Policia e Kosovës jep detaje për djegien e autobusit në Fushë Kosovë

    0
    114

    Policia e Kosovës ka konfirmuar djegien e autobusit në një parking në Fushë Kosovë.

    Sipas policisë, rasti ka ndodhur rreth orës 17:30, në zonën industriale në Fushë Kosovës.

    Zëdhënësi i Policisë, Agron Borovci ka thënë për Express, se nuk është raportuar për të lënduar.

    Në vendin e ngjarjes janë edhe zjarrfikësit.

    “Rreth orës 17:30, është raportuar se në zonën industriale në Fushë Kosovë, një autobus është përfshirë nga zjarri. Policia menjëherë ka dalë në vendin e ngjarjes, po ashtu janë ftuar edhe zjarrfikësit. Nuk raportohet për të lënduar, përderisa po trajtohen rrethanat e ngjarjes”, ka thënë Borovci.

    Sot në një parking në Fushë Kosovë është djegur një autobus i kompanisë “Arditi Tours”.

    Një nga përfaqësuesit e kompanisë ka konfirmuar për Express, se autobusi i djegur i përket kësaj kompanie.

    Ai tha se nuk ka të lënduar nga ky incident dhe se brenda autobusit nuk ka qenë askush.

    Sipas tij, shkaku i zjarrit ende nuk dihet.

    “Po është i kompanisë. Nuk e dimë njëherë shkaktarin se pse ka ndodhur. Brenda nuk ka qenë askush dhe nuk ka të lënduar”, ka thënë një nga përfaqësuesit e kësaj kompanie.