3.6 C
Pristina
Monday, December 23, 2024

“Pse duhen maskat artizanale dhe syzet e diellit për t’u mbrojtur nga koronavirusi”- Flet mjeku shqiptar në Itali

Rekomandime

Prej më shumë se një muaji, njeriu më i dashur për amerikanet është Dr. Anthony Fauci, eksperti infektivolog dhe epidemiolog i Task-Forcës Koronavirus të Shtëpisë së Bardhë. Prej 1984, shef i Institutit te Alergjisë dhe Sëmundjeve Infektive, ka këshilluar 6 presidente.

Për amerikanët ai është zëri i të vërtetave shkencore, zëri i arsyes, është personi që ata e dëgjojnë dhe që u jep qetësi. Çdo ditë nga zyra e tij u jep intervista televizioneve prej rreth 10 minutash (i gjeni në “Youtube”). Informimit të publikut ai i jep rendësi. Në konferencat për shtyp të Presidentit Trump, nga gjithë pjesëtaret e Task-Forcës, është i vetmi që me stil të habitshëm dhe diplomaci, guxon dhe deklaron të kundërtën e asaj që thotë Trump.

- Advertisement -

Me emrin e Dr. Anthony Fauci shiten kapele, bluza, gota, ëmbëlsira, etj., me shkrimet: “Fauci”; “Dr. Anthony Fauci”; “In Fauci we trust”–ne i besojmë Fauci-it. Që në shkurt, Dr. Fauci fle çdo ditë vetëm 4 orë natën, punon pa ndërprerje.

Në këtë luftë është momenti i tij. Dr. Fauci-t i kanë vënë mbrojtje me truproje sepse grupe ekstremistesh i kanë bërë kërcënime me vdekje.

U pyet Dr. Fauci nga një televizion: “A do të vini maskë?”, kjo pyetje pasi gazetari foli për një artikull shkencor prestigjioz që sapo doli, i cili referoi gjetjen se gazi që del me pika të vogla dhe të padukshme pështyme, me anë të kollës, arrin deri në 6 metra dhe ato të teshtitjes deri në 8 metra (teshtitja shumë e rrallë në Covid, kolla e thatë është tipike e Covid).

- Advertisement -

Dr. Fauci u përgjigj: “Me punën që bëj unë, jam gjithmonë brenda, por po të dal përjashta, e para do të mbaj distancën 2 metra nga të tjerët dhe do të vë maskë artizanale sepse nëse rastis ndonjë person rrotull, maska është një masë mbrojtjeje”.

Shteti i Kalifornisë dhe ai i Nju Jorkut, të parët që u kërkuan qytetarëve maska artizanale kur dalin jashtë shtëpisë. Menjëherë pas tyre doli këshilla e Task Forcës së Shtëpisë së Bardhë për të gjithë amerikanët, e thënë nga vetë Presidenti Trump: amerikanët këshillohen të mbajnë maska artizanale. Detajet i jep CDC, Qendra për Kontrollin e Sëmundjeve. Në websitin e saj tregon si t’i bëni në shtëpi maskat dhe si t’i përdorni ato. Thotë edhe që herë pas here maska duhet larë, me larje të zakonshme, dhe kjo varet nga sa shpesh e përdor. CDC porosit që kur e vini dhe e hiqni maskën, të mos prekni gojën, hundën dhe sytë. Këto janë portat e hyrjes së koronavirusit dhe duart mund t’i keni të palara.

- Advertisement -

Përveç maskës duhen vënë edhe syze, më mirë nëse janë të mëdha; syze ose optike ose syze dielli. Maska bashkë me syzet mbrojnë gojën, hundën dhe sytë nga rënia e pikave të vogla dhe të padukshme të pështymës që dalin nga një njeri kur ai kollitet, teshtin ose edhe vetëm kur flet. Duke folur, këto pika pështyme nuk dalin me atë shpejtësi, me të cilën dalin nga kolla dhe teshtitja, pra, nuk arrijnë larg. 2 metra distancë është një mbrojtje mjaft e mirë.

Maska dhe syzet nuk të mbrojnë dot nga aerosoli me virus që mbetet në ajër afër personit që ka infeksionin kur ai kollitet, teshtin, flet ose që del vetëm nga frymëmarrja e tij. Edhe vetëm me frymëmarrje, i infektuari nxjerr nga mushkëritë jashtë, afër vetes, viruset me aerosol. Kuptohet që mbrojtja është distanca mbi 2 metra, ndërsa mbrojtja më e sigurt është të rrish në shtëpi.

