“Ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj ka deklaruar se trazirat e fundit në veri të Kosovës dhe përfshirja e diplomatëve rusë, siç ishte rasti i ish-punonjësit të UNMIK-ut vite më parë, përfshirja e zyrtarëve rusë dhe bjellorus, gjoja si gazetarë të arrestuar nga Policia e Kosovës, si dhe vizita e ambasadorit rus në Serbi, bërë forcave serbe të grumbulluara në kufi me Kosovën, dëshmojnë se Rusia me çdo kusht kërkon destabilizimin e Kosovës.
Mehaj i ka bërë këto komente gjatë konferencës vjetore të Kartës së Adriatikut-SHBA, para ministrave të mbrojtjes dhe delegacioneve të tyre, të mbajtur dje në Split, ku theksoi se Ballkani është një objektiv i kërcënimeve kineze dhe ruse.
“Vizioni i Republikës së Kosovës është promovimi i stabilitetit dhe sigurisë, jo vetëm për qytetarët e saj, por edhe për rajonin, Evropën dhe më gjerë. Kosova është e përkushtuar që të jetë pjesë integrale e strukturave rajonale dhe globale të sigurisë, në veçanti OKB-së, BE-së, NATO-s dhe OSBE-së.
Ne gjithashtu punojmë shumë për të qenë pjesë e nismave rajonale dhe për të promovuar marrëdhënie paqësore fqinjësore në funksion të rritjes së stabilitetit dhe besimit midis vendeve në rajon”, tha ai.
Ministri tha se vetë misioni i Kartës së Adriatikut –SHBA është të sjellë vendet e Ballkanit Perëndimor më afër proceseve integruese në NATO, me qëllimin përfundimtar të rritjes së sigurisë rajonale dhe forcimit të partneritetit ndërfqinjësor.
“Prandaj, ne e vlerësojmë shumë ftesën tuaj në këtë takim dhe në të njëjtën kohë, ju bëjmë thirrje të gjithëve që të shtrini dorën dhe të na lejoni t’i bashkohemi nismës, si anëtar i barabartë.
Kosova është e gatshme të marrë role dhe përgjegjësi të reja. Në muajt e fundit, ne kemi treguar përkushtim në disa mënyra. Ne kemi ndihmuar dhe mbështetur operacionin e drejtuar nga NATO për evakuimin e refugjatëve afganë dhe sapo kemi përfunduar bashkë-zbarkimin e parë të trupave të FSK-së në Kuvajt”, tha më tej ministri.
“Është i nevojshëm bashkëpunimi më intensiv pas COVID-19 në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë, duke pasur parasysh zhvillimin rajonal dhe më gjerë.
Kërcënimet hibride të Rusisë dhe Kinës në rajon dhe më gjerë paraqesin tregues që ne duhet të punojmë së bashku për të krijuar një mjedis më të sigurt dhe për të mbështetur njëri-tjetrin në rrugën e integrimeve.
Është e vështirë për ne që të përballemi vetëm dhe individualisht me ndikimin e vendeve të fuqishme si Kina apo Rusia, por një qasje e përbashkët bën të mundur menaxhimin e situatës, në funksion të sigurisë së qëndrueshme dhe ofrimit të mirëqenies për qytetarët tanë. Kosova është e gatshme të kontribuojë në çdo iniciativë rajonale dhe më gjerë. Anëtarësimi ynë në Kartën e Adriatikut do të na ofronte një mundësi më të madhe për të kontribuar drejtpërdrejt në paqen dhe stabilitetin përtej kufijve tanë.
Në të njëjtën kohë, do të përcillte edhe një mesazh të qartë për kundërshtarët e integrimit të Ballkanit Perëndimor, se kjo pjesë e botës ka një rrugë të sigurt drejt integrimit në NATO dhe se vendet e Ballkanit janë të përkushtuara për të ofruar paqe dhe stabilitet”, tha Mehaj.
Sipas tij, Ballkani është një objektiv i kërcënimeve kineze dhe ruse.
“Me çdo mjet të mundshëm, ata përpiqen përmes vendeve të cenueshme, në këtë rast Serbisë, të ndërhyjnë në stabilitetin e Ballkanit dhe Evropës dhe të krijojnë destabilitet si kundërmasë ndaj vlerave demokratike euroatlantike. Duke ofruar mbështetje ushtarake dhe politike, si dhe vaksina për Serbinë, Rusia përpiqet të imponojë narrativën e saj dhe të ndikojë në Serbi, duke e përdorur atë si një përfaqësues kundër NATO-s në këtë pjesë të rajonit.
Ne ishim dëshmitarë të tentativës së Serbisë për të destabilizuar Malin e Zi dhe Bosnjë-Hercegovinën. Në aksionin e MPB-së së Kosovës në veri të Kosovës, ministrat serbë kërcënuan me luftë dhe përdorën retorikën e viteve të 90-ta. Të njëjtën gjuhë si krimineli i luftës, Sllobodan Millosheviq.
Të kujtojmë krimet e Serbisë në Kosovë: 1,1 milion qytetarë të dëbuar, 20 mijë gra të dhunuara, 230 mijë shtëpi të djegura, 1600 të zhdukur, 13 mijë të vrarë, etj. Të kujtojmë krimet e Serbisë në Bosnje dhe Kroaci, me qindra mijë të vrarë, miliona të deportuar, mijëra gra të dhunuara, qindra vendbanime të djegura e shkatërruara.
Prandaj duke mos harruar kurrë, është koha të rrugëtojmë së bashku drejtë anëtarësimit në NATO”, tha ai.
Ministri i Mbrojtjes më tej tha se e ashtuquajtura Qendra Humanitare Ruse në jug të Serbisë dhe TV Rus “Sputnik” , transmetues në Serbi, janë qendra propagande dhe dezinformimi kundër NATO-s, BE-së dhe vendit tonë.
“Trazirat e fundit në veri të Kosovës dhe përfshirja e diplomatëve rusë, siç ishte rasti i ish-punonjësit të UNMIK-ut vite më parë, përfshirja e zyrtarëve rusë dhe bjellorus, gjoja si gazetarë të arrestuar nga Policia e Kosovës, si dhe vizita e ambasadorit rus në Serbi, bërë forcave serbe të grumbulluara në kufi me Kosovën, dëshmojnë se Rusia me çdo kusht kërkon destabilizimin e Kosovës. E së fundmi, më 23 tetor, vendi ynë shpalli ‘non-grata’ dy diplomatë rusë”, tha më tej Mehaj.
Ministri i Mbrojtjes më tej u shpreh se Kosova qëndron e vendosur në rrugën e demokracisë perëndimore dhe deklaron fuqishëm orientimin e saj euroatlantik”.