Rama: Po i bëra rrogat 500 € do “vdesim për bukë”, në botë rriten sepse punojnë më shumë se ju

0
160

Kryeministri Edi Rama ka dalë në konferencën e jashtëzakonshme për planin e qeverisë në lidhje me krizën energjitike globale.

Ai ka publikuar shifrat e çmimit të energjisë, duke u shprehur se që nga ardhja në pushtet, çmimi nuk është rritur, por është ulur. Rama u shpreh se që nga viti 2015 qeveria ka nxjerrë një VKM që mbron familjet në nevojë, duke paguar nga buxheti i shtetit një pjesë të faturës së energjisë të këtyre familjeve.

“Pak ditë më parë ju drejtova një mesazh të drejtpërdrejt për një krizë energjitike globale. Sot jam këtu për t’ju thënë çfarë do të bëjmë ne. Duhet ta keni mirë parasysh, se nuk ekziston asnjë kryeministër apo qeveri, edhe më e keqja në botë, që dëshirën e parë të mos kenë rritjen e rrogave apo pensioneve. Të rrisësh pagat dhe pensionet apo të ulësh kontributet pa marrë parasysh arkën e shtetit, do të thotë të qeverisësh me mënyrën e Sudes. Dikush thotë se 8 vite më parë i kemi patur pagat më të lartat në rajon dhe sot jemi të fundit. Tabela e pagave në rajon flet ndryshe. Ja dhe rritja e pagave në rajon.

Disa thonë se i kemi braktisur njerëzit në nevojë, por përsëri faktet nuk janë opinione. Ja çmimi i energjisë për familjarët. Është e vërtetë që shtetet e tjera i kanë rrogat më të larta se ne. Çmimi i energjisë në faturë nuk është çmimi real që blejmë, por është çmimi i kontrolluar nga shteti.

Thonë se ne e paskemi rritur çmimin. Në kohën kur gjysma vidhte gjysmën tjetër, dhe gropa e borxhit në sistemin tonë energjitik kthehej në një humnerë, konsumatorët shqiptarë ishin ndarë në 2 fasha:

Familjet me të ardhura mesatare dhe të larta, kishin çmim 13.5 leke/kwh. Në fashën e poshtme, kilovati ishte 7.7 lekë. Me reformën tonë, çmimi i energjisë u ul për të gjithë familjarët me 9.5 lekë, qysh në vitin 2015, dhe ky është çmim nën koston e prodhimit. Fasha u hoq, sepse ishte një kënetë korrupsioni dhe abuzimesh, ku deri te fabrika apo 7 kurora me 7 vila dykatëshe, paguanin si të ishin familje ekonomike. Por me vendim qeverie, krijuam një mburojë për familjet në nevojë dhe ne financojmë çdo vit diferencën mes 7.7 dhe 9.5”, tha Rama ndër të tjera.

Kryeministri i vendit, Edi Rama, është shprehur se qeveria nuk mund të rrisë sa hap e mbyll sytë, sepse atëherë do të duhej të zhyteshin në një krizë të vërtetë ekonomike.

“Ne mund t’i rrisim pensionet brenda një viti deri në 300 mijë lekë të vjetra, por kjo do të bënte që të mos kishte më kurrë pensione. Atëherë do të kuptonim se çfarë do të thoshte “të vdesësh për bukë”. Edhe rrogat ne mund t’i rrisim deri në 500 mijë lekë të vjetra brenda një viti, por vendi do të pësonte një kolaps dhe do të ishte hera e parë që nga koha e Skënderbeut që do të ngeleshum vërtetë pa bukë. vendet e tjera kanë punuar shumë për të arritur atje ku janë. Dikur na ndante nga bota një oqean, ndërsa tani na ndan një det”.