11.3 C
Pristina
Wednesday, May 1, 2024

Përplasja e re Hoti – Haradinaj| Ministrat e AAK-së nuk kishin votuar kundër propozimit të kryeministrit

Rekomandime

Përfaqësuesit e partisë së Ramush Haradinajt nuk votuan kundër propozimit që të shuhet Task Forca Anti-Korrupsion, derisa, ditë më vonë, pikërisht kjo pikë e ngjalli një betejë të re LDK – AAK. Deputeti i Aleancës, Pal Lekaj thotë për Gazetën Express se koalicioni është stabil. Ehat Miftaraj nga IKD në anën tjetër vlerëson se dy subjektet po mundohen që me këto përplasje të përfitojnë politikisht.

- Advertisement -

Pos, Ministrit të Drejtësisë, Selim Selimit që zgjodhi të abstenojë kur kryeministri Avdullah Hoti propozoi shuarjen e Task-Forcës Anti-Korrupsion të krijuar në vitin 2010-të, askush tjetër në ekzekutiv nuk doli kundër.

Diskutimet për këtë temë mes partnerëve, e përplasjet që kohëve të fundit kanë arritur kulmin, rrodhën pas disa ditësh, e kur veç ndërkombëtarët i kishin dhënë kritikat e tyre karshi këtij vendimi.

Kreu i Qeverisë, Avdullah Hoti mori disa kritika nga partneri i tij kryesor në koalicion, AAK-ja, derisa, i propozuari i këtij subjekti për president, Ramush Haradinaj tha se shkarkimi i task forcës kundër korrupsionit shkakton pasiguri juridike.

- Advertisement -

Përplasja e vikendit në mes të Hotit dhe Haradinajt që u zhvillua përmes statuseve në Facebook, nuk po shihet si problematike për deputetin e AAK-së, Pal Lekajn.

Lekaj ka thënë sot në një përgjigje për Gazetën Express se të njëjtat kanë qenë shprehje e mendimeve, e rrjedhimisht jo përplasje.

- Advertisement -

“Këto shprehje mendimesh për mua nuk janë përplasje. Ka disa çështje me të cilat përballemi në politike që krijojnë mendime të ndryshme në mes të anëtarëve të së njëjtës parti e lëre më në mes të partive të ndryshme. Edhe mospajtimet e fundit lidhur me shuarjen e Task Forcës Kundër Korrupsion janë në suaza demokratike dhe legjitime”, thotë deputeti i AAK-së.

Megjithatë, edhe ai thotë se çështja e Task Forcës është dashur që të diskutohet më herët në mes të partnerëve.

“Ka shumë çështje në baza ditore që partitë nuk i konsultojnë mes vete por këto mbesin në autonominë e ministrave edhe kjo çështje duket se nuk është konsultuar paraprakisht mes partnerëve por si do që të jetë abstenimi i ministrit të drejtësisë që është i fushës në të cilën bie kjo temë tregon shumë çartë se do të duhej konsultime më serioze me ministrin në fjalë si dhe me partnerët e koalicionit”, deklaron Lekaj.

Madje, sipas deputetit të AAK-së, beson se edhe këto përplasje do të kalojnë siç ka ndodhur jo rrallë herë me koalicionin.

“Siç e potencova edhe më lartë pakënaqësitë janë pjesë e jetës politike demokratike dhe janë mëse normale. Edhe koalicionit LDK-AAK-NISMA përballet dita ditës me vështirësi dhe mendime kundërthënëse, mirëpo deri më tash i kemi kaluar duke biseduar së bashku si partnerë dhe shpresoj që kështu do të vazhdojë dhe në të ardhmen”, ka thënë ai.

Në AAK nuk sqarojnë se pse përfaqësuesit e tyre në ekzekutiv nuk votuan kundër këtij propozimit që solli pastaj përplasjen Hoti – Haradinaj. Të heshtur kanë qenë kur janë pyetur për këtë temë gjatë së hënës edhe në partinë e Isa Mustafës.

Express ka provuar të marrë përgjigje për këtë përplasje nga deputetë të LDK-së, por, deri në momentin e publikimit të këtij lajmi, të njëjtit nuk janë përgjigjur.

Krejt kjo përplasje nga njohësit e çështjeve politike po shihet si betejë për të fituar poenta politikë.

Ehat Miftaraj i ka thënë sot Gazetës Express se qeveria ka marrë disa kritika nga ndërkombëtarët për temën që i ka përplasur partnerët.

“Qeveria aktuale nën patronatin e Ministrisë së Drejtësisë është në fazën finale të hartimit të Strategjisë lidhur me Sektorin e Sundimit të Ligjit në Kosovë, ku rëndësi i epet ngritjes së integritetit, efikasitetit dhe profesionalizmit të Task Forcës kundër Korrupsion, dhe në asnjë mënyrë shuarjes së saj. Qeveria Hoti por edhe partitë në pushtet javën e kaluar kanë qenë në presion të papara nga partnerët ndërkombëtare përfshirë Komisionin Evropian dhe ambasada të caktuara lidhur me vendimin për shuarjen e Task Forcës”, thotë ai.

Për këtë çështje, madje, sipas Miftaraj, dy subjektet po mundohen që të amortizojnë dëmin e shkaktuar në aspektin publik.

“ Si rezultat i këtij presioni partitë në pushtet LDK dhe AAK, përmes reagimeve publike janë duke bërë përpjekje që të amortizojnë dëmin e shkaktuar në aspektin publik, duke shfrytëzuar po ashtu këtë mundësi që të përfitojnë politikisht, duke lënë anash krejtësisht interesin e publikut dhe sundimin e ligjit”, ka thënë ai.

Gazeta Express sot ka sjellë përmbledhje të përplasjes që ka ndodhur gjatë vikendit në mes të Hotit dhe Haradinajt.

Javën që lamë pas Qeveria ka vendosur të mbyllë këtë departamentin Anti Korrupsion, duke vlerësuar se kjo çështje tash duhet të rregullohet me legjislacionin e funksionimit të Këshillit Prokurorial dhe se mandati i EULEX-it, tashmë është ndryshuar.

Sido që të jetë, misioni i EULEX-it thotë se vendimi i Qeverisë së Kosovës për ta shfuqizuar Departamentin kundër korrupsionit, ngreh shqetësime serioze në lidhje me zotimin e Kosovës për ta luftuar korrupsionin. Për këtë vendim të Qeverisë kanë reaguar edhe ambasadat.

Përplasja AAK-LDK vjen pas një takimi në Kuvend të Kosovës ku krerët e partive të koalicionit u takuan për të folur për zhvillimet politike, me theks të veçantë, çështjen e presidentit.

-Advertisement-

Më shumë artikuj

- Advertisement -

Të fundit