0.8 C
Pristina
Friday, November 15, 2024

Presidenti Thaçi: Jap dorëheqje nëse konfirmohet aktakuza, krime nuk kam kryer

Rekomandime

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka thënë se do të japë dorëheqje nga pozita e tij në momentin që aktakuza nga Gjykata Speciale do të konfirmohet.

- Advertisement -

Javën që shkoi u publikua propozim aktakuza nga Prokurori i Specializuar ndaj Thaçit dhe kreut të PDK’së, Kadri Veseli. Thaçi sot në një video mesazh tha se nëse konfirmohet kjo aktakuzë atëherë ai do të japë dorëheqje nga pozita e tij.

‘’Nëse aktakuza konfirmohet, unë menjëherë do të jap dorëheqje si President i juaji dhe do të përballem me akuzat’’, tha ai.

“Të gjithë e duam atdheun tonë Ksovoën. Por politika i ka edhe këto. Është e mundishme për mua që të kujtoj ata që dhanë jetën për lirinë. Të tjerë që i takova gjatë rrugës prej kur isha një djalë i vogël e diealist, e deri ëm sot kur jam me flokë të thinjura. Kujtoj të gjithë familjen prej të vjetërve e deri tek djali Endriti.”

- Advertisement -

“E kemi ditur që të gjithë në që ishim në Uck do të paguanim një cmim për lirinë e vendit tonë”, tha dnër të tjera Thaci. /Express/

Kjo është dekalrata e plotë:

- Advertisement -

Motra dhe vëllezër,

bashkëqytetarë dhe bashkatdhetarë,

në Kosovë, në Shqipëri, në Maqedoni, në Mal të Zi, në Luginën e Preshevës dhe në

diasporë,

Ju drejtohem sonte nga kjo zyrë ku prej 1542 ditësh kam nderin e jashtëzakonshëm të

ushtrimit të detyrës së lartë të Presidentit të shtetit tonë, Kosovës së lirë, të pavarur

dhe demokratike!

Zemra ime është e lënduar, por jo e thyer.

Mendja ime është e rënduar, por jo e turbulluar.

Gjaku im është i nxehur, por i pastër dhe i njëjtësuar me gjakun e bashkëluftëtarëve

që humba në luftë.

Është i njëjtë me gjakun e atyre që më kanë dashur e më kanë mbështetur pa kursim

në këtë rrugëtim për liri dhe shtetndërtim.

E në këto çaste edhe me gjakun e atyre që më kanë kundërshtuar, më kanë

paragjykuar apo gjykuar ndryshe nga çfarë unë do të dëshiroja.

Ndjehem sot, si asnjëherë më parë, krejt i çliruar prej brengave dhe peshës së

ballafaqimeve politike.

Këto brenga nganjëherë kanë marrë përmasa më të mëdha se sa që e kanë merituar.

Kanë mjegulluar në sytë tuaj faktin e thjeshtë se jemi të gjithë bij e bija të kësaj toke

dhe të gjithë e duam më të mirën për atdheun tonë, Kosovën.

Por, politika i ka edhe këto.

Është krejt e natyrshme që në këtë moment jo të lehtë për mua, më janë kujtuar ata që

kanë dhënë jetën për liri.

Të tjerë që i kam njohur gjatë rrugës time të gjatë, nga koha kur isha një djalë idealist

që doja të ndryshoja botën, e deri tek e sotmja me thinja të bardha.

Kam kujtuar momente historike e momente krejt personale.

Kam menduar për prindërit e mi, gjyshërit, familjen dhe djalin tim, Endritin.

Ai që sot është bërë burrë e mund ta shoh në sy pa mu dridhur qerpiku lidhur me

gjoja nisjen e një procesi për krime lufte!

E kam kuptuar shumë herët se ne, luftëtarët e UÇK-së, do të paguanim një çmim të

madhe njerëzor, familjar e politik.

Ky është çmimi për lirinë e Kosovës.

Është e drejtë që duhet të zbardhet çdo pretendim e çdo akuzë për krime lufte, prej

kujtdo dhe kudo që ka ndodh.

Bashkëluftëtarët e mi, me disa prej të cilëve paqja na ka ndarë shpesh në taborë të

ndryshëm politikë, i kanë sfiduar me forcën e madhe të së vërtetës shumë fabrikime

të ulëta dhe në fund pafajësia e tyre ka shkëlqyer mbi plehun e akuzave monstruoze.

