1.1 C
Pristina
Wednesday, December 25, 2024

Rusia kryen suIme vdekjeprurëse me raketa mbi Ukrainën

Rekomandime

Të paktën 6 persona humbën jetën pasi Rusia lëshoi breshëri raketash mbi gjithë territorin e Ukrainës, duke sulmuar infrastrukturën energjetike të vendit, më 9 mars.

- Advertisement -

Katër persona u vranë në rajonin e Lviv pasi një raketë goditi një zonë të banimit, tha guvernatori i qytetit, Maksym Kozytskyi. Dy persona tjerë u vranë në rajonin e Dnipropetrovsk.

“Në këtë moment, ne dimë për katër të rritur të vdekur: dy burra dhe dy gra. Ata ishin në shtëpi kur raketa goditi. Mund të ketë njerëz të tjerë nën rrënoja”, tha Kozytskiy, duke shtuar se tri ndërtesa banimi ishin shkatërruar.

Të paktën dy persona u plagosën në një lagje të Kievit, shkroi kryebashkiaku Vitali Klitschko në Telegram, ndërsa sirenat e sulmit ajror u dëgjuan në të gjithë kryeqytetin dhe furnizimet me energji elektrike e ngrohje u ndërprenë.

“Të gjitha shërbimet e urgjencës po nxitojnë në vend. Makinat po digjen në oborrin e një prej ndërtesave të banimit. Alarmi ajror vazhdon. Qëndroni në strehimore. Dy viktima në lagjen Sviatoshyn. Mjekët po ofrojnë ndihmë në vend”, shkroi Klitschko në Telegram.

- Advertisement -

Sistemet e mbrojtjes u aktivizuan në të gjithë vendin dhe nuk ishte e qartë se sa raketa goditën objektivat.

Në Ukrainën lindore, 15 raketa goditën Harkivin dhe rajonin periferik verilindor, duke goditur ndërtesat e banimit.

- Advertisement -

Qyteti verior i Zhytomir u shënjestrua gjatë natës nga një breshëri dronësh Shahed – që prodhohen nga Irani, tha kryebashkiaku i qytetit, Serhiy Sukhomlin. Ai tha se nuk u raportua për viktima, por shërbimet u ndërprenë.

“Nuk ka ujë që del nga çezmat, shumica e shtëpive në qytet nuk kanë energji elektrike – e gjithë kjo pas sulmit të natës në Zhytomir nga dronët Shahed”, tha Sukhomlin në një video-mesazh.

Sulmet ruse shënjestruan gjithashtu rajonet e qyteteve Odesa dhe Harkiv, njoftuan autoritetet lokale, duke shkaktuar ndërprerje të energjisë dhe duke dëmtuar infrastrukturën hekurudhore.

Rusia do të mbahet përgjegjëse për “terrorizimin e civilëve”, paralajmëroi presidenti Volodymir Zelenskiy në një deklaratë në internet.

“Pushtuesit mund të terrorizojnë vetëm civilët. Kjo është gjithçka që ata mund të bëjnë. Por kjo nuk do t’i ndihmojë ata. Ata nuk do të shmangin përgjegjësinë për gjithçka që kanë bërë”, tha Zelensky.

Termocentrali bërthamor i Zaporizhjas, që është më i madhi në Evropë, u shkëput nga rrjeti elektrik i vendit nga sulmi me raketa ruse dhe termocentrali aktualisht po funksionon me 18 gjeneratorë me naftë, thanë nga kompania shtetërore e energjisë bërthamore e Ukrainës, Enerhoatom dhe Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë Bërthamore (IAEA).

Është hera e parë që nga 23 nëntori që ky termocentral, i cili është nën kontrollin rus, por që operohet nga teknikë ukrainas, ka humbur të gjithë fuqinë.

Vala e re e sulmeve ruse erdhi pasi forcat ukrainase ishin nën presion në rritje në qytetin e Bahmutit, ku një betejë e ashpër për kontrollin e qytetit po vazhdon prej muajsh.

Mbrojtësit ukrainas zmbrapsën më shumë se 110 sulme në këtë zonë, raportoi Shtabi i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura në njoftimin e tij të përditshëm. Të dyja palët besohet se kanë pësuar humbje të mëdha në betejën për qytetin, i cili kishte një popullsi prej 70,000 banorësh para luftës, por tani është braktisur kryesisht pasi civilët kanë ikur.

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg tha më 8 mars se forcat ruse, pavarësisht se pësuan humbje serioze, mund të jenë ende në prag të marrjes së Bahmutit.

Ekspertët ushtarakë thonë se Bahmuti ka pak vlerë strategjike për Rusinë, e cila synon një fitore simbolike, pasi pësoi humbje të shumta në muajt e fundit.

Ministri i Energjisë i Ukrainës, Herman Halushchenko i cilësoi sulmet si “një tjetër sulm masiv barbar në infrastrukturën energjetike të Ukrainës”, duke thënë se objektet në rajonet e Kievit, Mykolaivit, Harkivit, Zaporizhjas, Odesës, Dnipropetrovskut dhe Zhytomirit ishin shënjestruar.

Hekurudhat e Ukrainës raportuan ndërprerje të energjisë në zona të caktuara, me 15 trena të vonuar deri në një orë.

Rusia ka goditur Ukrainën me sulme masive raketore që nga tetori i vitit të kaluar.

Fillimisht, breshëritë me raketa që kishin për cak infrastrukturën energjetike të vendit u zhvilluan çdo javë, duke zhytur qytete të tëra në errësirë, por u rralluan me kalimin e kohës, me komentuesit që spekulonin se Moska mund të jetë duke kursyer municione.

Sulmi i fundit masiv, para këtij të datës 9 mars, u zhvillua më 16 shkurt.

-Advertisement-

Më shumë artikuj

- Advertisement -

Të fundit