Sipas portalit “Transfermarkt”, vlera e yllit kosovar është rritur në treg për 15 milionë euro, respektivisht për 75 për qind.
Milot Rashica ishte njëri prej sensacioneve më të mëdha të Bundesligës në dy sezonet e fundit.
Ylli kosovar po shkëlqen në fanellën e Werder Bremenit duke u bërë njëri prej lojtarëve më të mirë të kampionatit gjerman.
Dhe, vlera e futbollistit nga Vushtrria është rritur dukshëm së fundmi.
Në fakt, portali gjerman “Transfermarkt”, i cili merret me vlerësimin e lojtarëve, e ka përmirësuar vlerën në treg të lojtarëve të Bundesligës.
Me këtë rast, lëvizjen më të madhe e pati vlera e kartonit të Rashicës.
Përfaqësuesi kosovar deri tash vlerësohej 20 milionë euro, ndërsa në bazë të vlerës së re, çmimi i tij është 35 milionë euro.
Kjo i bie që kartoni i Milotit tash e tutje kushton 15 milionë më shumë, respektivisht vlera e tij është rritur për 75 për qind.
Aktualisht, Rashica është lojtari më i vlefshëm i Werder Bremenit.
Ai i ka realizuar 9 gola dhe ka dhuruar 4 asistime këtë sezon me Werderin.
Klubet e njohura evropiane kanë nisur ta kërkojnë yllin kosovar, i cili mund të largohet nga Gjermania në fund të këtij sezoni.
23 vjeçari është lojtar mjaft i rëndësishëm edhe tek Përfaqësuesja e Kosovës.