13.3 C
Pristina
Wednesday, March 27, 2024

Profesori i njohur nxjerr të gjitha shifrat: Kështu duhet të kushtëzohet Serbia nga Kosova

Rekomandime

“I takon Kosovës që asgjë mos të nënshkruaj dhe asnjë diskutim të mos e bëjë me tutje me Serbinë pa i pranuar dhe pa dhënë llogari Serbia për krimet e luftës. Është e tepërt të ecet në rrugën e deritashme pa njohje të shtetit të Kosovës, pa gjetjen e 1600 shqiptarëve të varrosur apo të mbytur pa gjurmë, duke i djegur, sikundër pa dhënë llogari për përdhunimet dhe pa e bërë reparacionin”, thotë Kelmendi për “Kosova Sot Online”.

Profesori i së drejtës, Muhamet Kelmendi e konsideron një provokim sfidues ndaj Kosovës dhe institucioneve të saj, deklarimin e fundit për mediet serbe të presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiq, i cili ka thënë se Serbia ka kryer krime lufte në Kosovë dhe për ato duhet të flitet e të diskutohet, ndonëse e ka shfajësuar veten nga pjesëmarrja e drejtpërdrejtë në veprime kriminale.

- Advertisement -

I pyetur se a do të kërkojnë falje për krimet që Serbia ka kryer në Kosovë, Vuçiq është shprehur se të gjitha palët kanë kryer krime, por ai e ka mohuar përgjegjësinë tij të drejtpërdrejtë duke ikur edhe nga obligimi për kërkim falje, pasi përgjegjësinë e ka hedhur tek të tjerët.

“Ajo që mendoj është se të gjitha palët kanë kryer shumë krime dhe mendoj se ata që i kanë kryer këto krime, kush ka kryer çdo lloj krimi, duhet të mbajë përgjegjësi dhe kjo është ajo që mund të them. Unë nuk kam qenë kurrë një njeri që do të fshihte dikë apo që do t’i vinte turp nga diçka që dikush ka bërë. Unë nuk kam bërë asnjë krim për t’ju thënë të vërtetën.

Kush ka kryer, ata njerëz duhet të jenë shumë të përulur, shumë modestë kur i thonë shumë gjëra popullit për të cilin kanë bërë gjëra kundër. Unë nuk kam marrë pjesë në këtë.

- Advertisement -

Por ka shumë njerëz, nuk ka rëndësi nga cila anë, shqiptarë, serbë, kroatë apo boshnjakë që kanë kryer krime dhe kjo është ajo që kemi nevojë për të bërë, duhet të dalim nga kjo periudhë kohore dhe të krijojmë një të ardhme të ndryshme dhe shumë më të mirë për ne”, ka thënë Vuçiq.

E sipas profesorit të së drejtës, Muhamet Kelmendi, kjo deklaratë është një tallje dhe injorim i krimeve të bëra nga Serbia në Kosovë, me urdhrat e Millosheviqit, Vuqiqit dhe të Daqiqit, dhe është përgjegjësi e pafalshme e qeverive të deritanishme të Kosovës, që nuk e kanë trajtuar asnjëherë këtë temë në bisedime me Serbinë, dhe nuk i kanë kushtëzuar bisedimet me pranimin e krimeve dhe kompensimin e dëmeve të luftës.

- Advertisement -
Muhamet Kelmendi

“Nga Serbia nuk priten qëndrime te tjera, përveç atyre, te cilave thonë se gjithë janë “përgjegjës” krimineli Aleksandër Vucic dhe Ivica Daqiq janë bashkëveprues dhe nxitës e organizator të dhunës dhe të terrorit serbomadh në Kosove. Nga këta nuk ka përgjegjësi dhe kurrë nuk do të pranojnë ndonjë përgjegjësi. Ata janë kriminel dhe kriminelët kurrë nuk thonë se janë të tillë. Kështu është edhe me shtetin serb”, thotë Kelmendi për “Kosova Sot Online”.

Sipas tij, Serbia është trimëruar shumë nga moskërkimi llogari nga faktori ndërkombëtar për krimet e luftës që i ka bërë në hapësirën e gjerë të ish Jugosllavisë, prandaj nuk i pranon tani as krimet në Kosovë.

