Departamenti amerikan i Mbrojtjes njoftoi se një tjetër balonë kineze, që po përdoret për motive përgjimi, po fluturon mbi Amerikën Latine. Të enjten, një balonë e ngjashme u zbulua duke fluturuar mbi Shtetet e Bashkuara, e cila sipas medias amerikane, duket se po lëviz drejt Karolinës së Veriut. Autoritetet po e mbajnë atë nën monitorimin të vazhdueshëm, ndërsa ka patur thirrje edhe për konsiderimin e mundësive për ta rrëzuar atë.
Pentagoni pohoi njoftimet se një balonë e dytë kineze po fluturonte mbi Amerikën Latine.
“Vlerësojmë se është një tjetër balonë kineze, që po përdoret për përgjim”, tha në një deklaratë gjeneral brigade Patrick Ryder, sekretar i shtypit të Pentagonit.
Më herët të premten, ai u tha gazetarëve në Pentagon se balona e cila u pa tek fluturonte mbi Shtetet e Bashkuara, po përdoret për qëllime përgjimi. Autoritet amerikane e konsideruan këtë një ngjarje të rëndë në shkelje të hapur të hapësirës ajrore amerikane dhe ligjit ndërkombëtar. Por Pekini këmbëngul se balona është civile dhe ka për qëllim të mbledhjen e të dhënave meteorologjike.
Zoti Ryder nuk hyri në detaje, por tha se zyrtarët e mbrojtjes e dinë se kemi të bëjmë me një balonë spiune dhe se zyrtarët kinezë janë informuar rreth pakënaqësive të palës amerikane.
Krahas tensioneve diplomatike, balona kineze që u pa tek fluturonte mbi shtetin e Montanës, ka alarmuar banorët e kësaj zone.
Balona që po fluturon në një lartësi prej 18 kilometrash mbi tokë, besohet se është futur në hapësiren ajrore amerikane përmes Alaskës. Pastaj ajo thuhet se ka lëvizur në drejtim të jugperëndimit të Kanadasë, para se të futej në Montana.
“Vlerësuam se aktualisht nuk përbën rrezik fizik për njerëzit në tokë. Tani për tani po vazhdojmë ta monitorojmë dhe shqyrtojmë opsionet”, tha gjeneral brigade Patrick Ryder.
Zyrtarët thonë se balona është e madhe sa pothuajse tre autobuzë. Sipas një zyrtari të lartë amerikan ajo është e pajisur me kamera shumë cilësore e panele diellore.
“Ne e pamë atë. Po fluturon në një lartësi të madhe, ndoshta rreth 15 kilometra”, thotë një pilot.
Kina vazhdon të këmbëngulë se ajo është një balonë civile, për hulumtime shkencore, e cila ka humbur kontrollin.
Por Pentagoni e hodhi poshtë një gjë të tillë.
“E dimë se është balonë kineze që ka aftësi për t’u manovruar. Ne e kemi thënë qartë se ky balon ka shkelur hapësirën ajrore dhe ligjin ndërkombëtar dhe se kjo është e papranueshme”, tha zoti Ryder.
Sekretari amerikan i Shtetit Antony Blinken shtyu vizitën e planifikuar për këtë fundjavë në Pekin.
“Arritëm në përfundimin se në këtë kohë nuk kishte kushte të përshtatshme për një vizitë konstruktive”, tha zoti Blinken.
Ligjvënësi nga shteti i Montanës Ryan Zinke bëri thirrje për rrëzimin e balonës.
Por Pentagoni u shpreh kundër një opsioni të tillë, nisur nga rreziku që mund të paraqiste për njerëzit, apo dëmet e mundshme materiale që mund të shkaktonte. Shtëpia e Bardhë tha se Presidenti Biden pajtohet me rekomandimin e Pentagonit./VOA
Foto: Ilustrim