Njëjtë do të jetë edhe me mua dhe me vëllain tim nga gjaku i luftës, Kadri Veseli.

Të dashur qytetarë,

Gabime politike në paqe mund të kem bërë, por krime lufte asnjëherë!

Edhe po të kthehesha mbrapa, në kohën e zezë të Slobodan Millosheviqit, do të bëja

të njëjtën gjë, duke iu përgjigjur plumbit armik me plumbin e etjes për liri dhe duke

mos i hyrë kurrë në hak asnjë qytetari serb, rom apo shqiptar.

Por, një gjë më lejoni ta bëj shumë të qartë:

Mbi dy dekada i kam mbështetur iniciativat për ngritjen e gjykatave me përfshirje apo

mbikëqyrje ndërkombëtare.

Ky parim mbetet i njëjtë edhe sot, kur jam unë, Hashim Thaçi, që personalisht do të

mund të përballem me një gjykatë për të cilën kam dhënë mbështetjen time politike,

me fjalë e me votë.

Në atë kohë, kishim përballë vetëm dy rrugë.

Njëra të cilës i kam besuar tërë jetën e i besoj edhe sot – ecjes përpara në aleancë të

ngushtë me Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimin Evropian;

Dhe e dyta që kjo çështje t’i lihet në dorë Këshillit të Sigurimit të Kombeve të

Bashkuara ku kanë ndikim të fuqishëm vendet që e kundërshtojnë shtetin e Kosovës.

Vendimi im ishte strategjik në përputhje me vizionin për të ardhmen e Kosovës.

Dhe nuk kam shikuar për përfitime ditore e politike.

Sot, kush thotë se qenkam bërë pengesë, madje edhe sabotues i kësaj gjykate, në rastin

më të mirë është i keqinformuar dhe në rastin më të keq është tendencioz.

Por, nga ana tjetër, dikush duhet ta bëjë bilancin e këtyre 21 viteve hetime, procese

dhe gjykime për krimet e luftës në Kosovë.

Të dashur qytetarë,

Unë do të isha njeriu më i lumtur nëse do të shihja se bashkësia ndërkombëtare

aplikon standarde të njëjta mes Kosovës e Serbisë në adresimin e krimeve të luftës.

Fatkeqësisht, jo vetëm që nuk e shoh këtë standard e proporcionalitet, por shoh të

kundërtën e tij.

Dhe ja ku jemi sot.

Serbia ecën në rrugën e negocimeve për anëtarësim evropian, ndërsa Kosova nuk

gëzon të drejtën e lëvizjes së lirë!

Natyrisht që unë nuk shoh këtu ndonjë komplot kundër Kosovës.

Por është fakt dallimi në qasjen e bashkësisë ndërkombëtare ndaj dy vendeve.

Padyshim edhe ne kemi gabimet dhe përgjegjësitë tona.

Unë i pari dhe bashkë me mua krejt udhëheqësit e partive politike në Kosovë, që prej

disa vitesh nuk kemi arritur ta ruajmë kohezionin politik.

Por asnjë faj a gabim i yni apo i imi, nuk e justifikon faktin që Kosova qe 21 vjet

vazhdon me proceset e ballafaqimit me krime lufte në hapësirën e saj.

E në anën tjetër në Serbi ka rënë heshtja e varrit për krimet e luftës.

Këtë heshtje të Serbisë e bën edhe më të rëndë heshtja e bashkësisë ndërkombëtare.

Ne jemi angazhuar, unë personalisht jam angazhuar fuqimisht, për dialog e paqe me

Serbinë.

Por, nuk pajtohem as nuk e pranoj dot faktin që për mijëra shqiptarë të zhdukur nga

makineria vrastare e Sllobodan Millosheviqit, eshtrat e të cilëve janë në dheun e

Serbisë, të mos ketë as deklarata të ndërkombëtarëve.

A mos vallë duhet të presim edhe ditën kur të na thuhet se duhet t’i kërkojmë falje

Serbisë për të zhdukurit tanë, për nënat e motrat tona ta përdhunuara, për spastrimin

etnik dhe gjenocidin kundër nesh?!

