-0.1 C
Pristina
Wednesday, December 25, 2024

Pse Miroslav Lajçak e fshiu nga harta shtetin e Kosovës?!

Rekomandime

Miroslav Laçak është ndërmjetës i Bashkimit Evropian për dialogun midis Kosovës dhe Serbisë. Më saktë është përfaqësues i shefit për Politikë të Jashtme dhe Siguri të BE-së, zotit Borrell. Lajçak dhe Borrell vijnë nga dy vende, të cilat nuk e kanë njohur shtetin e Kosovës, përkatësisht Sllovakia dhe Spanja.

Duket se të dy këta në vend të ndjekin politikat e Komisionit dhe Parlamentit Evropian, punojnë sipas agjendës serbe e ruse sa i përket Kosovës, statusit dhe njohjes së shtetësisë së saj. Miroslav Lajçak u shfaq këto ditë duke dhënë një intervistë për “European Western Ballkans” me një hartë të rajonit pas shpine, në të cilën Kosova shihet të jetë “pjesë e Serbisë”! Ishte rastësi kjo?!

- Advertisement -

Në politikë dhe në diplomaci nuk ndodhin kurrë rastësitë. Ato sajohen, vendosen e mbivendosen, me qëllim që të jepen mesazhe për dikë tjetër.

Edhe intervista e Lajçak me sfond hartën e rajonit tonë pa Kosovën shtet sovran e të pavarur ka një mesazh të caktuar: Mesazhi lidhet me faktin se ndërmjetësuesi evropian për dialogun Kosovë-Serbi punon për zhbërjen e pavarësisë së Kosovës!

Kush ka argumente tjera le të provojë të kundërtën, por askush nuk duhet të më thotë se ky veprim i ish-ministrit të Jashtëm të Sllovakisë erdhi nga pakujdesia e mos-vëmendja.

- Advertisement -

Se Lajçak e përmes këtij edhe Borrell japin mesazhe anti-Kosovë, kjo tashmë është bërë e qartë në intervista e forma të tjera të njohura.

Por që përmes kësaj harte të jepej mesazhi se “Kosova nuk mund të ekzistojë as si nocion gjeografik në hartë”, këtë nuk e kishte menduar as kundërshtari më ekstremist i ndërmjetësimit të tyre në zgjidhjen e konflktit midis dy vendeve.

- Advertisement -

Nuk e kishin çuar në mendje s vetë serbët e Beogradit.

Harta e Lajçak në zyrën apo në një ambient tjetër pune të tij, e kthen Kosovën në statusin që asaj i jepte kushtetuta e vitit 1946 ose 1953 e ish-Jugosllavisë.

Pra, statusin e një rajoni pa kurrfarë autonomie të Serbisë së Rankoviçi, kur Kosova emërtohej me emërtimin e sotëm të kushtetutës serbe “Kosovo-Metohi” dhe kur shqiptarët në vend të quheshin “albanski”, përbuzeshin me emrin “shiptari”!

Me këtë akt diplomatik, shefi i bisedimeve të BE-së ka shkelur jo vetëm të drejtën sovrane të Kosovës, jo vetëm vullnetin e shprehur të saj, pra verdiktin për të qenë shtet sovran dhe i pavarur.

Lajçak ka fyer rëndë shqiptarët në tërësi dhe ka shkelur disa dokumente ndërkombëtare. Së pari Rezolutën 1244.

Në atë rezolutë Kosova, nëse nuk do të ishte e pavarur, do të ishte nën administrimin ndërkombëtar të OKB-së dhe NATO-s, por nuk do të ishte pjesë përbërëse e Serbisë.

Në atë rezolutë përcaktohet dhe thuhet se “Statusi i Kosovës do të përcaktohet në kuadër të RF të Jugosllavisë”! Nuk e parasheh rezoluta 1244 që Kosova me statusin që do të kishte të bëhej pjesë e Serbisë.

Me shpalljen e pavarësisë së Malit të Zi në Korrik 2006, Jugosllavia pushoi së qeni. Kësisoj Kosovës nuk i mbetej asnjë zgjidhje tjetër përveç pavarësisë, sepse Rezoluta 1244 nuk parashikonte që ajo të bëhej pjesë e Serbisë.

