9.6 C
Pristina
Wednesday, December 18, 2024

Pse Rama dhe Vuçiqi insistojnë për Ballkanin e Hapur

Rekomandime

Kryeministrja e Serbisë, Brnabic thoshte se “Ballkani i hapur është një fitore e politikës së jashtme të Vuçiç dhe sikur të mbetet me dy vende”. Por si mund të jetë një iniciativë bashkëpunimi rajonal e suksesshme kur nuk arrin qëllimin e saj dhe kundërshtohet nga shumë vende të Ballkanit Perëndimor? Cilat janë qëllimet e saj të fshehura dhe për çfarë shërbejnë?

Një pjesë e këtyre përgjigjeve i gjejmë në fjalimet e fundit të Presidentit Vuçiç, i cili flet për Ballkanin e Hapur si ‘një iniciativë e të ardhmes’, duke theksuar që strategjia e Serbisë duhet të jetë e orientuar drejt lirisë dhe e pavarur, politikë e fuqizimit dhe mbijetesës. Pra Ballkani i Hapur nuk është një iniciativë komplementare e Procesit të Berlinit, por një qëllim në vetvete për të realizuar strategjinë e politikës serbe në Ballkan.

- Advertisement -

Por çfarë arrin zoti Vuçiq të realizojë me iniciativën e Ballkanit të Hapur në të vërtetë? Tre qëllime të dukshme.

Së pari, anashkalimin e Kosovës dhe mos njohjen e saj.

Së dyti, krijimin e një zone të lirë në Ballkan jashtë influencës tërësisht perëndimore,duke e kthyer në një zonë konkurrence të të gjitha fuqive botërore që kërkojnë prezencë, si të Rusisë, Kinës, Turqisë, etj.

- Advertisement -

Së treti, mundësinë për të prishur arkitekturën e sigurisë europiane të Ballkanit Perëndimor dhe shtrirjen e NATO-s, fillimisht në Bosnjë-Hercegovinë e Kosovë si dhe ndryshimin e regjimit pro-perëndimor në Mal të Zi dhe Maqedoninë e Veriut. Kjo strategji e Vuçiç-it është perfekte në realizimin e qëllimeve të një vendi satelit, i cili nëpërmjet presioneve kërkon vendin e saj për të dominuar politikën Ballkanike.

Por cili është roli që kërkon të luajë Shqipëria dhe kryeministri Rama në këtë iniciativë, e cila gjithmonë e më shumë nuk i shërben interesave të Shqipërisë?

- Advertisement -

Së pari, nevoja për protagonizëm në politikën Ballkanike. Si një politikan atipik, i artikuluar, artist dhe me dëshirën delirante për të prodhuar diçka, kryeministri Rama e ka deformuar politikën e jashtme të Shqipërisë dhe shndërruar në një mjet për të realizuar qëllimet e tyre shtetet e tjera Ballkanike. Ai gaboi në politikën e jashtme duke zëvendësuar trekëndëshin Tiranë-Romë-Athinë, trekëndësh i sugjeruar nga partnerët tanë strategjik, me trekëndëshin Tiranë-Beograd-Ankara. Dëshira e madhe për protagonizëm nuk e lejon të kuptojë që cështja jonë kombëtare nuk mund të zgjidhet nga Beogradi. Për tetë vite me radhë politika e jashtme e matur dhe e balancuar e Shqipërisë është kthyer në një politikë vasaliteti ndaj Turqisë dhe një avokaturë të projekteve serbe.

Së dyti, Ballkani i Hapur nuk është për kryeministrin Rama as një projekt paralel europian sic duan ta paraqesin, as edhe një presion ndaj Europës për të na hapur negociatat menjëherë. Ky është një projekt që mundëson ekzistencën dhe fuqizimin e regjimeve autokratike që kanë mos përputhje tërësore me vlerat dhe parimet europiane. Hapja e mundshme e negociatave me BE në fund të vitit do të kishte prodhuar një veprim politik të përfundimit të projektit të Ballkanit të Hapur, për arsye se ky projekt bie ndesh me shumë nga politikat e BE-së. Fakti është që Rama dhe Vuçiç po i shtojnë takimet dhe po konkretizojnë projektin.

Pra, si përfundim është zgjedhur Europa si ide për tu treguar pro perëndimorë dhe në fakt po punojnë për një projekt që mund të pengojë të ardhmen perëndimore të rajonit. Hapja e negociatave për Shqipërinë dhe afrimi me BE-në do të thotë minimalisht ndryshim regjimi, funksionimin e plotë të shtetit ligjor dhe balancës së pushteteve, luftë pa kompromis kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, dhe fund i regjimeve autokratike-oligarkike.

Në vend të përfundimit

Ballkani Perëndimor gjithmonë e më shumë po preket nga skenarë të errët destabilizues. Retë e zeza sot po duken në Bosnjë-Hercegovinë, por prezenca e stuhisë mund të jetë kudo në Mal të Zi, Maqedoninë e Veriut, Kosovë. Perëndimi e shikon situatën me shqetësim, por pa vëmendjen e duhur. Ata mendojnë se Ballkani Perëndimor është hapësirë demokratike por harrojnë se shtetet janë të kapura, mediat nën presion dhe shoqëria civile e asfiksuar. Ndoshta opinionet e paraqitura nga firmat lobiste dhe grupet e presionit ju duken bindëse por realiteti është krejt ndryshe. Në vend të një të ardhme demokratike, respektim të minoriteteve dhe të drejtave të njeriut, harmonizmim në bashkëpunimin midis kombeve, Ballkani po destabilizohet nga shpërthimi i nacionalizmit serb dhe politikave aktive ruse për influencë, Perëndimi duhet të lëvizë sa nuk është vonë.

Por ndërsa perëndimi beson në projektet e grupeve të presionit, që në shumë raste mbrojnë interesat e tyre dhe lobohen fort nga liderat autokratë të Ballkanit, Vuçiç konsolidon politikat e tij me Moskën dhe janë gati për cdo skenar. Avantazhet psikologjike të krijuara nga aksioni serbo-rus i ka kthyer liderët autokratë të regjimeve hibride të Ballkanit të ushtrojnë pragmatizmin e tyre në pritje të një marrëveshje të re të mundshme midis Lindjes dhe Perëndimit për Ballkanin. Prandaj z. Rama po harron të merret me skenarin patriotik të pritjes së përfaqësuesve të Qeverisë së Kosovës dhe po merret me pritjen triumfante të Vuçiç në Tiranë, që po i mundëson Shqipërisë dyndjen e ‘turistëve’ rusë në bregdetin e një vendi anëtar të NATO-s.

-Advertisement-

Më shumë artikuj

- Advertisement -

Të fundit