Kjo pyetje absurde lind natyrshëm pasi askujt në Serbi më nuk i kërkohet llogari për

krimet e luftës!

Megjithatë, nuk dua të zgjatem sot me këtë teme krahasimi të proporcioneve të

drejtësisë për krimet e luftës, e cila me siguri do të zërë vend në historinë e drejtësisë

dhe politikës ndërkombëtare si një faqe e zymtë e tyre për këto dy dekada.

Qytetarë të nderuar,

Në këto dy dekada kam pasur privilegjin të kem mbështetjen e shumicës prej jush,

duke shërbyer në krye të institucioneve më të larta shtetërore.

Natyrisht, në këto dy dekada, pa dashje, kam bërë edhe ndonjë lëshim.

Disa prej këtyre sot i di edhe vetë.

Unë nuk hezitova që me bashkëluftëtarët të bëj luftë me armë e me diplomaci kundër

Serbisë, pa marrë parasysh çmimin që mund të paguaja, deri edhe me jetën time.

Lufta ka përfunduar.

Kosova është e lirë dhe shtet sovran.

Prandaj në dy dekadat e fundit kam punuar dhe do të punoj për paqe dhe pajtim me

Serbinë dhe në tërë Ballkanin.

Sot jetoj jo thjesht për veten e për familjen time,

… por edhe për ata shokë që kam varrosur gjatë luftës,

… për prindërit dhe për fëmijët e tyre e për nipat e mbesat e tyre.

Jetoj për misionin historik të cilit i përkas bashkë me Kadri Veselin, Ramush

Haradinajn, Fatmir Limajn, e shumë të tjerë që ishin të parët në luftën për liri, por

edhe të parët të goditur e të sulmuar pas lufte.

Të dashur qytetarë,

Ne nuk shkuam në luftë për të fituar zgjedhje e as për të marrë pushtet.

Shkuam ja për të jetuar të lirë, ja për të vdekur për liri!

Nuk kishim asgjë përveç ëndrrës së madhe për liri dhe pavarësi.

Bashkërisht ëndrrën e bëmë realitet.

Por, kalimi nga shtigjet e luftës çlirimtare në korridoret e institucioneve nuk mund të

ishte për ne as i thjeshtë, as i lehtë.

Mund t’ju them se më shumë kisha drojë nga këto korridore, se sa shtigjeve të luftës.

Në luftë flija pak, por gjumi më ripërtërinte.

E pas luftës, flija pak po ngrihesha i sfilitur nga dilemat si ta bëja më mirë punën e

ditës së re.

Bëra sa munda, por jo aq sa do të doja.

Por, sot nuk dua të rendis të arriturat e karrierës sime, sepse ky nuk është as një

mesazh lamtumire, as një moment bilanci pune për mua.

Dua vetëm t’ju them se kam mbajtur mbi kurriz shumë akuza dhe shumë ofendime

gjatë tërë këtyre viteve.

As nuk e kam mohuar ndonjëherë kur kam qenë në krye të Qeverisë, as nuk e mohoj

sot, se ashtu siç ka pasur arritje në zhvillimin e Kosovës, po ashtu kam pasur sfida në

qeverisje dhe drejtim të shtetit.

Kjo është e natyrshme për një lider.

Por, një gjë është e sigurt: nuk ka pasur dhe nuk mund të ketë qoftë edhe një provë të

vetme në adresën e Hashim Thaçit për shkelje të ndonjë ligji.

Ligji i vetëm që kam shkelur është ai i Millosheviqit.

Unë nuk jam i ramë prej qiellit dhe nuk jam shenjtor.

Fati im në rrethana krejt të veçanta historike ma përcaktoi vijën e jetës dhe të sjelljes

sime.

Politika nuk ishte asnjëherë burim jetese për mua, por mision i shenjtë për t’i shërbyer

vendit dhe juve qytetarë të dashur.

Nuk gjendet as në Kosovë e askund në këtë botë dikush që t’i kem borxh.

Por, kujtdo që ma ka dhënë edhe vetëm njëherë votën përgjatë gjithë kësaj pjese të

karrierës sime që ende vazhdon, sonte dua t’i them:

Me fal në qoftë se s’kam bërë gjitha ato që ke pritur prej meje, por të jesh i bindur që

besimin tënd nuk e kam shpërdoruar.

