1 C
Pristina
Monday, December 23, 2024

“Po të mos binte qeveria, ndihmat nga mërgata do të ishin edhe më të mëdha”

Rekomandime

Mërgimtarët me prejardhje nga Kosova, të cilët punojnë jashtë atdheut, duket se i janë përgjigjur me të madhe thirrjes së kryeministrit në detyrë Albin Kurti për ta ndihmuar Kosovën financiarshit.

Thirrja e Kurtit për ndihmë erdhi në kohën kur Kosova po përballet me pandeminë e koronavirusit e në anën tjetër, buxheti i shtetit ka nisur të shteret.

- Advertisement -

Redaktori i të përditshmes zvicerane “Tages Anzeiger”, Enver Robelli, i ka thënë KOHËS se në këto kohëra të vështira është normale që të ketë mobilizim nacional për të mbledhur ndihma për ata që kanë më së shumti nevojë.

“Në këtë kuptim, apeli i qeverisë nuk më duket befasues, rrjedhimisht ai mund të konsiderohet i dobishëm, natyrisht nëse nuk ka ndonjë pengesë ligjore për këtë”, ka thënë ai.

Sipas Robellit, janë të mëdha shumat që tashmë kanë nisur të vijnë në kuletën e shtetit.

- Advertisement -

“Sa i përket shumave: nuk mund të parashikoj, por kur shohim njerëz që dhurojnë nga 20 mijë apo 50 mijë euro apo të tjerë që, përkundër rrogave jo aq të larta, ndajnë nga 500 apo 1000 euro, kjo tregon se në mërgim askush nuk është indiferent ndaj problemeve me të cilat po ballafaqohet Kosova. Mendoj se gatishmëria për të dhuruar do të ishte edhe më e madhe po të mos binte qeveria, për çka bartin përgjegjësi dhe kanë faj udhëheqjet e të dy partive, LDK-së dhe VV-së”, tha Robelli për Kohën.

KOHA i ka adresuar disa pyetje te ministri në detyrë i Financave dhe Transfereve, Besnik Bislimi, për të mësuar shumën e ardhur nga diaspora deri tash e edhe se si do të menaxhohen ato, po nga mëngjesi i djeshëm ai nuk ka kthyer përgjigje.

- Advertisement -

Në grupin në Facebook, #meKryeministrin, mërgimtarët kanë publikuar faturat me shumën e dërguar drejt Kosovës. Ka të tillë që i kanë dërguar deri në 7,000 euro.

Kërkesa e kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, përveç si thirrje për bashkatdhetarët, ishte edhe mesazh se të hyrat në buxhetin e shtetit kanë filluar të shteren, dhe kësisoj, Kosova gjendet para një problemi i cili mund të thellohet.

Deri tash, Qeveria në detyrë ka paraparë një Pako Fiskale Emergjente prej 170.6 milion eurosh. Sipas kryeministrit në detyrë, ata që do të përfitojnë më së shumti nga kjo pako emergjente do të jenë shtresat më të varfra të vendit.

Robelli në anën tjetër, i tha Kohës se është pikërisht spektri politik ai i cili duhet ta menaxhojë situatën pandemike për të mos u përkeqësuar.

“Kjo krizë do të godasë rëndë shtetet e pasura dhe të varfra siç është Kosova. “Dhe Kosova mund të jetë edhe më shumë e prekur për shkak se shumë njerëz fitojnë rroga në sektorin joformal të punës, nuk janë të siguruar etj”, tha ai.

Robelli thotë se menaxhimi i kësaj situate do të varet nga zhvillimet politike.

“Shumëçka do të varet nga zhvillimet politike në Kosovë. Kjo qeveri është e shkarkuar, ndonëse liderët e VV-së nganjëherë bëhen sikur nuk ka ndodhur asgjë. Nga ana tjetër kemi LDK-në, e cila ka nisur të kthehet aty ku ndihet më mirë: në prehrin e komandantëve të shndërruar në milionerë të pasluftës dhe të dëshmuar si menaxherë fantastikë të keqpërdorimit të parasë publike. Në një shtet me drejtësi funksionale këta do të ishin në burg, në një shtet si Kosova këta thurin ëndrra për t’u kthyer në pushtet – madje me ndihmën e LDK-së”, shtoi Robelli.

Sipas tij, “po të mbizotëronte arsyeja, do duhej kërkuar një zgjidhje emergjente: një qeveri kalimtare 6 deri 9 muaj, e cila do të përbëhej nga të gjitha partitë dhe do të drejtohej nga VV”.

“Por hasmëria personale, egot mbytëse dhe dëshira për hakmarrje mes politikanëve është aq e madhe, saqë nganjëherë po krijohet përshtypja nëse ndokund ekziston edhe populli që kërkon zgjidhje në këtë situatë të rëndë. Ndoshta këtë mentalitet e shpjegon kjo mini-anekdotë: si e “vrasin” veten politikanët e Kosovës? Ngjiten lart e më lart deri në majë të egos së tyre, pastaj kërcejnë”, tha tutje Robelli për Kohën.

Kryeministri në detyrë Albin Kurti, para pak ditësh kur bëri thirrje te mërgata për ndihmë, tha se fondi rezervë i paraparë vetëm për raste urgjente, është gjetur i zbrazët.

“Duke e pasur parasysh gjendjen qe ndodhet vendi ju bëj thirrje të bëheni pjesë e solidaritetit dhe të na ndihmoni në këtë luftë. Qeveria jonë ka hapur një xhirollogari të posaçme dedikuar menaxhimit të pandemisë”, tha Kurti.

Thirrjes për ndihmë nuk i janë përgjigjur vetëm mërgimtarët shqiptarë. Dje, deputeti suedez Magnus Jacobsson, dhuroi 200 euro për Kosovën për ta luftuar koronavirusin Covid-19.

Në një përgjigje për Kohën, Jacobsson tha se shuma prej 200 euro shpreson që sado pak të kontribuojë në situatën aktuale me pandemi në Kosovë./koha.net

-Advertisement-

Më shumë artikuj

- Advertisement -

Të fundit