-0.5 C
Pristina
Monday, December 23, 2024

Përplasja Vjosa Osmani-Agim Veliu, zbulohet se kë e dëmton ky konflikt – kjo është thirrja publike për kryetaren e Kuvendit

Rekomandime

Shkarkimi i ministrit të brendshëm, Agim Veliu, bëri bujë të madhe, ku dhe pas shkarkimit të tij, u rrëzua Qeveria e Kosovës.

E shkarkimin e tij, edhe pse jo në kohë të duhur për shkak të pandemisë së koronavirusit, bashkëpartiakja e tij, Vjosa Osmani e sheh si të drejtë, derisa ka deklaruar se ai nuk do të duhej të ishte fare pjesë e kësaj qeverie, në të cilën ai nuk ka besuar dhe vazhdimisht ka thënë se nuk do ta ketë shumë gjatë.

- Advertisement -

Kështu kanë filluar sërish përplasjet në mes të dy nënkryetarëve të LDK-së, derisa Veliu Osmanin e quajti përkthyese të Thaçit.

Lidhur me këtë, njohësi i çështjeve politike, Rexhep Shahu, ka thënë për gazetën “Bota sot” se përplasjet në mes tyre në këtë kohë, janë të panevojshme për LDK-në dhe Kosovën.

“Përplasjet mes Vjosa Osmanit dhe Agim Veliut në këtë kohë janë gjëja më e paduhur për LDK-në dhe për Kosovën në tërësi. Të dy janë figura me rezonim, me ndikim në Kosovë. Vjosa si një frymë e re në LDK, si ardhje e re, gjak i ri për partinë dhe Agimi Veliu si themeltar, si një njeri me kontribute, siç thotë ai, garues e fitues 15 herë në zgjedhje, që do të thotë vlerë politike për LDK-në”, është shprehur ai.

- Advertisement -

Sipas Shahut, Vjosa Osmani do të duhej të refuzonte shkarkimin e Veliut, pasi ajo ka funksion të lartë në LDK.

- Advertisement -

“Shkarkimi i Agim Veliut nga ministër prej Albin Kurtit pa konsulte dhe pa prani por pas krahëve, duhej të refuzohej edhe nga Vjosa Osmani për shkak se ajo mban tashmë funksion të lartë në Kosovë, funksion të cilin ia ka dhënë LDK, pasi pa LDK-në ajo moti e ka dashur një funksion por nuk e ka marrë dot. Pra Vjosa duhej të avokatonte dhe të mbante aleancën brenda krerëve të LDK-së edhe vet, edhe në krye të LDK-së”, ka vlerësuar Shahu.

Ai thotë se ky konflikt në mes tyre po e dëmton LDK-në dhe nuk do të duhej të ndodhte.

“Konflikti sot i shpallur në publik mes Vjosës dhe Velit dëmton së pari LDK-në dhe këtë e dëshirojnë të gjitha partitë në Kosovë sepse në fund të fundit, një gjë duhet ditur, në Kosovë të gjitha partitë politike janë bashkë dhe bëhen bashkë kundër LDK-së. Përplasja Vjosa-Veliu në çdo kohë dëmton LDK-në dhe nuk ka lidhje se jemi në kohë pandemie. Ajo nuk duhet të ndodhte por do të ndodhë sa herë pushtetarë të ndryshëm mendojnë se ia arritën qëllimit, maten me hijen e mëngjesit”, ka theksuar Rexhep Shahu.

Sipas tij, në politikën shqiptare, askush s’ka bërë karrierë pa mbështetje të partisë dhe se kush mendon se vlen, duhet të largohet dhe të garojë i vetëm.

“Në gjithë politikën shqiptare të dy shteteve shqiptare, askush asnjëherë nuk ka bërë karrierë pa mbështetjen e partisë. Kush mendon se vlen, duhet të largohet nga partitë dhe të garojë i vetëm për vota. Në hapësirën shqiptare votohet për partitë dhe individët që kanë fytyrën e partive, ndryshe, nuk i votojnë as familjarët e tyre”, ka deklaruar Shahu për “Bota sot”.

-Advertisement-

Më shumë artikuj

- Advertisement -

Të fundit