Presidenti i Republikës së Kosovës Hashim Thaçi sot ka dekoruar me medalje presidenciale edhe Këshilltarin amerikan për Siguri Kombëtare, Robert O’Brien si dhe Emisarin amerikan Richard Grenell, për kontributin e tyre në marrëveshjen e nënshkruar në Shtëpinë e Bardhë.
Këtë e ka bërë të ditur në letrën që i ka dërguar Presidentit amerikan Donald Trump.
“Në shenjë mirënjohjeje për përpjekjet e tyre, po ashtu kam ndarë Medaljen Presidenciale të Meritave për z. O’Brien dhe z. Grenell, për meritat e tyre të veçanta në arritjen e marrëveshjes historike mes Kosovës dhe Serbisë, të nënshkruar në Washington”, thuhet ndër të tjerash në letrën e Thaçit nisur Trumpit.
Kujtojmë, që Thaçi, ka ndarë urdhrin më të lartë shtetëror “Urdhrin e Lirisë” për presidentin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, shkruan Gazeta Metro.
Thaçi këtë e ka bërë në shenjë mirënjohjeje për kontributin e tij për lirinë e Kosovës, forcimin e paqes dhe stabilitetit në rajon.
Po ashtu, presidenti Thaçi ka ftuar presidentin Trump që ta vizitojë Kosovën në të ardhmen e afërt, bëhet e ditur përmes një komunikate për media.
Tutje thuhet se në letrën drejtuar presidentit Trump, Thaçi ka deklaruar se marrëveshja për normalizimin ekonomik në mes të Kosovës dhe Serbisë nuk do të ishte e mundur pa udhëheqjen e fuqishme të tij dhe të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.