Maska që ju vini mbron të tjerët nga pikat e pështymës që mund të dalin nga goja juaj. Dorezat janë fare të panevojshme. Virusi nuk futet në trup nga lëkura e duarve. Patjetër, kujdes, mos prekni me duar fytyrën, mos kruani syrin, hundën dhe mos vini dorën te goja, sepse jashtë mund të keni prekur objekte të ndotura me koronavirus dhe viruset mbeten në gishta edhe po të keni doreza. Sapo hyni në shtëpi, lani duart me sapun!

Shefi i Mjekësisë Ushtarake të SHBA, Surgeon General, anëtar i Coronavirus Task Force, tregon me video në “Youtube” si ta bësh një maskë pa bërë qepje: How to Make Your own Face Covering.

Për larjen e maskës, unë mendoj këtë: gjeja me e rëndësishme është të jetë një maskë ndryshe në ngjyrë faqja e jashtme nga faqja e brendshme, në mënyrë që të njëjtën anë të maskës ta keni gjithmonë jashtë, sa herë që e vini në fytyrë. Kjo anë e jashtme mund të jetë e ndotur me pika të vogla pështyme të të tjerëve që ju kanë rastisur afër dhe këtë anë të mos e vini mbi gojë. Kur e vini dhe e hiqni maskën, mos e prekni pjesën e jashtme, por kapeni maskën vetëm nga rripat. Dhe mos prekni me duar gojën, hundën dhe sytë. Sapo arrini në shtëpi, hiqni maskën nga rripat dhe lani duart mirë me sapun për 20-30 sekonda.

Unë sapo futem në shtëpi, i heq këpucët e rrobat dhe i lë ato afër derës. Ato mund të jenë të ndotura me virus. Mundësia është shumë e vogël. Edhe që të infektohesh duke prekur ato është shumë e rrallë. Por i laj duart mirë, mbrohem.

Infektimi me koronavirus ndodh kryesisht me ajër, kalon nga njeriu në njeri kur personat janë afër njeri-tjetrit. Koronavirusi është shumë ngjitës dhe kur njerëzit janë afër një të infektuari, përhapet tek ata si zjarri në kashtë. Koronavirusi nga i infektuari (i sëmurë ai ose i shëndetshëm) bie me pika të vogla pështyme mbi objekte dhe është gjetur se jeton mbi karton deri një ditë, ndërsa mbi sipërfaqe të lëmuara si plastikë dhe metal, jeton deri në 2-3 ditë. Pikat e vogla të pështymës thahen dhe pastaj viruset që ato kanë, në mënyrë progresive gjithmonë e më shumë, ngordhin. Koronavirusi ngordh më shpejt në ambient të ngrohtë. Unë kur blej ushqimet, i le ato prapa derës sapo hyj, për 3 ditë, kështu e di që nëse kanë koronavirus, pas 3 ditësh nuk kanë më. E përsëris, është gjë e rrallë të infektohesh kështu. Infektimi ndodh kryesisht me ajër. Edhe maskën, nëse nuk e përdor për 3 ditë, mund ta konsiderosh pa virus.

Në një dhomë të mbyllur ku është kollitur një i sëmurë Covid, aerosoli me koronavirus mbetet në ajër deri në 3 orë. Dritaret dhe dyert duhen mbajtur hapur të qarkulloje ajri kur jeni në një ambient me persona që nuk janë të familjes suaj.

CDC dhe të gjithë mjekët në SHBA i kërkojnë publikut: Mos përdorni maska mjekësore! Të njëjtën gjë duhet të bëjmë edhe ne. Ka mungesa të mëdha në botë edhe te ne për maskat mjekësore. Nëse njerëzit kërkojnë dhe blejnë maska mjekësore, mund të dalin edhe abuzues që do t’i vjedhin nga spitalet, duke paguar funksionarë të korruptuar. Për mjekët që punojnë me pacientë Covid, shpesh është luks të kenë maskë me filtër FFP2 (quhet edhe N95) ose FFP3. Ndërsa këto maska i gjen në popull, sepse u blenë në farmaci dhe dyqanet e materialeve të ndërtimit sapo u hap paniku i epidemisë para se epidemia të fillonte.

