1.7 C
Pristina
Thursday, December 26, 2024

Pse as taktikat e fundit nuk do t’i japin fitoren Rusisë përballë Ukrainës

Rekomandime

Nga Justin Bronk “The Spectator”

- Advertisement -

Ndërsa pushtimi rus i Ukrainës ka hyrë në muajin e tij të dytë, lufta është kthyer në një përballje llogoresh, dhe situata është shumë e ndryshme në fronte të ndryshme. Forcat ruse janë detyruar që të kalojnë në pozita mbrojtëse në shumë zona.

Ministria ruse e Mbrojtjes ka njoftuar përfundimin e “fazës së parë” të pushtimit, që do të pasohet nga një fokus më i kufizuar në rajonin e Donbasit në Ukrainën Lindore. Arsyeja për këtë ndryshim taktik është e thjeshtë: forcat ukrainase jo vetëm që kanë ndalur përparimin e trupave ruse rreth Kievit në veri dhe në Mykolaiv në jugperëndim, por kanë filluar që të rifitojnë kontrollin e qyteteve të tjera, dhe të ndërpresin rrugët kryesore të furnizimit të ushtrisë ruse.

Por edhe në rajonin e Donbasit në lindje, forcat ruse dhe ato separatiste vazhdojnë që të kenë një përparim të ngadaltë dhe të kushtueshëm, përmes sulmeve të përsëritura përgjatë vijës së mbrojtjes në lumin Donets. Ndërkohë vazhdon rrethimi i egër i qytetit Mariupol.

- Advertisement -

Rusia duket e dëshpëruar që të shënojë fitoren e saj të parë të madhe në këtë fushatë ushtarake. Ukraina i ka tejkaluar të gjitha pritshmëritë sa i përket funksionimit dhe efektivitetit taktik, por edhe forcës dhe unitetit të jashtëzakonshëm të ushtarëve, vullnetarëve dhe civilëve të saj.

Por për shumë analistë ushtarakë, elementi më i habitshëm më 3 javët të para të pushtimit, ishte performanca e dobët dhe gati e pashpjegueshme e ushtrisë ruse. Shkaqet rrënjësore të këtyre mangësive mund të grupohen në 4 fusha: dobësitë strukturore, morali i dobët, mungesa e planifikimit dhe koordinimit jo koherent në nivel operacional, si dhe kapaciteti i pamjaftueshëm logjistik.

- Advertisement -

Kjo ndarje është e rëndësishme për të kuptuar trajektoren e mundshme të luftës gjatë javëve të ardhshme. Disa prej tyre ka të ngjarë të mbeten kufizime të qenësishme për forcat ruse, ndërsa të tjerët po tregojnë shenja zbutjeje ose përmirësimi. Për sa i përket dobësive strukturore, ushtria ruse ka treguar se ka një problem serioz me kompetencat thelbësore në nivel taktik.

Trupat dhe automjetet ruse shihen rëndom duke përparuar ose duke mbajtur pozicione në grupime të ngushta, shpesh pa përdorur efektivisht mbulimin nga krahët. Tanket dhe mjetet e tjera të blinduara lëvizin rregullisht pa mbështetjen e afërt të këmbësorisë për t’i mbrojtur ata nga ekipet anti-tank, dhe mbështetja ajrore duket në rastin më të mirë sporadike.

Në ajër, rreth 300 avionë luftarakë modernë rusë të angazhuar në zonën operative, nuk kanë arritur të fitojnë epërsi ajrore, për shkak të paaftësisë së tyre për të kryer shtypjen efektive të operacioneve të mbrojtjes ajrore të armikut. Ata kanë një normë modeste fluturimesh prej rreth 200-250 në ditë.

Por shumica e tyre nuk depërtojnë shumë në hapësirën ajrore të Ukrainës. Përkundrazi, shumica e këtyre fluturimeve duket se ka të bëjë me patrullimet në lartësi të mëdha pranë kufijve, disa prej të cilëve lëshojnë raketa në përpjekje për të depërtuar sistemet ukrainase të raketave tokë-ajër.

Edhe goditjet ndodhin në përgjithësi në kuota të ulëta për t’i shmangur këto raketa, dhe kryesisht gjatë natës për të shmangur raketat e lëvizshme që zotërohen në sasi të mëdha nga trupat ukrainase. Edhe aftësitë e komunikimit duken të dobëta.

Shumë pajisjeve u mungon kriptimi i duhur i shkallës ushtarake, dhe kjo po e ndihmon Ukrainën të gjurmojë dhe godasë komandantët kryesorë në terren. Këto kufizime strukturore ka të ngjarë të vazhdojnë, pasi shkaktohen nga probleme afatgjata të cilat nuk mund të rregullohen lehtësisht.

Morali i dobët i trupave ruse, është një faktor tjetër shumë domethënës, por i vështirë për t’u matur ose parashikuar. Fakti që qindra automjete u braktisën nga ekuipazhet e tyre që gjatë muajit të parë të pushtimit, përfshirë tanket kryesore të avancuara të betejës, sistemet e mbrojtjes ajrore dhe pajisjet e luftës elektronike, flet për probleme të mëdha me moralin.

Por deri tani ka pak prova të një kolapsi në shkallë të gjerë të njësive ruse, gjë që mund të ishte e pritshme duke pasur parasysh viktimat e shumta. Pjesa më e madhe e tronditjes fillestare nga hedhja e papritur në fushën e betejës do të jetë konsumuar në këtë fazë.

