8.3 C
Pristina
Thursday, April 25, 2024

SBASHK’u do të pengojë mësimin në shkolla nëse Qeveria nuk siguron dezinfektim e mjete higjienike

Rekomandime

Nëse Qeveria nuk arrin të sigurojë mjete të nevojshme për dezinfektimin e shkollave dhe blerjen e dezinfektuesve e pajisjeve të tjera higjienike, Sindikata e Arsimit do të pengojë realizimin e mësimit në shkolla.

- Advertisement -

Deri tash nuk ka një vendim konkret se si do të zhvillohet mësimi, por është përmendur kthimi në shkolla i nxënësve të disa klasave, raporton KOHA.

Javën e kaluar ministri i Arsimit, Ramë Likaj, ka thënë se i kanë kërkuar Qeverisë buxhet shtesë për vitin shkollor, meqë aktualisht, sipas tij, nuk kanë mjete të mjaftueshme.

Kryetari i SBASHK-ut, Rrahman Jasharaj, ka bërë të ditur se përmes një letre i kanë kërkuar Qeverisë të sigurojë kushte për vitin e ri shkollor, për shkak të situatës me pandeminë.

- Advertisement -

Jasharaj ka paralajmëruar se këtë javë do ta mbledhë Këshillin drejtues të sindikatës për të nxjerrë një vendim për hapat që do t’i ndërmarrin nëse nuk realizohet kërkesa e tyre.

KOHA ka tentuar të marrë një qëndrim nga Qeveria nëse ka siguruar mjete financiare për dezinfektimin e shkollave dhe dezinfektues për klasa, mirëpo nuk ka marrë përgjigje.

- Advertisement -

Gjatë ditës, kryeministri Avdullah Hoti në një status në Facebook ka shkruar se bashkë me zëvendëskryeministrat kanë diskutuar me ministrin e Arsimit e bashkëpunëtorët e tij për fillimin e vitit shkollor derisa ka theksuar se po finalizohen opsionet për organizimin e mësimit nga 1 shtatori.

Sipas Hotit, mësimdhënësit po trajnohen për mësimin online dhe po ashtu, sipas tij, po punojnë që të kenë një listë rezervë të mësimdhënësve që mund të angazhohen sipas nevojës.

Ndër të tjera, ka shkruar se mësimi online do të jetë gjithmonë aktiv dhe se komunat dhe drejtorët e shkollave do të kenë udhëzime të qarta se si duhet të organizohet mësimi.

Nga ana tjetër, drejtori ekzekutiv i Asociacionit të Komunave, Sazan Ibrahimi, përmes një përgjigjeje me shkrim ka theksuar se komunat do të bëjnë të pamundurën që të dezinfektojnë shkollat e të sigurojnë që pastërtia të jetë në nivel të duhur për fillimin e vitit shkollor. Ai ka shtuar se në një takim, që do ta kenë brenda dy ditësh me MASH-in dhe IKSHP-në, do të finalizohet çdo gjë për fillimin e vitit të ri shkollor.

Në Ministrinë e Arsimit nuk kanë dhënë detaje për përgatitjet që po i bëjnë për vitin shkollor.

-Advertisement-

Më shumë artikuj

- Advertisement -

Të fundit