1.7 C
Pristina
Thursday, December 26, 2024

Pas “Ballkanit të Hapur” fshihet shkëmbimi i territoreve? SHBA dhe Gjermania janë të informuara për qëllimin serb, ky është skenari

Rekomandime

Ballkani i Hapur tani quhet iniciativa e Shqipërisë, Serbisë dhe Maqedonisë së Veriut për ekonominë e vendeve të Ballkanit.

Kjo iniciativë që nuk u përkrah nga Kosova fillimisht u quajt Minishengeni Ballkanik dhe së fundi iu ndërrua emri. Megjithatë, Kosova vazhdon të jetë kundër kësaj ideje serbe.

- Advertisement -

Kritika për këtë mori kryeministri shqiptar, Edi Rama, që u bashkua me presidentin serb Aleksandër Vuçiq dhe doli kundër Kosovës, duke e kritikuar kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti.

Por, sipas mediave e analizave ruse, pas kësaj iniciative fshihet shkëmbimi i territoreve të Serbisë me Kosovën, ide e Vuçiqit që u kundërshtua nga shtetet mike të Kosovës.

Lidhur me këtë, rrezikun për Kosovën dhe sa ekziston mundësia që Vuçiq të arrijë synimin e tij të shkëmbimit të territoreve, ka folur profesori universitar Enver Bytyçi.

- Advertisement -

Ai ka thënë se kësaj iniciative iu ndryshua vetëm emri dhe asgjë nga projekti.

“Mediet ruse por edhe media të tjera, kanë vënë në dukje faktin se Ballkani i Hapur është thjesht një ndryshim emri nga Minishengeni Ballkanik. Edhe ditën që u shpall iniciativa “Open Balkan” në Shkup, protagonistët e kësaj iniciative, pra presidenti i Serbisë, Vuçiç, kryeministri i Shqipërisë, Rama dhe ai i Maqedonisë së Veriut, Zaev, nuk artikuluan asnjë ndryshim të projektit. Thjesht komunikuan ndërrimin e emërtimit. D.m.th arna të reja në kostumin e vjetër”, ka thënë ai.

- Advertisement -

Bytyçi mendon se ka shumë indikatorë që na bëjnë me dije se Open Balkan, ashtu si edhe Minishengeni ballkanik dje, janë edhe vazhdimësi e projektit serb të ndarjes së Kosovës.

“Nuk jam në dijeni të faktit se mediat ruse e trajtojnë Open Balkan si një vazhdimësi të idesë së presidentit të Serbisë për shkëmbim territoresh me Kosovën. Kjo ide erdhi në publik para rreth katër vitesh dhe nga 29 prilli i vitit 2019, dukej sikur u arkivua në Samitin e Berlinit. Megjithatë shumë indikatorë na bëjnë me dije se Open Balkan, ashtu si edhe Minishengeni ballkanik dje, janë jo vetëm vazhdimësi e njëri-tjetrit, por edhe vazhdimësi e projektit serb të ndarjes së Kosovës”, është shprehur profesori.

Sipas tij, me këtë projekt, Serbia synon ta zhbëjë pavarësinë e Kosovës.

“Së pari, duhet kuptuar se Serbia është një vend që nuk tërhiqet nga objektivat e veta. Në diplomacinë e saj ajo shquhet për gjetjen e shumë alternativave për të realizuar qëllimet anti-shqiptare në rastin konkret. D.m.th, kur i dështoi diskutimi i drejtpërdrejtë për ndryshimin e kufijve, hodhi në tregun politik mënyrën e tërthortë të realizimit të këtij plani. Nuk ka të bëjë Open Balkan me “shqetësimin” e madh të Vuçiq e të Edi Ramës për mirëqenien e qytetarëve. As me lehtësimin e biznesit, punësimit, lëvizjes së lirë etj. Ai projekt fsheh faktin se Serbia përmes tij dëshiron ta defunksionalizojë shtetësinë e Kosovës dhe përfundimisht ta zhbëjë pavarësinë e saj, sigurisht në marrëveshje me kryeministrin e Shqipërisë për ta ndarë atë. Një gjë duhet kuptuar nga çdo shqiptar: Nëse presidenti serb nuk do ta kishte rekrutuar kryeministrin e Shqipërisë, nuk do të niste një iniciativë e tillë. Suksesi i Vuçiq është rekrutimi i Edi Ramës në planet serbe kundër Kosovës”, ka vlerësuar Enver Bytyçi.