Përkulem para besimit tuaj.

Të nderuar bashkëqytetarë,

Kosova po hyn në një kapitull të ri dhe aspak të lehtë.

Por kjo nuk është asgjë e re, pasi historia jonë ka pasur shumë periudha të vështira.

Ky është një kapitull i ri edhe për mua dhe në këto momente ende nuk e di se sa i

vështirë do të jetë.

Por, unë jam gati ta shkruaj këtë kapitull me të vërtetën time përballë kujtdo qoftë.

Nuk e di a ishte rastësi apo ishte intrigë që – në mes të rrugës drejt Shtëpisë së Bardhë

– doli njoftimi për një aktakuzë të pakonfirmuar.

A thua ky do të jetë çmimi i fundit që duhet paguar për lirinë e Kosovës?

Rrugën ma prenë.

Por, nuk ma cenojnë besimin në vlerat që përfaqësojnë Shtetet e Bashkuara të

Amerikës dhe Shtëpia e Bardhë për mua dhe për qytetarët e Kosovës.

Në praktikën e drejtësisë në botën e qytetëruar, lajmërimi publik i një aktakuze ende

të pa miratuar nga trupi gjyqësor, është një skandal i madh.

Asnjë krim i supozuar apo edhe i kryer nga kushdo, nuk e justifikon linçimin publik.

Asnjë qëllim i mirë dhe asnjë vullnet i madh për drejtësi, nuk e arsyeton fabrikimin e

një bombe mediatike për të inkriminuar të parin e shtetit të Kosovës, pikërisht në

momentin kur dialogu me Serbinë kishte hyrë në një fazë të re falë angazhimit të

drejtpërdrejtë të Shtëpisë së Bardhë.

Cilës drejtësi i intereson kjo ngutje e rrufeshme dhe kjo shkelje flagrante e rregullave

të një procesi të drejtë e të pavarur gjyqësor?

Kjo pyetje do të duhet shtjelluar në kohën e duhur dhe në vendin e duhur.

Ndërsa përgjigja e shkurtër për këtë pyetje është se:

Ajo komunikatë hodhi në erë dhe pamundësoi takimin shumë të rëndësishëm në

Shtëpinë e Bardhë, duke i dhënë goditje të fortë mundësisë së arritjes së paqes

Kosovë-Serbi.

Prandaj apeli me të cilin dua ta mbyll ketë mesazh sonte është:

Kosova duhet të sigurojë funksionimin stabil të institucioneve shtetërore, në çdo

rrethanë.

Në këtë kapitull të ri e të vështirë vetëm të bashkuar mund të ecim përpara, si në

rrafshin kombëtar, ashtu edhe në atë ndërkombëtar.

Ditëve në vijim do të konsultohem me liderët politikë për hapat e mëtejmë.

Ju siguroj edhe një herë, me drejtësinë nuk do të përballem nga kjo zyrë.

Nëse aktakuza konfirmohet, unë menjëherë do të jap dorëheqje si President i juaji dhe

do të përballem me akuzat.

Kosova është shtet i ri, por udhëheqësit e saj duhet të sillen si burrështetas të vërtetë.

Do ta mbaj këtë barrë dhe ta mbroj veten time, luftën tonë për liri, me çdo forcë që

kam.

Nuk do të lejoj që këto akuza false të zhvendosin vëmendjen e Kosovës nga marrja e

vendit që meriton në bashkësinë ndërkombëtare, si anëtare e Kombeve të Bashkuara,

NATO-s dhe Bashkimit Evropian.

Kosova është atdhe i të gjithë qytetarëve të saj.

Një shtet evropian e një shoqëri multi-etnike.

I them edhe një herë JO hakmarrjes dhe PO tolerancës ndëretnike.

Vetëm duke ndërtuar demokracinë qytetare ndërtojmë të ardhme euroatlantike.

Të dashur qytetarë,

Duke ju falënderuar të gjithëve që me keni çuar fjalë dhe mesazhe inkurajuese, ju uroj

nga zemra çdo të mirë.

Ju falënderoj për vëmendjen!

Zoti e bekoftë Kosovën dhe kombin shqiptar!

-Advertisement-

Më shumë artikuj

- Advertisement -

Të fundit