13.1 C
Pristina
Wednesday, November 27, 2024

Rrëfim për Ilaz Kodrën, trimin sypatrembur nga Drenica

Rekomandime

Krenare Kodra, vajza e heroit Ilaz Kodra: Askush nuk duhet të ndihet i thyer për atë se çka i dhamë atdheut.

- Advertisement -

21 vjet nga rënia heroike e Ilaz Kodrës dhe bashkëluftëtarëve të tij. Familjes pikëllimin ua shtoi edhe më shumë pandemia Covid-19, e cila u bë shkak që të mos përkujtohet si herave të tjera heroi Ilaz Kodra.

Tashmë po bëhen 21 vjet prej kur Kosova u përball me okupatorin serb, i cili vrau e përndoqi civilë të pafajshëm të moshave të ndryshme. Në një luftë të ashpër me forcat serbe, ranë heroikisht edhe shumë ushtarë të UÇK-së, që tashmë janë heronj të vendit, në mesin e tyre edhe Ilaz Kodra.

- Advertisement -

21 vjet pas luftës së fundit, Kosova u përball sërish me një armik, por tash të panjohur dhe të padukshëm. Po e quajnë koronavirus dhe po i frikësohen pothuajse të gjithë.

Ky virus u bë shkas që këtë vit të mos ketë manifestime përkujtimore për të rënët e luftës, andaj edhe pikëllimi për familjet e tyre vetëm sa u rrit. Pasardhësit e heronjve dhe të rënëve të tjerë janë ata që po rriten në dheun e Kosovës, për të cilin u derdh shumë gjak.

- Advertisement -

Vajza e heroit Ilaz Kodra, Krenarja, thotë se asnjëri nga ne nuk duhet të ndihet i thyer dhe i zbrazur për atë se çka i kemi dhënë atdheut, por të gjithë së bashku të ndihemi borxhlinj ndaj Kosovës.

“Mos ta harrojmë historinë tonë, t’i përkujtojmë e t’i nderojmë dëshmorët, martirët e gjakun që e lau këtë tokë me qindra vjet e gjithë këto kujtime t’i kthejmë në vullnet që të punojmë për një Kosovë me të cilën do të ndiheshin krenarë të gjithë”, tha ajo.

Ajo këto fjalë i dërgon si mesazh për të gjithë ata të rinj e të reja që i humbën prindërit në luftën e lavdishme për liri e pavarësi.

Krenare Kodra nuk arriti ta njohë babanë e saj e as ta takojë. Ajo u lind gjashtë muaj pas rënies së të atit dëshmor. Por, siç thotë ajo, të jesh e bija e një heroi është ndjenjë e mungesës për babanë, por edhe krenari dhe vullnet për arsimim, punë e jetë në Kosovën e lirë.

Në përvjetorin e rënies së Ilaz Kodrës, ajo thotë së këtë datë e kaloi vetëm me familjen. Situata në të cilën ndodhemi nga COVID-19 bëri që të ketë kufizim të aktiviteteve , të cilat do të mund të zhvilloheshin në nderim të Kodrës, ndërkohë që herave të tjera, përvjetorët i kalonin me dashamirë e vizitues nga trojet shqiptare.

“Dera e kullës është gjithmonë e hapur, por kësaj here pandemia u bë shkak që të ketë më pak vizitues”, shprehet Krenarja.

Ilaz Kodrën e përkujton edhe vëllai i tij, Avniu. Ai tregon se si Ilazi rrëfente për rrugën e idealit, kohën kur u kthyen nga stërvitjet në vitet e 90-a si dhe për takimet e tij së bashku me shokët, ku diskutonin për çështje kombëtare.

“Unë, si vëllai i Ilazit, kujtoj se si ai kishe vendosmëri e vullnet për rrugën që do ta vazhdonte më pas. E mbaj mend atë, së bashku më shokët e tij, teksa diskutonin për strukturimin e UÇK-së”, thotë Avniu.

Ilaz Kodra u lind më 3 maj 1966 në fshatin Prekaz i Poshtëm të Skënderajt. Ai është i biri i Ismajlit dhe Nailes.

Përveç të bijës dhe vëllait, për Ilaz Kodrën kanë diçka për të rrëfyer edhe nëna dhe bashkëshortja e tij.

Nëna Naile shprehet se është krenare teksa tregon për jetën e birit të saj, Ilazit.

