1.7 C
Pristina
Wednesday, December 25, 2024

Raportuesja për Kosovën: Pozicioni i Borell për kufijtë i dëmshëm dhe i rrezikshëm

Rekomandime

Raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian, Viola Von-Cramon e ka kundërshtuar fuqishëm deklaratën e Përfaqësuesit të Lartë të BE’së, Josep Borell lidhur me ndryshimin e kufijve mes Kosovës dhe Serbisë. Europarlamentarja në një intervistë për Gazetën Express tha se pozicioni i Borellit është i rrezikshëm dhe i dëmshëm. Von-Cramon u shpreh se ideja e shkëmbimit të territoreve do të ketë impakt në destabilizimin e rajonit.

Përfaqësuesi i Lartë për Politikë të Jashtme i BE’së, Josep Borell në një intervistë para tre ditësh kishte deklaruar se u takon Kosovës dhe Serbisë të vendosin nëse dëshirojnë të flasin edhe për korrigjimin e kufijve dhe se Bashkimi Evropian nuk mund t’u tregojë palëve se për çfarë duhet të bien dakord e për çfarë jo.

- Advertisement -

Por këtë deklaratë të spanjollit Josep Borell po e konsideron të gabueshme, gjermanja Viola Von-Cramon.

Eurodeputja tha se nëse për shefin e diplomacisë së BE’së, nuk ka rëndësi se çka merren vesh Kosova dhe Serbia por vetëm të ketë marrëveshje, atëherë ai nuk ka interesim se çfarë po ndodhë brenda dy shteteve.

“Ky është një pozicion shumë i rrezikshëm dhe i dëmshëm. Nëse Borrell-i thotë se për të nuk ka rëndësi se për cfarë merren vesh ata, por vetëm të kenë një marrëveshje, ai tërthorazi është duke thënë se nuk ka interesim për atë që është duke ndodhur brenda këtyre shteteve. Por kjo nuk është në rregull. Ne dëshirojmë që Kosova dhe Serbia të bëhen anëtare të BE-së, është e një rëndësie maksimale ajo se si është situata brenda shteteve”, tha Von-Cramon.

- Advertisement -

Tutje, raportuesja për Kosovën në PE tha se ndryshimet e kufijve dhe idetë false për shtete etnikisht homogjene do ta destabilizonin rajonin e Ballkanit Perëndimor.

“Natyrisht, dialogu vetvetiu është i rëndësishëm, por ai nuk është qëllimi, është një mënyrë për të prodhuar një rezultat. Dhe një rezultat duhet të jetë stabiliteti në rajon, duhet të jetë zhvillimi i rajonit dhe përfundimisht një jetë më e mirë për njerëzit në rajon. Një shkëmbim territoresh nuk do ta lehtësonte këtë aspak. Ndryshimi i kufirit dhe idetë false për shtete etnikisht homogjene sigurisht se nuk janë diçka që ndokush dëshiron t’i shohë. Kjo do të mund të krijonte shumë jostabilitet në tërë rajonin”, tha ajo.

- Advertisement -

Viola Von-Cramon cila ka qenë deputete nga Partia e Gjelbër e Gjermanisë në Bundestag prej vitit 2009 deri më 2013.

E pyetur nga Gazeta Express se a duhet Gjermania të luaj një rol kyç në dialogun Kosovë-Serbi, europarlamentarja tha se shpreson që Presidenca Gjermane e Këshillit të BE’së që do të fillojë nga 1 korriku 2020 të sjellë rezultate sa i përket në dialogut.

“Po. Gjermania ka pasur një rol të rëndësishëm në rajon në të kaluarën. Unë shpresoj që presidenca gjermane e Këshillit të BE-së mund të sjellë disa rezultate”, tha ajo.

Gjermanja, që tani është deputete në Parlamentin Evropian tha se Gjermania ka qenë e qartë sa i përket idesë për ndryshim kufijsh apo shkëmbim territoresh.

“Gjermania më parë ka qenë e qartë për refuzimin e çfarëdo plani që ka përfshirë shkëmbim të territoreve. Unë shpresoj se ata do të vazhdojnë kështu. Unë nuk kam pranuar ndonjë qëndrim kundërthënës”, u shpreh Von-Cramon

Raportuesja për Kosovën po ashtu përmendi faktin se partia CDU dhe vet kancelarja Angela Merkel kanë ndikim në rajon dhe do të ndikonin tek Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq dhe tek LDK’ja si parti simotër e EPP’së për të lehtësuar dialogun mes Kosovës-Serbi.

“Ne gjithashtu nuk duhet të harrojmë sa shumë ndikim në rajon kanë Merkeli dhe partia e saj, CDU-ja. Qeveria gjermane është një ndër aktoret e pakta që shumë lehtë do të mund të ndikonte te Vuciqi dhe gjithashtu partia LDK e Kosovës është parti simotër e CDU-së, ndihma e tyre do të mund ta lehtësonte dialogun mes shteteve dhe gjithashtu mes Serbisë dhe Kosovës, sepse tensionet e brendshme në të dyja shtetet janë shumë të larta”, tha deputetja e Parlamentit Evropian.

Von-Cramon foli edhe për liberalizimin e vonuar të vizave për Kosovën, ajo tha se disa vende të BE’së po e bllokojnë këtë proces për arsye të brendshme.

Ajo shtoi se çdo ditë vonese për heqjen e vizave rrezikon kredibilitetin e BE’së në Kosovë.

“Ndoshta disa vende anëtare po e bllokojnë atë për arsye të brendshme, por mua më duket e vështirë për ta kuptuar. Çdo ditë e vonimit e rrezikon kredibilitetin e BE-së në Kosovë. E kam thënë në çdo kanal se BE-ja duhet ta kryejë këtë çështje sa më shpejt që është e mundshme”, u shpreh ajo.

-Advertisement-

Më shumë artikuj

- Advertisement -

Të fundit