Fakti se nuk është dënuar Serbia në kohën e luftërave në Ballkan, si në Kroaci, në Bosnjë e Hercegovinë dhe Kosove, tregon se nuk ka përgjegjësi të shtetit. Ky rast ishte edhe me Gjermaninë pas Luftës së Dytë Botërore por Gjermania i ka kompensuar dëmet e luftës.

Por me shtetin kriminal serb nuk u veprua kështu, tamam sikurse të kishim të bëjmë me një shtet demokratik, duke thënë se ja që ishte Millosheviqi si kriminel dhe kaq. Është e pa falshme dhe turpi i BE-së, i NATO-se dhe i SHBA-ve që e toleruan Serbinë kështu duke mos ia dhënë dënimin dhe mos e vënë shtetin serb nën kontroll ndërkombëtar, në sanksione për gjenocid në Ballkan”, shton profesor Kelmendi.

“Në Kosovë u vranë 13.800 shqiptar, u përdhunuan mbi 20 mijë femra shqiptare, në këtë numër kemi mbi 50 burra të përdhunuar nga kriminelët serb, kemi plaçkitje dhe dëme lufte mbi 30 miliard euro dhe ende janë mbi 1600 shqiptar në varret e ndryshme të Serbisë. Nga ana serbe janë vrarë aty këtu vetëm disa civil që nuk arrijnë shifrat as në dhjetëra veta, sepse UÇK-ja ka qenë e kujdesshme ndaj popullatës civile, pavarësisht përkatësisë tjetër etnike, edhe tek serbët lokal. Prandaj duhet të kuptohet që krimi është krim por dallojnë vrasjet e disa vetave me vrasjet e 1200 fëmijëve dhe mbi 130 mijë të tjerëve. Ky është gjenocid në kuptimin e plotë të fjalës”.

Sipas Kelmendit, përgjegjësia për mos nxjerrjen në tavolinën e bisedimeve dhe kushtëzimit të Serbisë me krimet dhe dëmet e luftës, janë të gjithë zyrtarët e lartë që kanë qenë në krye të qeverisë së vendit, dhe e kanë heshtur këtë çështje deri më tani.

Është e dëmshme puna e organeve të Kosovës. Kurrë këto organe, përfaqësuesit e tyre nuk kërkuan përgjegjësi për këto çështje të rënda kriminale. Ato u tejkaluan sikurse mos të kishin ndodhur dhe kjo i dha krah kriminelëve në Beograd që sot të shprehet krimineli Vucic me injorim dhe përbuzje ndaj shqiptarëve të gjakosur. As edhe Reqakun nuk e pranoi krimineli Vucic. Dhe ky e bënë barazimin e krimeve me gjenocide; bënë barazinë e 1 milion vetave të dëbuar nga vendlindja, të 150 mijë objekteve të shkatërruara, të 13800 shqiptarëve të mbytur, me ca krime të bëra. Kjo nuk don koment. I takon Kosovës që asgjë mos të nënshkruaj dhe asnjë diskutim të mos e bëjë me tutje me Serbinë pa i pranuar dhe pa dhënë llogari Serbia për krimet e luftës. Është e tepërt të ecet në rrugën e deritashme pa njohje të shtetit të Kosovës, pa gjetjen e 1600 shqiptarëve të varrosur apo të mbytur pa gjurmë, duke i djegur, sikundër pa dhënë llogari për përdhunimet dhe pa e bërë reparacionin”.

Ai kërkon nga qeveritarët e ardhshëm të Kosovës, që në çdo takim ndërkombëtar ta nxjerrin në tavolinë bisedimesh çështjen e dëmeve dhe krimeve të luftës, dhe të mos e lënë në heshtje si qeveritarët e kaluar.

“Qeveritarët e Kosovës duhet me fakte dhe të dhëna konkrete në çdo takim, kudo në Evropë, në Bruksel e në Vashington, me fakte ta akuzojnë shtetin serb. Po me fakte kërkohet të akuzohet edhe udhëheqja e tashme e Serbisë. Ata na quajnë njerëz të maleve, ndërsa Kosovën e cilësojnë si Stara Serbi. Bëjnë çdo lloj vepre penale dhe ngacmime të ndryshme. Nuk e pranojnë dhunën dhe kurrë Vuqiq e Daqiq, nuk u distancuan nga krimet që i bënë vetë ata si organizator të luftës në Kosovë ndaj shqiptarëve”, përfundon Kelmendi për “Kosova Sot Online”.

-Advertisement-

Më shumë artikuj

- Advertisement -

Të fundit