Personeli mjekësor ka nevojë t’i hedhë të gjitha mjetet mbrojtëse kur mbaron turnin dhe del nga salla e izolimit Covid, sepse aty ndotja me virus është shumë e lartë. Për mungesë maskash me filtër, në spitalet amerikane përdorin të njëjtën maskë edhe për një javë. Mjetet e mbrojtjes shpesh mungojnë për personelin mjekësor në të gjitha vendet e botës dhe ata infektohen, edhe sëmuren. Ja disa detaje:

Rasti i këtyre ditëve, i një infermieri të Shërbimit Shëndetësor Publik Britanik NHS (nga më të mirët e botës), i sëmurë me shenja Covid, nuk i bëjnë testin e tamponit për mungesë të testeve; e izolojnë në një dhomë në shtëpinë e tij. Gjendja e tij keqësohet, nuk mbushet dot me frymë. Familjaret bëjnë 4 telefonata në kohë, ndërsa gjendja përkeqësohej, kërkojnë shtrim në spital, i refuzohet. Familjarët nuk e kuptojnë pse; mendojnë meqë spitalet nuk kanë vende. Në datë 7 prill vdes në shtëpi me shenja Covid, i patestuar me tampon, i pandihmuar nga Shërbimi Shëndetësor, pjesë e të cilit ishte vetë ai.

Mjekët në Britaninë e Madhe kërkojnë të testohen, sepse herë pas here kanë kolegë që sëmuren. Duan të dinë cili prej tyre është i infektuar dhe nuk paraqet shenja sëmundjeje – është mbartës i shëndoshë për vete, por infektues për të tjerët dhe infekton kolegët kur janë afër njëri-tjetrit pa mjetet e mbrojtjes jashtë sallës së izolimit Covid. Megjithë premtimet e përditshme, akoma mungojnë testet tamponë në Britaninë e Madhe. Nuk gjenden në tregjet botërore, sepse ka shumë kërkesë për ato. Prandaj testet nuk duhet të të lejohet t’i blejë privati sepse ai do t’ia heqë ato Organizmit të Shëndetit Publik dhe mund t’i përdorë ato për njerëz, që shpesh testohen vetëm për ankth dhe jo sepse duhet të testohen sipas kritereve strategjike.

E njëjta gjendje mungese testesh është në Itali. Jam në chat me kolegë, të gjithë mjekët duan të jenë të testuar sepse rastisin të vinë ne kontakt me pacientë të dyshuar për Covid.

Në Itali, deri tani që shkruaj, 94 janë mjekët e vdekur nga Covid të infektuar duke kryer detyrën e tyre në shërbim të pacientëve. Lista me emrat të web, siti i Urdhrit të Mjekut (FNOMCEO). Përveç këtyre janë edhe 26 infermierë të vdekur me Covid – të rënë në detyrë. Personeli mjekësor i infektuar në detyrë është mbi 12 mijë. Nuk është i testuar mirë personeli mjekësor dhe mendohet që janë akoma më shumë të infektuarit.

Në lajmet e TV të SHBA (gjenden çdo ditë në “Youtube”) fillojnë duke folur për spitalet që trajtojnë Covid: “Dire shortages in the frontline” – mungesa të tmerrshme të mjeteve mbrojtëse, të testeve tamponë dhe të ilaçeve që përdoren në terapi intensive. Edhe gazeta “New York Times” e datës 7 prill që lexova, kishte disa artikuj që flisnin për këto mungesa të mëdha në spitale. Shpesh shoh në lajme personelin mjekësor në Nju Jork, që del në protesta para spitaleve – kërkojnë mjetet mbrojtëse.

I përsëris lutjen publikut: mos blini maskat mjekësore, ato i duhen personelit tonë mjekësor që vë jetën në rrezik duke u përpjekur të shpëtojë jetët e të sëmurëve Covid. Ky personel mjekësor, po të sëmuret, është i pazëvendësueshëm, sepse atë punë që dinë të bëjnë ata, nuk di ta bëjë çdo mjek ose infermier edhe i të njëjtit specialitet. Në trajtimin e Covid, ata kanë dije dhe aftësi të specializuara – terapi respiratore mjaft delikate.

Në Itali, në Lombardi, spitalet e mbushura plot për një periudhë, një pjesë të pacientëve Covid që ishin në gjendje më të mirë, i kaluan në shtrim në klinika private (RSA quhen), por aty ata vdisnin. Prokuroria po heton. U tha në lajme që privati kursen dhe nuk trajnon personelin.

