1.4 C
Pristina
Thursday, December 26, 2024

Rritet numri i të infektuarve me HIV/AIDS në Kosovë

Rekomandime

Dita Botërore e Luftës Kundër AIDS-it, e cila shënohet çdo 1 dhjetor, e gjen Kosovën sivjet me tetë raste të reja të të infektuarve.

Shifra flet për rritje të rasteve krahasuar me vitin e kaluar, gjatë të cilit u regjistruan dy.

- Advertisement -

Në vitin 2019, ndërkaq, u shënuan gjashtë raste të reja.

AIDS-in e shkakton virusi HIV, i cili e dëmton sistemin imunitar të njeriut, duke e lënë atë të ekspozuar ndaj infeksioneve të rënda.

Shefi i Repartit për HIV brenda Klinikës Infektive të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës, Murat Mehmeti, thotë për Radion Evropa e Lirë se, aktualisht, të gjitha rastet me HIV pozitiv janë duke u trajtuar në kushte shtëpie, pasi, sipas tij, ato nuk kanë nevojë për hospitalizim.

- Advertisement -

“Në vitin 2021 i kemi tetë raste të reja. Me këto tetë raste të reja, i kemi diku 41 raste [me HIV] që i kemi për momentin nën trajtim”, thotë Mehmeti.

Numrin e rasteve të reja në këtë vit e konfirmon edhe shefja e Njësisë së HIV/AIDS-it në Institutin Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHPK), Luljeta Gashi.

- Advertisement -

“Aq janë. Pra, tetë raste [të reja] ka Klinika Infektive”, thekson ajo.

Pandemia e koronavirusit, e cila në disa periudha ka shkaktuar fluks të madh pacientësh në spitale, ka vështirësuar jo rrallë trajtimin e sëmundjeve të tjera.

Vitin e kaluar, në disa raste ka pasur ngecje sa i përket kryerjes së analizave rutinore të personave që jetojnë me virusin HIV.

Por, gjatë këtij viti, sipas Mehmetit, për të gjithë personat e prekur nga ky virus, është siguruar terapia e vazhdueshme, ndërsa janë kryer edhe analizat rutinore, që parashihen brenda vitit.

“Këta [personat me HIV], në asnjë moment, nuk kanë mbetur pa terapi. Madje, edhe testet më të rëndësishme që ne i punojmë, me qëllim të mbikëqyrjes së tyre në aspektin imunitar dhe virusal, i kemi bërë në mënyrë të rregullt. Meqenëse preferohet, zakonisht, minimum dy herë në vit, ne i kemi realizuar ato brenda vitit 2021. Dy herë i kemi punuar këto analiza imunologjike dhe virologjike. I kemi bërë në muajin mars dhe tash, në muajin e fundit, i kemi bërë për herë të dytë”, thotë Mehmeti.

Radio Evropa e Lirë i është drejtuar IKSHPK-së me pyetjen se sa është numri i të testuarve për HIV në Kosovë brenda vitit 2021, por, deri në momentin e publikimit të këtij shkrimi, nuk ka marrë përgjigje.

Shefja e Njësisë së HIV/AIDS-it në këtë institut, Luljeta Gashi, thotë se IKSHPK-ja i merr rezultatet e testimeve nga të gjitha qendrat dhe laboratorët, që bëjnë teste për virusin HIV, dhe se detajet rreth tyre do të publikohen së shpejti.

“Në Institutin Kombëtar është laboratori referent. Aty bëhet konfirmimi i rasteve pozitive, të cilat testohen në vendet tjera, në laboratorë privatë, në organizata joqeveritare që punojnë me grupe të rrezikut të lartë”, thotë Gashi.

Qendra për Këshillim dhe Trajtim të Varësisë “Labirint” në Prishtinë ka testuar sivjet mbi 500 persona për virusin HIV, thotë drejtuesi i kësaj qendre, Safet Blakaj.

Sipas tij, shifra është mbi dyfish më e lartë krahasuar me rreth 250 testimet e kryera vitin e kaluar.

“Brenda këtij viti, numri i testimeve ka qenë 535. Fatmirësisht, asnjë rezultat pozitiv nuk e kemi pasur sa i përket HIV-it”, thotë Blakaj, duke shtuar se këto të dhëna i janë dërguar Ministrisë së Shëndetësisë dhe IKSHPK-së.

Rritjen e numrit të testimeve për HIV në vitin 2021, Blakaj e sheh si rikthim të rutinës së testeve, e cila ka pësuar ngecje në fillimet e pandemisë, në vitin 2020.

Kjo, sipas tij, do të thotë edhe ndërgjegjësim më i madh i personave që dëshirojnë të vërtetojnë ose shmangin dyshimet e tyre lidhur me virusin HIV.

Shefi i Repartit për HIV në Klinikën Infektive, Murat Mehmeti, thotë se disa prej personave të prekur nga HIV në Kosovë, kanë qenë të infektuar edhe me koronavirus.

“Ka pasur të prekur [nga sëmundja që e shkakton koronavirusi, COVID-19], të cilët e kanë kaluar me shumë pak telashe, do të thotë me një gjendje të lehtë. Fatkeqësisht, e kemi pasur një person ose një pacient që e ka pasur COVID-19 dhe ka përfunduar me vdekje. E kam fjalën prej të gjithë këtyre pacientëve”, thotë Mehmeti.

Në Kosovë, rasti i parë me HIV/AIDS është regjistruar në vitin 1986.

Sipas IKSHPK-së, që nga ajo kohë e deri në dhjetor të vitit 2020, janë regjistruar gjithsej 132 raste me HIV. Deri më tani, mbi 50 prej tyre kanë vdekur.

Me këto shifra, Kosova radhitet në mesin e vendeve me shkallë të ulët të AIDS-it, por faktorë rreziku për të janë zhvillimet socio-ekonomike.

HIV-i mund të transmetohet nëpërmjet shkëmbimit të lëngjeve të ndryshme trupore nga individët e infektuar.

-Advertisement-

Më shumë artikuj

- Advertisement -

Të fundit