Policia tregon se ku u “avulluan” ditarët shkollorë

Gjashtë ditarë të Shkollës së Mesme të Muzikës “Lorenco Antoni”, në Prizren janë “avulluar” dje gjatë ditës. Ditarët dyshohet se janë marrë dhe asgjësuar nga dy nxënës të po kësaj shkolle, të cilët edhe janë shoqëruar në Polici për intervistim.

Policia Rajonale e Prizrenit ka bërë me dije se deri tash dy prej ditarëve janë gjetur në lumë.

Togeri Shaban Osmanollaj i ka thënë Gazetës Express se ata janë njoftuar dje gjatë ditës për vjedhjen dhe asgjësimin e ditarëve. Deklaron se për këtë rast janë shoqëruar në Polici disa nxënës të kësaj shkolle.

“Me datën 04.11.2019 rreth orës 12:20 jemi njoftuar se në shkollën e lartcekur janë vjedhur disa ditarë të shkollës. Patrulla policore i është përgjigjur rastit, kanë kontaktuar me drejtorin e kësaj shkolle i cili i ka njoftuar se disa nxënës të kësaj shkolle nga salla e arsimtarëve kanë marrë dhe asgjësuar gjashtë ditarë të shkollës. Janë siguruar dhe kamerat e sigurisë te shkollës, ku gjatë analizimit të video-incizimeve, për momentin janë identifikuar dy të dyshuarit, nxënës”, ka thënë Osmanollaj.

Osmanollaj ka treguar edhe për vendin ku janë gjetur ditarët. Sipas Policisë, nxënësit i kishin hedhur ditarët në lumë.

“Njësitet relevante te policisë kane siguruar informacione për vendin e hedhjes se ditarëve shkollor, ku kanë arritur te gjejnë dy ( 2 ) ditarë shkollor ne lumë. Për te gjitha veprimet hetuesit policor kanë njoftuar Prokurorin ku i njëjti ka rekomanduar qe rasti te shkon në procedurë te rregullt. Hetimet lidhur me rastin janë duke vazhduar”, thuhet në përgjigjet e Osmanollit për Express.

Asgjësimi i ditarëve, përkatësisht shkresave zyrtare dënohet edhe me Kodin Penal të Republikës së Kosovës.

Në bazë të Nenit 407 të Kodit Penal, dënimi për këtë vepër shkon deri në tre vjet.

“Kushdo që në mënyrë të kundërligjshme merr, fsheh, asgjëson, dëmton apo në ndonjë mënyrë tjetër e bën të papërdorshme vulën, regjistrin, shkresat apo dokumentet zyrtare që i përkasin ose janë në posedim të organit publik apo personit tjetër juridik i cili ushtron autorizime publike, dënohet me gjobë ose me burgim deri në tre (3) vjet”, parasheh Kodi Penal.