2 C
Pristina
Monday, November 18, 2024

Rama i gatshëm ta rishikojë “Ballkanin e hapur” nëse qytetarët i thonë jo kësaj nisme

Rekomandime

Kryeministri Edi Rama ka deklaruar se do të rishikojë “Ballkanin e hapur” nëse qytetarët i thonë “Jo” nismës së tri vendeve ballkanike, Shqipërisë, Serbisë e Maqedonisë së Veriut.

Këshillimi Kombëtar, i lansuar më 24 dhjetor të vitit të kaluar nga kryeministri Rama, është iniciuar publikisht e zyrtarisht të enjten, ku nëpër shtëpitë e qytetarëve kanë filluar të mbërrijnë anketa, në të cilën është edhe pyetja nëse “Ballkani i hapur” është në interes të Shqipërisë.

- Advertisement -

Pasi është iniciuar zyrtarisht Këshillimi Kombëtar, kryeministri Edi Rama është pyetur nga gazetarët se nëse qytetarët thonë “jo” për “Ballkanin e hapur” a do tërhiqeni nga nisma?

“Do ta shikojmë. Patjetër me shumë vëmendje. E përsëris, është nevoja jonë për ta marrë këtë opinion. Për nismën ‘Ballkani i hapur’ ka njerëz që mendojnë se nuk është gjëja e duhur, por ka të tjerë që mendojnë se është i rëndësishëm, edhe për këtë ne do t’u drejtohemi shqiptarëve. Nuk është një nevojë taktike, por një nevojë reale për ta marrë këtë opinion dhe për të pasur një ide të qartë se çfarë mendojnë njerëzit pavarësisht partive, pavarësisht ndasive të përditshme”, deklaroi Edi Rama.

Minishengeni ballkanik, i shndërruar më pas në “Ballkani i hapur” është nismë e kryeministrit Edi Rama, presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq dhe ish-kryeministrit të Maqedonisë Veriut, Zoran Zaev. Kjo nismë është kundërshtuar nga tri vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor, si Kosova, Bosnjë-Hercegovina e Mali i Zi.

- Advertisement -

Tirana më 21 dhjetor të vitit që sapo lamë pas ka qenë qyteti mikpritës për takimin e radhës së “Ballkanit të hapur”. Në kuadër të këtij samiti kryeministri Edi Rama u shpreh se ata që nuk e duan ‘Ballkanin e hapur” duan diçka tjetër, ndërsa bëri thirrje që kush e do Procesin e Berlinit duhet t’i bashkohet kësaj tryeze, transmeton Koha.

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, u shpreh qartë se nisma “Ballkani i hapur” nuk ka lidhje me Serbinë e Madhe apo me Shqipërinë e Madhe. Vuçiqi u shpreh në Tiranë se ai kërkon të ndihet si në shtëpinë e tij kur vjen në Shqipëri, ashtu sikundër edhe shqiptarët duhet të ndihen si në shtëpinë e tyre kur shkojnë në Serbi apo Maqedoninë e Veriut.

- Advertisement -

I dërguari i SHBA-së për Ballkanin, Gabriel Escobar, deklaroi më 24 nëntor 2021, gjatë takimit online në një panel politik në konferencën “Open Balkan” në Kuvendin e Serbisë, se nisma do të ketë sukses vetëm nëse të gjitha vendet do të bëhen pjesë e saj.

“Mbështetja për ‘Open Balkan’ do të bëhet në bazë të kushteve që nisma të jetë hapur për të gjithë për anëtarësim të barabartë dhe jo shpërqendrim nga aspiratat evropiane. Pa të gjashta vendet nuk mund të ketë sukses”, deklaroi Escobar.

Disa javë pasi kryeministri Rama lansoi nismën e Këshillimit Kombëtar është publikuar edhe anketa me 12 pyetje drejtuar qytetarëve. Përveç në pyetjen se a ka përfitime Shqipëria nga nisma “Ballkani i hapur”, kryeministri Rama ka kërkuar nga qytetarët përgjigje edhe lidhur edhe me legalizimin e kanabisit për arsye shëndetësore, vendosjen me detyrim të certifikatës së vaksinimit në kushtet kur Shqipëria ende nuk ka ashpërsuar masat anti-Covid, shtimin e gjobave për evazionin fiskal, apo pezullimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve nëse vendosin haptas në kundërshtim me ligjin. Pyetësorin Qeveria e mbyll me çështjen e integrimit dhe bashkëpunimit rajonal, duke u kërkuar mendim qytetarëve nëse Shqipëria duhet të ndahet nga Maqedonia e Veriut për nisjen e negociatave me BE-në.

-Advertisement-

Më shumë artikuj

- Advertisement -

Të fundit