Më tej, ai përmend deklaratat gjermane dhe amerikane për Open Balkan, për çka thotë se janë të informuar për prapavijën e qëllimeve serbe në të iniciativë, ndërsa thotë që Rama nuk dëshiron të informohet sepse për të vlen më shumë vlen egoja e tij.

“Së dyti, këto dy ditë kishte një deklaratë të zëdhënësit të qeverisë gjermane për iniciativën e Open Balkan. Ai shprehej se “Jemi në dijeni” të kësaj iniciative. D.m.th ishin në dijeni të një diçkaje të parëndësishme për RF të Gjermanisë. Edhe departamenti I Shtetit në deklaratën e tij nuk e përmend asnjëherë Open Balkan-in. Sigurisht që vendet demokratike inkurajojnë bashkëpunimin, integrimet rajonale, lëvizjen e lirë, tregtinë e lirë etj. Kjo ka ndodhur edhe me deklaratën gjermane, edhe me atë amerikane. Por unë kuptoj se në të dy deklaratat këto zhvillime të komponentëve të lirisë inkurajohen në kuadër të procesit të Berlinit, jo të procesit të Open Balkan. Kundërshtia gjermane dhe ftohtësia amerikane ndaj Open Balkan, Minishengenit Ballkanik, jep të kuptosh se ata janë të informuar për prapavijën e qëllimeve serbe në të iniciativë. A është i informuar kryeministri i Shqipërisë për këtë?! Unë mendoj se ai nuk dëshiron të informohet, sepse më shumë vlen egoja e tij, se sa interesat e Kosovës e të Shqipërisë”, ka theksuar profesori për “Bota sot”.

Së treti, Bytyçi ka thënë se ideja e shkëmbimit të territoreve është dilema dhe frika pse Kosova, Mali i Zi dhe Bosnja nuk kanë marrë pjesë në Open Balkan.

“Së treti, mospjesëmarrja e Kosovës, por edhe e Malit të Zi dhe Bosnjë-Hercegovinës është pasojë e mosbesimit. D.m.th e frikës se pas këtyre iniciativave fshihet një djall i madh. Djalli mund të jetë i llojeve të ndryshme, por ideja e shkëmbimit të territoreve është dhe mbetet një nga dilemat dhe pikëpyetjet e mëdha. Nuk e di se çfarë interesi do të kishte Maqedonia e Veriut nga kjo djallëzi serbe?! Apo Zoran Zaev është bashkuar në plane të tilla me Aleksandër Vuçiç dhe Edi Ramën?”, ka deklaruar ai.

Ai përmend dhe trysninë ndaj shqiptarëve në Luginën e Preshevës që të pakësohet numri i tyre, kështu që nëse ndodh shkëmbimi i territoreve, Kosovës t’i jepet sa më pak territor nga ajo zonë.

“Së katërti, këta muajt e fundit ka njoftime pafund për ushtrimin e një trysnie të madhe ndaj shqiptarëve në Luginën e Preshevës, që ata të largohen nga vendi dhe të pakësohet numri i shqiptarëve atje. Sa më pak shqiptarë në Luginën e Preshevës, aq më pak territor nga kjo zonë do t’i jepet Kosovës, nëse do të ndodhte shkëmbimi i territoreve. Ndaj dhe Serbia po bën edhe një farë parapërgatitje në terren, duke mundësuar shpërnguljen e shqiptarëve nga ato territore, të cilat mendohen se mund t’ jepen Kosovës në këmbim të Trepçës dhe veriut të vendit”, ka thënë Bytyçi.

Se a mund të ndodhë një gjë e tillë, pra shkëmbim i territoreve, profesori mendon se politikanët do të bashkohen në qëndrimet e tyre dhe duhet evituar përçarjet, ndërsa që Vuçiqin nuk e shpëton as Rama e as Zaev.

“A mund të arrihet një gjë e tillë? Nuk e besoj, nëse institucionet e Kosovës, qeveria, kryeministri Kurti dhe presidentja Osmani, partitë politike do të bëhen e do të jenë bashkë në qëndrimet e tyre. Duhet evituar përçarja e politikës në Kosovë. Sa kohë politika e Kosovës është e unifikuar në luftën kundër planeve serbe në Kosovë, Republika e Kosovës është dhe do të jetë e sigurt dhe e garantuar. Presidentin Vuçiq nuk e shpëtojnë dot as kryeministri Rama, as kryeministri melez, Zaev”, ka përfunduar profesori Enver Bytyçi.

-Advertisement-

Më shumë artikuj

- Advertisement -

Të fundit