Ndërsa “i paanshmi” Lajçak e ka vizatuar atë pa kufij administrativë si pjesë të Serbisë. Ka shkelur kësisoj ligjin ndërkombëtar të parashikuar në rezolutën në fjalë të Këshillit të Sigurimit, votuar edhe nga aleati i tij, Rusia.

Por Miroslav Lajçak ka shkelur edhe rezolutat dhe vendimet e Bashkimit Europian.

Një ditë para miratimit të Rezolutës 1244 në Këshillin e Sigurimit, ishin shefat e shteteve dhe qeverive të Bashkimit Evropian, të mbledhura në Bon të Gjermanisë, ata që më 9 qershor 1999 e votuan unanimisht atë rezolutë.

Ishte Komisioni i Jashtëm i Parlamentit Evropian që para dy ditësh miratoi një rezolutë, në të cilën thuhet se “pavarësia e Kosovës është e pakthyeshme” dhe i bën thirrje pesë vendeve anëtare të saj, edhe vendit të Lajçak dhe Borrell, Sllovakisë dhe Spanjës, që ta njohin pavarësinë e shtetit më të ri në Evropë.

Janë 23 vende të Bashkimit Evropian që e kanë njohur shtetësinë e Kosovës. Janë gjithashtu të shtatë vendet më të industrializuara të botës që e kanë bërë këtë. Por Lajçak na thotë se “për Kosovën vendos ai, Serbia dhe Rusia”!

Kosova është anëtare Bankës Botërore, FMN-së, BERZH, CEFTA-s, Organizatës Botërore të Doganave si dhe anëtare e FIFA-s, UEFA-as dhe Komitetit Olimpik dhe ajo duhet njohur si e tillë, si vend i pranuar nga Bashkimi Evropian dhe organizata të shumta ndërkombëtare. Miroslav Lajçak përfaqëson Bashkimin Evropian, është aty për ta forcuar këtë bashkësi shtetesh dhe paguhet me taksat evropiane për t’i shërbyer vendimmarrjes së shumicës dërmuese të vendeve të BE-së. Por çfarë bën ai? I shërben interesave të vendit të tij, të cilat shkojnë në favor të interesave serbe e ruse dhe kurrsesi të Evropës së vlerave dhe të demokracisë. I shërben rrjedhës anti-historike dhe politikave destruktive anti-europiane të Vladimir Putin.

Kosova është sovrane dhe e pavarur, sepse popullsia e saj u përndoq, u dhunua, u asgjësua fizikisht, u dëbua masivisht, sepse vendi u dogj dhe u shkatërrua nga ushtria, policia dhe paraushtarakët e shtetit të Serbisë, sipas një projekti të paracaktuar e të formuluar në zyrat e kryetarit të shtetit serb të kohës. Kosova u bë e pavarur për shkak të shpërbërjes së ish-Jugosllavisë. Tani Miroslav Lajçak me hartën e Kosovës si pjesë të Serbisë na jep mesazhin se edhe nëse një shtet si Serbia bën krime kundër njerëzimit dhe genocid kundër një populli jo serb, ky popull jo serb na qenka i detyruar të bashkëjetojë nën sovranitetin e shtetit genocidal. Ka harruar se genocidi hitlerian ndaj judëve çoi në krijimin nga hiçi të shtetit izraelit. Ndërkohë Kosova ekzistonte edhe para Serbisë, ekzistonte edhe atëherë kur në Rashkë u krijua principata e parë serbe, ekzistonte pra, edhe para Pashiçit, Çubrilloviçit, Rankoviçit, Milosheviçit, Vuçiçit dhe Lajçakut e Borrellit.

Kësisoj harta e tij përveçse provokim është gjithashtu një akt anti-historik! Për këtë arsye institucionet e Kosovës duhet ta dënojnë këtë akt, t’i kërkojnë Miroslav Lajçak të kërkojë ndjesë publike dhe të deklarohet se do të ruajë paanësinë në dialogun midis Kosovës dhe Serbisë! Në të kundërt, ai duhet bojkotuar!

-Advertisement-

Më shumë artikuj

- Advertisement -

Të fundit