Pak orë para arritjes së marrëveshjes LDK-VV që do t’i çojë dy partitë në qeverisje për katër vitet e ardhshme, nënkryetari i parë i Lidhjes Demokratike të Kosovës Agim Veliu e ka thumbuar liderin e VV-së Albin Kurtin, derisa, po bënte homazhe te varri i ish-presidentit Ibrahim Rugova.
I pyetur nga gazetarët, pas homazheve, nëse partneri i ardhshëm duhet të vizitojë varrin dhe familjen e presidentit Rugova, ai tha se kjo është çështje respekti e se nuk do të merret me këtë temë.
‘’Është çështje e respektit e kulturës, nuk është çështje me të cilën dua të merrem është çështje me të cilën ai duhet të merret’’, tha Veliu derisa foli për Kurtin.
Veliu gjithashtu tha se me rastin e ditëlindjes po e përkujtojnë liderin që sipas tij la nj trashëgimi të rëndësishme për të cilën do të angazhohen që ta ruajnë e kultivojnë.
Sa i përket marrëveshjes përfundimtare në mes të dy partive, ai shtoi se dallimet programore LDK-VV janë tejkaluar.
“Dallimet programore i kemi kaluar dhe janë çështjet tjera të cilat kanë mbetur që të diskutohet për sot dhe më tutje”, tha ai.