-përfaqësuesi i komunitetit egjiptian në Kuvend, thotë se nëse ankesa e tyre shkon deri në Gjykatë Kushtetuese atëherë rastin do ta fitojnë në këtë instancë por që do të jetë vonë pasi sipas tij mund të ketë sërish rrëzim qeverie shkaku i deputetëve jolegjitimë.

- Advertisement -

“Unë nuk pres që PZAP nuk e aprovon ankesën, por në rast se nuk binden është mundësia ligjore për ankimim në Gjykatën Supreme pastaj përfundimisht në Gjykatën Kushtetuese. Ne jemi të bindur që në Gjykatën Kushtetuese fitojmë por çështja është që pastaj ka mundësi të na ndodhë përsëri e njëjta situatë që ra qeveria si pasojë e deputetëve jolegjitimë por atëherë bëhet vonë. Kjo punë duhet të sqarohet para se të formohen institucionet sepse pastaj është vonë dhe ka me u detyru me ankesat tona me u rrëzu prapë qeveria”, u shpreh Berisha.

Kurse ish-deputetja Duda Balje nga Unioni Socialdemokrat në një përgjigje për Express tha se kanë dorëzuar dëshmi të mjaftueshme në PZAP që ta fitojnë rastin.

“Ne shpresojmë që do të dalim fitues për rastin sepse është shkelur kushtetuta dhe kemi dorëzu dëshmi në PZAP. Nëse nuk vendosin në të mirën e komuniteteve, atëherë do ta dërgojmë ankesën në Gjykatën Supreme por edhe në Gjykatë Kushtetuese. Shpresoj që PZAP do të reagojë në interes të komuniteteve sepse kemi shtet multietnik, nëse jo ka ra demokracia”, tha ajo.

Edhe ish-deputeti Albert Kinolli shpreson që PZAP’ja të ju jap të drejtë në rastin e ankesës së tyre por nëse jo do ta dërgojnë atë tek organi më i lartë i drejtësisë në vend, Gjykatën Kushtetuese.

E kemi shfrytëzuar të drejtë tonë ligjore dhe kushtetuese dhe mendoj se kemi dhënë prova të mjaftueshme dhe arsye të bollshme që dëshmojnë që aty ka parregullësi ka shkelje të kushtetutës, ka edhe orkestrim të votave dhe 90% të votave që vijnë nga komunat me shumicë serbe ku shumë pak romë jetojnë, apo ka vende ku në Partesh, Kllokot e Ranillug ku s’ka fare romë e ka vota boll. Ne mendojmë se PZAP si organ që mundet me i shqyrtu këto ankesa do ta bëjë punën e vet. Nëse nuk arrijmë rezultatin e dëshiruar atëherë ankesën do ta shtrojmë edhe në Gjykatën Supreme por edhe në Gjykatën Kushtetuese nëse nuk marrim rezultat pozitiv si komunitet Ashkali, Rom e Egjiptian.

Nuk dua të paragjykoj por ne e kemi kryer obligimin tonë, në radhë është që PZAP ta kryejë detyrën e vet dhe ta shqyrtojnë ankesën tonë dhe ta japin fjalën përfundimtare.

Kinolli i tha Gazetës Express se kanë prova të bollshme që vota e romëve është devijuar nga Iniciativa Rome ku në Graçanicë nga 400 votues potencialë ata kanë marrë 1680 vota.

“Ne kemi parashtruar ankesën për Iniciativën Rome sepse s’ka logjikë që në Graçanicë ka 742 banorë potencialisht 380 deri në 400 votues e në Graçanicë i kanë marrë 1680 vota, kjo tregon se votat janë të orkestruara nga Beogradi dhe Lista Serbe po mundohet që autoritetin e saj ta shtrijë sa më shumë në Kuvendin e Kosovës përmes atyre që janë zgjedhur nga vet ata”, tha Kinolli.

Komunitetet joserbe thonë se “Iniciativa Rome”dhe “Komuniteti i Bashkuar Adrijana Hoxhiq”, në zgjedhjet e 14 shkurtit kanë marrë vota në vendbanime ku nuk jetojnë të këtyre komuniteteve.

Sipas rezultatit të shpallur nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, “Iniciativa Rome” ka fituar dy ulëse në kuvend, ndërkaq partia boshnjake, “Komuniteti i Bashkuar Adrijana Hoxhiq”, ka fituar një ulëse.

Sipas Kushtetutës së Kosovës, komuniteti boshnjak i ka të garantuara tri ulëse në Kuvendin e Kosovës. Komuniteti turk ka të garantuara dy ulëse, ndërkaq për përfaqësuesit e komuniteteve rom, ashkali dhe egjiptas janë të garantuara nga një ulëse si dhe një ulëse shtesë për njërën nga këto komunitete, që fiton më së shumti vota. Një ulëse të garantuar i takon edhe komunitetit goran.

Përllogaritja e Listës Serbe që të fus nën kontrollë 2/3 e 20 vendeve të garantuara për pakicat ka dalur të jetë i suksesshëm.

Të paktën katër kandidatë nga komunitetet joserbe që kanë fituar mandatin e deputetit pritet që të bashkëpunojnë ngushtë me Listën Serbe kjo pasiqë ata janë mbështetur fuqishëm me vota nëpër komunat me shumicë serbe.

Sipas rezultatit të shpallur nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, “Iniciativa Rome” ka fituar dy ulëse në kuvend, ndërkaq partia boshnjake, “Komuniteti i Bashkuar Adrijana Hoxhiq”, ka fituar një ulëse dhe ai goran një ulëse./GazetaExpress/

-Advertisement-

Më shumë artikuj

- Advertisement -

Të fundit