“Jam krenare që e kam rritë Ilazin, më ka mbetë gjashtëmuajsh i vogël. E kam rritë në kallabllak, se ktyneherë ndryshe janë kanë punët e tanat”, rrëfen nëna e heroit në intervistën për një dokumentar.

Ajo tregon se djali i saj kishte filluar të merret me çështje kombëtare qysh prej fëmijërisë, duke filluar nga demonstratat në Skënderaj për të mos u ndalur kurrë më. Ndër të tjera, ajo thotë se Adem Jasharin, Sami Lushtakun e shokët e tjerë të Kodrës i ka dashur si t’i kishte djem të saj.

“Ju kam shtru bukë. S’kam pritu për asnjë hiç, natën e ditën kam punu sa kam pas mundësi”, janë disa nga fjalët përkujtuese të nënës së dëshmorit.

Rrëfimin përmes intervistës për dokumentar e vazhdon bashkëshortja e Kodrës, Kimetja. Ajo e përshkruan Ilaz Kodrën si njeri të patrembur.

“Ilazi gjithmonë ka qenë i patrembur dhe ka pas një guxim të madh me gjithë shokët e tij”, tha zonja Kodra.

Bashkëshortja tregon një ngjarje ku bashkëshorti i saj i kishte thënë se po shkonte në darkë tek një mik, por kishin vërejtur se ushtarët serbë po përgatiteshin me helikopter e forca të mëdha.

“E kam ditë që është në vendin e ngjarjes, por kam pritë që do të kenë sukses e do të shpëtojnë të gjithë”, shtoi ajo.

Ndër të tjera, ajo tregon edhe për bisedën e fundit të tyre. Komandanti e kishte përqafuar vajzën e tij të madhe, Sumejën, që e la 11-mujashe, dhe kishte thënë që të jenë të fortë për çkado që ndodh. Tutje, Kodra rrëfen se një ditë para se të vritej heroi, ata kishin qenë në Fortesë të Drenasit. Të nesërmen e kishin rrethuar forcat serbe.

“Ai ka qenë njeri që nuk i ka ikë rrezikut. E kam ndje se do të vritet, veç e kemi pritë lajmin”, vazhdon nëna e dy vajzave të Kodrës.

Në fund, Kimete Kodra, bashkëshortja e heroit Ilaz Kodra, dhe nëna e vajzave, Sumejës dhe Krenares, tregon se përulet pranë varrit të Komandantit Kodra dhe të gjithë atyre që u flijuan për një Kosovë të lirë e të pavarur.

Ndër familjarët dhe bashkëluftëtarët, atë e përkujton edhe miku i tij prizrenas, të cilin e kishte njohur në Mitrovicë. Ky i fundit kishte një furrë buke, aty ku edhe filloi shoqëria e tyre.

“Kam respekt për të, ka qenë mik i dashur dhe i guximshëm njëkohësisht. Më mungojnë kohët kur bisedonim e qanim hallet me të”, rrëfen prizrenasi F.D.

Përderisa forcat paramilitare dhe policore serbe ishin fokusuar në hakmarrje ndaj popullit shqiptar për shkak të fillimit të bombardimeve të NATO-s, më 24 mars 1998, në anën tjetër, pjesëtarët e UÇK-së i bashkonte ideali dhe forca për liri e pavarësi.

Ndër themeluesit e UÇK-së ishte edhe Ilaz Kodra, mik i afërt me komandantin legjendar, Adem Jashari, me të cilin e kishin kaluar kufirin disa herë për të shkuar në Shqipëri për stërvitje ushtarake. Për këtë flet edhe bashkëluftëtari i tij, Jakup Nura.

“Ilaz Kodra ishte pjesëmarrës në demonstratat e viteve 89’-90’. Në vitin 1991, shkon në Shqipëri për stërvitje ushtarake nga Forcat e Armatosura të Republikës Popullore të Shqipërisë, së bashku me Adem Jasharin dhe një grup të viseve të Kosovës dhe Maqedonisë”, thotë Nura.

Jakupi e vazhdon rrëfimin e tij duke thënë se me t’u kthyer Ilaz Kodra në Kosovë, shërbimi sekret serb informohet dhe organizon një sulm në Prekaz më 30 dhjetor 1991.

Kodra ishte pjesëmarrës në shumë aksione, si në Drenas e Runik. Nura e kujton bashkëluftëtarin e tij si person të qetë dhe të dashur, teksa tregon se Kodra kishte luftuar përkrah Fehmi Lladrovcit, si zëvendës i tij në Brigadën 114 në zonën e Drenicës, brigadë që përfshinte territorin nga “Kroni i Mbretit” deri në Tërnac.

