12.7 C
Pristina
Tuesday, April 30, 2024

PASURIA QË S’MUND TË ARSYETOHET DUHET TË KONFISKOHET, KURTI: NUK I JAP AMNISTI ASKUJT

Rekomandime

Pretendenti kryesor për kryeministër të Kosovës, Albin Kurti, u ka shpallur luftë zyrtarëve të lartë publik që janë pasuruar në mënyrë të paligjshme. “Pasuria e cila nuk mund të justifikohet duhet të konfiskohet”, shprehet i vendosur ai. Si model, Kurti merr Britaninë e Madhe, pasi atje, siç thotë ai, pasuritë konfiskohen edhe me raste civile, pa pasur fare nevojë për padi penale, shkruan AktivPress.

- Advertisement -

“Në Kosovë, me pagë 1 mijë apo 1.500 euro në institucionet publike e me pronësi dy-tri shtëpi, 5- 6 makina, dy-tri pushime verore e dy të tilla dimërore- nuk është e mundur”, ka thënë Kurti në Top Channel. “Neve po na ofendohet edhe inteligjenca edhe logjika, prandaj ne duhet të veprojmë se këta janë të dëmshëm për shoqërinë, janë dëm për demokracinë dhe dëm për ekonominë”, ka shtuar ai.

Kurti megjithatë do të jetë i detyruar të bashkëqeverisë me LDK-në, njërën nga partitë që ka qenë në pushtet për kohë të gjatë, dhe në të shumtën e herëve, akuzat për shkallën e korrupsionit, mosfunksionimin e sistemit të drejtësisë dhe ngecjen në zhvillimin ekonomik, i faturohen edhe asaj.

Opozitari më jetëgjatë në skenën politike në Kosovë, megjithatë zotohet se kur ta marrë drejtimin e Qeverisë nuk do ta aministojë askë.

- Advertisement -

“Jo vetëm ata të Lidhjes Demokratike të Kosovës, por në Prokurori do t’i qojmë dhe zyrtarët e Vetëvendosjes. Nuk ka amnisti brenda nesh kur ne duam sundim të ligjit gjithandej”, ka deklaruar Kurti, duke u lutur që të mos i bëhen krahasime me të tjerët.

“Unë nuk i jap amnisti askujt, prandaj mos më krahasoni me këta tjerët që u jepnin aministi të vetëve. Unë nuk jam ashtu”, thotë ai.

- Advertisement -

Por, si do të hapet kjo luftë në Kosovë?

Kurti thotë se kjo do të bëhet vetëm duke e lënë prokurorinë ta kryej punën e vet- pra duke mos i vënë  pengesa, siç ka ndodhur në të kaluarën.

Zyra Shtetërore e Hetimit

Çështja e konfiskimit të pasurisë së pajustifikueshme është trajtuar edhe nga grupet punuese të VV-së dhe LDK-së për harmonizimin e programit qeverisës.

AktivPress shkruan se VV-ja ka hedhur në tavolinë idenë e krijimit të Zyrës Shtetërore të Hetimit.

Arben Gashi nga LDK, si njëri prej anëtarëve të grupit punues ditë më parë ka sqaruar se si është planifikuar të funksionoj zyra në fjalë.

Zyra Shtetërore e Hetimit, sipas tij, parashihet të ketë të paktën katër departamente kryesore.

“Departamenti i parë do të jetë hetimi i krimit të organizuar, departamenti i dytë do të jetë luftimi i korrupsionit, departamenti i tretë janë vrasjet politike dhe departamenti i katërt do të jetë hetimi i krimeve të vjetruara”, ka shpjeguar Gashi.

“Këto do të jenë katër fushat kryesore ku do të fokusohet ky departament dhe do të jetë nën menaxhimin e Prokurorisë. Pra do të angazhohen prokurorët më të mirë në këtë vend dhe nuk do të ketë më mundësi që të fillojë hetimin një hetues policor dhe të merr leje te prokurori dhe ai të merr leje në gjykatë dhe të bëhet një cikël që komplikohet dhe humb në sistem”, ka shtuar ai.

Ideja është që kjo Zyre e Hetimit të jetë e pavarur nga politika.

Pasuria e konfiskuar t’u kthehet qytetarëve

Institucionet përgjegjëse në Kosovë janë kritikuar në vazhdimësi për dështim në luftimin e korrupsionit të nivelit të lartë.

Muajin e kaluar, siç shkruan AktivPress, teksa po shënohej 10 vjetori i “Javës për të Drejtat e Viktimave të Krimit”, përfaqësues diplomatikë në Kosovë u shprehën se populli i Kosovës është viktimë e zyrtarëve të lartë të shtetit, të cilët në mënyrë të jashtëligjshme kanë përfituar në kurriz të tyre.

Më e drejtpërdrejt nga gjithë pjesëmarrësit ishte përfaqësuesja nga Ambasada e Zvicrës në Kosovë, Katarina Stoker.

“Në Kosovë kemi një numër të vogël të konfiskimit të pasurisë. Zyrtarët përfitojnë nga pasuria e përfituar nga krimi. Është imperativ që pasuria e vjedhur ose e fituar në mënyrë të paligjshme të konfiskohet dhe t’u kthehet qytetarëve të Kosovës”, u shpreh ajo.

Në pesë vitet e fundit, e gjithë vlera e pasurisë së konfiskuar që është fituar në mënyrë të paligjshme kap shifrën 3.8 milionë euro, për sa kohë që vlera e pasurisë së sekuestruar, arrin në mbi 150 milionë euro.

Këto shifra tregojnë një disproporcion jashtëzakonisht të madh në mes pasurisë së sekuestruar dhe asaj të konfiskuar.

Vetëm gjatë këtij viti, siç është raportuar nga REL-i, janë 200 mijë euro pasuri të konfiskuar përfundimisht.

Rasti me vlerën më të madhe këtu, theksohet të jetë ai i konfiskimit të pasurisë së fituar në mënyrë të paligjshme nga një zyrtar i një institucioni publik, ku gjykatat kanë vendosur t’ia konfiskojnë atij përfundimisht një shtëpi dhe një automjet si dobi pasurore të fituara me vepër penale

-Advertisement-

Më shumë artikuj

- Advertisement -

Të fundit