1.4 C
Pristina
Thursday, December 26, 2024

Prapaskenat e vizitës së senatorëve amerikanë: Kokëfortësia e Kurtit e porosia për Vuçiqin

Rekomandime

Mesazh i fuqishëm për Kosovën që ta kuptojë nevojën për dialog me Serbinë, koha që Serbia të vendosë për drejtimin e saj e të mos rrijë në dy karrige dhe shqetësimi i madh për krizë në Bosnje, kanë qenë tri përshkrimet që senatori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Chris Murphy, ua ka bërë vizitës së tij në shtetet e Ballkanit në gjysmën e dytë të prillit.

- Advertisement -

Në një shkrim në uebfaqen e tij për vizitën katërditore në Ballkan, Murphy ka zbuluar prapaskenat e takimeve me liderët e Kosovës, Serbisë dhe të Bosnjës. Murphy, bashkë me senatorët Thom Tillis dhe Jeanne Shaheen, për disa ditë në përpjekje për të rikthyer Kosovën dhe Serbinë në tavolinën e dialogut.

Në përshkrimin që ai ia ka bërë vizitës, Murphy e ka quajtur Ballkanin rajon kyç për Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe fushëbetejë për interesa në mes SHBA-së dhe Rusisë. E ka cilësuar Ballkanin si objektiv të mundshëm të radhës për presidentin rus Vladimir Putin. Sipas Murphyt, Putini ka ndikim në Balkan dhe mund të përpiqet të krijojë probleme për Evropën dhe SHBA-në, pak kohë pasi nisi pushtimin e Ukrainës.

Vizita e senatorëve amerikanë nisi në Serbi. Takimin me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq, e ka përshkruar me pyetjen që ia kishte bërë se “A do të qëndrojë Serbia me shtetet demokratike dhe ta sanksionojë Rusinë, apo do të përpiqet të vazhdojë lojën në dy krahët?”

- Advertisement -

“Kjo na çoi në bisedë të gjatë e të çiltër për dëshirën historike të Serbisë, siç thonë në Ballkan, të ulet në dy karrige. Një në Evropë e një në Rusi. Vuçiqi e kishte menaxhuar këtë me shkathtësi për disa vite, por pushtimi i Ukrainës po e çon në një pikë vendimi. As Bashkimi Evropian – në të cilin Serbia dëshiron të jetë anëtare – nuk e lë Vuçiqin të ulet më në dy karrige. Ai do të duhet të zgjedhë, dhe sigurisht me kalimin e kohës, ne e shtymë Vuçiqin drejt disa hapave afatshkurtër që mund t’i marr drejt zgjidhjes së duhur”, ka thënë Murphy.

“Më thirr pas 60 ditësh”, u kishte thënë Vuçiq senatorëve në fund të takimit. “Thirrni të shihni nëse e kam bërë atë që po ju them se do ta bëj”, u kishte premtuar Vuçiq atyre.

- Advertisement -

Pas Beogradit, senatorët e vizituan Sarajevën. Murphy ka përshkruar shqetësimin e madh që u ka lënë ky shtet. Ka thënë se Bosnja është shtet në të cilin ka kaos pikërisht siç Putini do të dëshironte. Për takimin me liderët serbë, kroatë e boshnjakë, Murphy ka thënë se më shumë kishte interes për përplasje mes vete se dialog me senatorët. Ka thënë se amerikanët kanë ngelur të shqetësuar për stabilitetin në këtë shtet e se aty mund të ketë krizë që mund të përhapet në të gjithë rajonin.

Për Kosovë, Murphy ka thënë se ishin dy çështje kryesore, për refugjatët afganë dhe porosinë direkte për liderët për dialogun me Serbinë. Kryeqytetin e Kosovës, Murphy e sheh si ndër qytetet më të preferuara në botë për të. Ai ka thënë se e pëlqen energjinë që ia jep ky vend.

Për pritjen e refugjatëve afganë, Murphy ka thënë se Kosova kishte pranuar shumë shpejt kërkesën e SHBA-së për strehim të përkohshëm deri në dërgimin e tyre në SHBA.

Detyra e dytë, sipas Murphyt, ishte dhënia e mesazhit të fuqishëm për Qeverinë e Kosovës, të cilën e ka cilësuar si kokëforte në qasjen për vazhdim dialogu.

“Kosova do të donte t’u bashkohej NATO-s dhe Bashkimit Evropian, por që kjo të ndodhë, Serbia dhe Kosova duhet të arrijnë një marrëveshje me të cilën të dyja njohin ekzistencën ligjore të shtetit tjetër. Dialogu drejt fundit është në proces, por Qeveria e Serbisë dhe ajo e Kosovës s’kanë bërë mjaftueshëm progres, dhe së fundmi, Qeveria e Kurtit ka qenë veçanërisht kokëforte në vazhdimin e bisedimeve”, ka thënë ai.

Për takimet e mbyllura, senatori ka thënë se ka pasur konsistencë në mesazhin e tyre drejtuar liderëve të Kosovës, kryeministrit Albin Kurti, e presidentes Vjosa Osmani për nevojën për kthim në bisedime serioze me Serbinë. Sipas tij, Kurti e Osmani “janë goditur” nga mesazhi i koordinuar amerikan, edhe pse senatorët janë të partive të ndryshme.

Murphy largimin nga rajoni e ka përfunduar me shqetësimin për Bosnje, por me shpresën që do të ketë angazhim të Kongresit amerikan e që Serbia të nisë t’i bashkohet Evropës në sanksionet ndaj Rusisë.

-Advertisement-

Më shumë artikuj

- Advertisement -

Të fundit