Ilaz Kodra ishte pjesëtar i kreut të luftës në Drenicë, së bashku me Sami Lushtakun, Hashim Thaçin, Sylejman Selimin, Mujë Krasniqin, Rexhep Selimin, Nuredin Lushtakun, Fehmi Lladrovcin, Xhevë Krasniqi-Lladrovcin, Abedin Rexhën, Musë Jasharin, Sahit Jasharin, Shaban Shalën, Fadil Kodrën, Zenun Kodrën, Ilaz Dërgutin, Asllan Fazliun, Besim Malën, Sabit Llardovcin e shumë të tjerë.

Pas vdekjes së Fehmi e Xhevë Lladrovcit, në udhëheqjen e Brigadës e cila mori emrin e komandantit të mëparshëm, vendoset Ilaz Kodra, më 22 shtator 1998, ndërsa betimi i vullnetarëve për t’iu bashkuar kësaj brigade u bë me 8 nëntor 1998.

Deklarata që kishte dhënë Ilaz Kodra për televizionin satelitor “3Sat” i dëshmon qëndrimet e tij dhe pjestarëve të tjerë të UÇK-së. Ai kishte thënë se ata luftojnë që okupatorin serb ta përzënë nga trojet e Kosovës dhe se populli shqiptar duhet të vendosë për fatin e vet.

“Ne luftojmë që okupatorin serb ta përzëmë nga trojet tona. Populli shqiptar duhet të vendosë për fatin e vet”, ishin fjalët e Komandantit Ilaz Kodra.

Në këto rrethana, diplomacia e vendeve të jashtme punonte për çështjen e Kosovës, me qëllim të arritjes së një marrëveshjeje me Millosheviqin. Këto përpjekje bëhëshin për ndalimin e krimeve në Kosovë, të cilat vazhdimisht transmetoheshin nga medie të ndryshme e pushteti jugosllav nuk merrte përgjegjësi.

Për këto mjete diplomatike, Ilaz Kodra kishte thënë se nëse të gjitha dështojnë, UÇK-ja do të vazhdojë me metoda të tjera drejt çlirimit të Kosovës, duke u shprehur se do të luftojnë, sepse janë në vendin e tyre dhe aty do të vdesin.

“Nuk ka më të çmueshme se jeta, vetëm liria është më e çmueshme”, janë disa nga fjalët e heroit, që dëshmojnë se ai e kishte vendosur lirinë e atdheut si prioritet të parë, ndërsa gjërat e tjera ishin dytësore.

Ilaz Kodra mori pjesë edhe në betejën e zhvilluar në Rezallën e Re më 26 nëntor 1997.

Ndërkaq në një intervistë të dhënë për revistën “Kombi”, Kodra kishte thënë se shqiptarët janë të vetëdijshëm se në çfarë gjendje janë dhe se janë të gatshëm të flijohen për ta sendërtuar qëllimin e UÇK-së.

Një informacion kishte ardhur se forcat serbe po bënin përpjekje ta vrisnim popullatën civile në fshatrat Vërboc e Shtuticë. Ilaz Kodra me bashkëluftëtarët nisen t’iu dalin në ndihmë civilëve. Me të zbardhur dita, fillon sulmi i forcave serbe, të cilat e kishin rrethuar vendin në formë patkoi. Aty ra heroikisht Ilaz Kodra, me datën 30 prill 1999 në Vërboc.

Trupi i tij u varros fillimisht në Varrezat e Dëshmorëve në fshatin Polac, ndërsa më pas rivarroset së bashku me komandantët Abedin Rexha dhe Mujë Krasniqi si dhe 154 dëshmorë të tjerë në Kompleksin Memorial në Marinë, me datën 5 tetor 2018.

Në 16-vjetorin e rënies së Ilaz Kodrës, Posta e Kosovës e lansoi pullën postare me figurën e tij. Ndërsa në vitin 2012 është zbuluar busti i tij si dhe është inauguruar kulla muze, e cila ka qenë vendtakimi i udhëheqësve të parë të UÇK-së, në krye me komandantin e përgjithshëm, Adem Jashari.

Në përvjetorin e 20-të të rënies, Ilaz Kodra u përjetësua në bronz në sheshin “Fehmi e Xhevë Lladrovci” në Drenas.

-Advertisement-

Më shumë artikuj

- Advertisement -

Të fundit