Jam i shqetësuar për policët dhe ushtarët tanë që janë në krye të detyrës, në kontakt me njerëz që edhe mund të jenë të infektuar. Janë në rrezik. Çdo ditë në lajmet amerikane që shoh, përmendin policë që kanë vdekur. Lajmet e datës 6 prill përmendën një polic që vdiq bashkë me gruan nga Covid. Herën e fundit më rastisi para 10 ditësh që dëgjova shifrën 800 policë të testuar pozitivë me coronavirus në Neë York. Nuk e di sa janë sot. Edhe në Itali ka policë dhe karabinierë që kanë vdekur, të infektuar në krye të detyrës. Ka vdekur me Covid edhe një polic i truprojës se Kryeministrit Konte.

Maskat që kane policet tanë, të mbulojnë mirë gojën dhe hundën, të mbajnë edhe syze; por e domosdoshme për policët dhe ushtarët të mbajnë distancën mbi 2 metra nga qytetarët që kontrollojnë dhe nga njeri-tjetri. Kur janë në makine bashkë, xhamat të gjitha të hapura që të qarkullojë ajri vazhdimisht. Nuk dihet kush mund ta ketë infeksionin dhe ua kalon pa e ditur shokëve kolegë.

Në qytetin italian të Bergamos kë shumë të sëmurë me Covid nga personeli i agjencive funerale. Një agjenci u mbyll se ishin të gjithë të sëmurë. Deri para 4 ditësh, ishin dy të vdekurit Covid në Bergamo nga punëtorët e agjencive funerale. Thonë punonjësit e agjencive funerale (ata që akoma janë në punë dhe nuk kanë bërë testin, nuk e dinë a janë të infektuar) që flenë në punë, në zyra, nuk kthehen në shtëpi se kanë frikë mos infektojnë familjarët. Këtë e bën edhe personeli mjekësor që punon me Covid – mundohen të gjejnë ku të flenë, të mos shkojnë në familje.

Chris Cuomo, 49 vjeç, gazetari i CNN dhe vella i guvernatorit të Nju Jorkut, që nga fundi i marsit është në shtëpi i sëmurë Covid. Tregon ne “Youtube” se si i merret fryma dhe sa ndjenjë e keqe është. Gazetarët, intervistat t’i bëjnë ashtu si gazetarët në SHBA, në Itali dhe në vendet e tjera: intervista vetëm në ambient të hapur dhe në distancë të bollshme mbi 2 metra nga i intervistuari, me mikrofonin të vendosur mbi një shufër ose çdolloj shkopi. Të mbrohen! Dhe po ashtu i japin shembull publikut si mbahet distanca mbi 2 metra.

Në lajmet TV të SHBA-së foli djali i një të vdekuri Covid: “Me këtë virus nuk bëhet lojë”. Unë ju përsëris të njëjtën gjë që e dini: RRINI NE SHTEPI! Kjo është mbrojtja kryesore. Kush e ka të nevojshme të dalë për të blerë ushqime, distanca që të mbron nga të tjerët është 2 metra, duke pasur maskë artizanale mbi gojë dhe hundë, dhe me syze. E domosdoshme të mbahet 2 metra distancë. Është mjeti kryesor i mbrojtjes jashtë shtëpisë. Të mbron më shumë dhe më mirë se maska dhe syzet.

Kush është i moshuar, absolutisht të mos dalë nga shtëpia! Edhe kush është në kurim me ilaçe (hipertension, zemër, diabet, etj.), absolutisht të mos dalë nga shtëpia! Janë në rrezik të madh!

Nuk dihet kush mund ta ketë infeksionin. Nuk dihet sa janë mbartësit e shëndoshë, ata që kanë koronavirusin në mushkëri, por që nuk janë të sëmurë. Disa studime sugjerojnë se mund të jenë gjysma e të infektuarve. Këta takojnë njerëz dhe infektojnë të tjerët pa e ditur. Në Britaninë e Madhe thuhet “Stay at home and save lives” – rri në shtëpi dhe shpëto jetë. Kur nuk del nga shtëpia, je i sigurt. Nuk infektohesh vetë, nuk infekton të tjerët, mbron jetën tënde, të familjareve të tu,= dhe po ashtu të njerëzve, të cilëve rastësisht mund t’u afrohesh në rrugë ose dyqane.

-Advertisement-

Më shumë artikuj

- Advertisement -

Të fundit