Presidentit të Sllovenisë, Borut Pahor, gjatë konferencës së përbashkët për media me presidenten Vjosa Osmani, ia mori vëmendjen fotografia e presidentit të parë të Kosovës, Ibrahim Rugova.
Pahor tha se ajo fotografi ia kujtoi takimet me Rugovën, ndërsa tha se e pyet veten se si do të sillej ai në rrethanat aktuale me të cilat po përballet Kosova.
“Po e shoh fotografinë e Ibrahim Rugovës këtu. I kujtoj takimet e shumta me të dhe e pyes veten, në këto rrethana, ai a do t’i shihte këto probleme si mundësi për zhvillimin e Kosovës, për të ardhmen e saj, apo do t’i shqyrtonte ndryshe”, tha Pahor.
Ai e quajti Rugovën burrë shteti, ndërsa tha se është i bindur se përkundër të gjitha problemeve, ai do të shihte mundësi për t’i zgjidhur ato.
“Sa kam pasur mundësinë ta njoh këtë burrë shteti, jam i bindur se përkundër të gjitha problemeve që i ka Kosova, ai do të shihte shumë mundësi për zgjidhjen e problemeve. Dhe ai do të bënte që ky vullnet të punonte për të gjithë”, u shpreh presidenti slloven.
Ndërsa presidentja Osmani tha se Rugova është udhërrëfyes për të dhe se është rritur me frymën e tij.
“Presidenti Rugova është udhërrëfyes jo vetëm i imi, por besoj i secilit qytetar e politikan që beson në Kosovën e pavarur dhe sovrane. Ne jemi vërtet mirënjohës për gjithë miqësinë që ia keni ofruar atij në kohë të vështira dhe gjithë Kosovës. Si një person që është rritur me frymën e tij, dua ta rikonfirmoj që presidenti Rugova qysh në vitin 1991 i ka thënë jo shumë ideve që synonin ndarjen në vija etnike”, tha Omsani.
Presidentja i tha Pahorit se ajo po e vazhdon rrugën e presidentit Rugova.
“Ne po vazhdojmë rrugën e tij, z. president, dhe ju siguroj që pikërisht ato parime mbi të cilat ai si arkitekt i lirisë dhe pavarësisë sonë e ndërtoi këtë shtet, do të punojmë me ju, do të punojmë me gjithë rajonin që paqja në këtë pjesë të botës të bëhet më në fund realitet afatgjatë”, deklaroi Osmani.