Ndërsa njësitë ruse vazhdojnë të konsolidohen dhe të veprojnë si njësi më të mëdha, më kohezive dhe me mbikëqyrje më të madhe, mund të zbehet çështja e moralit.

Kjo e fundit ka të ngjarë të jetë një problem më i madh për përpjekjet e rusëve për të fituar më tej terren, sesa për të mbrojtur atë që kanë marrë tashmë. Ndërsa Ukraina po përpiqet të rimarrë territorin e humbur, edhe njësitë ruse të motivuara dobët mund të dëmtohen shumë nëse zhvendosen dikur tjetër.

Të metat në koordinimin dhe planifikimin e rusëve në nivel operacional dhe taktik, ranë në sy që në javët e para të pushtimit. Por gjatë javës së kaluar, ata kanë treguar disa shenja përmirësimi, dhe ndoshta do të përmirësohen pasi oficerët dhe komandantët të përshtaten me realitetin e situatës së tyre dhe të ndërmarrin veprime më pragmatike.

Për shembull, javën e kaluar ka pasur një rritje të konsiderueshme të përdorimit të dronëve nga rusët për të drejtuar në mënyrë efektive sulmet e shpejta të artilerisë kundër pozicioneve dhe automjeteve të Ukrainës, përfshirë disa raketa tokë-ajër. Pra ushtria ruse duket se po përmirësohet në zbatimin e doktrinës së saj taktike.

Edhe strategjia e kalimit në pozita më mbrojtëse (përveçse përreth Mariupolit dhe Donbasit) përfaqëson gjithashtu një vendim pragmatik për të përqendruar forcat aty ku janë më të mëdha shanset për suksese të njëpasnjëshme, në vend se të vazhdojnë të ndjekin objektiva të pamundur në shumë fronte njëkohësisht.

Faktori i fundit kryesor që i ka penguar deri më tani operacionet ruse, ka qenë kapaciteti i pamjaftueshëm logjistik për të mbështetur përparimet e shumta që janë tentuar të arrihen. Mungesa e planifikimit dhe koordinimit në ditët e para e përkeqësoi shumë këtë kufizim, pasi njësitë u dërguan në luftime me municione, karburant, ushqim, veshje dimërore dhe furnizime mjekësore të pamjaftueshme.

Kur gjërat filluan të shkojnë keq, përgjigja e ushtrisë ishte urdhërimi i avancimit të më shumë formacioneve luftarake në thellësi të territorit ukrainas nëpër të njëjtat rrugë. Kjo çoi në bllokime të mëdha trafiku, që u përkeqësuan nga pritat e trupave ukrainase, që shkatërruan me armë anti-tank dhe dronët TB-2 automjetet e bllokuara.

Për pasojë, Rusia vetëm brenda 1 muaji ka humbur të paktën 550 kamionë ushtarakë.

Një sistem logjistik shumë i përhapur në terren është në krizë të plotë. Përgjigja ka qenë përqendrimi në ofrimin e mbështetjes së duhur logjistike për pushtimin e Mariupol, dhe si prioritet i dytë përparimin në Donbas.

Kjo në mënyrë të pashmangshme do të vijë në kurriz të pjesës tjetër të forcave ruse në Ukrainë, të cilat po fortifikojnë pozicionet e tyre dhe shpresojnë që të mbajnë atë që kanë marrë deri tani. Nëse Ukraina do të ketë mundësi të vazhdojë presionin në frontet e Kievit, Mykolaivit dhe Kherson-Chernihiv, atëherë logjistika ka të ngjarë të mbetet një problem kyç për Rusinë.

Nëse jo, Rusia do të jetë në gjendje të mbështesë ofensivat e njëpasnjëshme në Donbas, dhe më pas edhe gjetkë. Ukraina ka çdo lloj nxitje për ta vazhduar luftën. Në qytetet dhe qytezat që ka pushtuar, Rusia ka rrëmbyer politikanë dhe gazetarë vendas, ka qëlluar mbi protestuesit dhe u ka plaçkitur pronat.

Shkatërrimi brutal dhe i qëllimshëm i Mariupol, Kharkiv, Sumy dhe Chernihiv, janë një sinjal i zymtë se sa larg do të shkojë Rusia për të ushtruar kontroll mbi territorin që arrin të mbajë të pushtuar. Shtetet perëndimore duhet të vazhdojnë që t`i mbështesin forcat ukrainase me armë, fonde dhe të dhëna të inteligjencës.

Sipas vlerësimeve të NATO-s, forcat ruse kanë pësuar deri tani 30.000 deri në 40.000 të vrarë ose të plagosur. Ukraina mund të rimarrë sasi të konsiderueshme të territorit të saj, dhe nuk do të ketë kurrë një shans më të mirë sesa aktualisht, pasi forcat ruse do të përdorin çdo armëpushim ose ndërprerje të luftimeve për të konsoliduar dhe ri-furnizuar vijat e tyre të frontit.

Megjithatë, shumë nga faktorët që kontribuan në shkallën shkatërruese të humbjeve midis forcave ruse në muajin e parë, do të jenë më pak të rëndësishëm ndërsa ato po përshtaten, dhe teksa forcat ukrainase po përpiqen gjithnjë e më shumë që të kalojnë në kundërsulm. Ndërsa lufta do të hyjë në një fazë të re, dëmet nga të dyja palët do të jenë shumë të mëdha. /abcnews.al

-Advertisement-

Më shumë artikuj

- Advertisement -

Të fundit